Dixhitalizohet revista Diturija e Lumo Skëndos
Gjatë ceremonisë të dhënies së çmimit kombëtar të bibliofilisë “Lumo Skëndo 2009”, nga specialistë të Bibliotekës Kombëtare u bë i ditur lajmi se revista “Diturija” është dixhitalizuar si koleksion i plotë sipas origjinalit. Koleksioni që u përket viteve 1909-1929, mund të shfletohet lehtësisht edhe pa frekuentuar ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Ky dixhitalizim, edhe pse një realizim me mjete jo shumë të sofistikuara, vjen pas dixhitalizimit të revistës “Albanica”. Megjithatë, siç u bë e ditur dje gjatë ceremonisë në planet e Bibliotekës Kombëtare vazhdon të jetë pajisja e mëtejshme me mjete profesionale e dixhitalizimit të revistës. “Diturija” ishte një revistë me karakter letrar dhe diturak që qarkulloi në ditët e para të janarit 1909. Ajo drejtohej pikërisht nga Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri). Kjo revistë u botua me ndërprerje deri në vitin 1929. Nga viti 1909-1929 u botuan 40 numra.
#