Kufizimi i imunitetit parlamentar në rrugë kushtetuese...
Propozimi i Kryeministrit Sali Berisha për kufizimin e imunitetit parlamentar apo atë të gjyqtarëve, ofron mundësi për një kompromis politik mes dy forcave kryesore. Të gozhduara prej muajsh në pozita konflikti dhe jashtë çdo konteksti bashkëpunimi, pozita dhe opozita kanë aktualisht një hapësirë komunikimi që mund të sjellë ndryshime të mëdha. Një nga deputetët më të vjetër të Parlamentit, anëtari socialist i Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, ish-kryetar i Kuvendit, Kastriot Islami, e vlerëson të nevojshme ndërhyrjen kushtetuese për kufizimin e imunitetit. Sipas tij, kjo është një praktikë e aplikuar edhe në vendet europiane, sidomos për sa i përket aspektit të paprekshmërisë. Në tërësi, kjo çështje mund të zgjidhet përmes riformulimit të nenit 73, pika 2 e Kushtetutës, që në vështrimin e deputetit socialist sugjeron anulimin e autorizimit të Parlamentit për ndjekjen penale të deputetit, përveç rastit të ndalimit apo heqjes së lirisë. Nëse eventualiteti i një bashkëpunimi në këtë drejtim krijon klimën e duhur për bashkëpunim edhe për krizën politike, Islami shprehet se “ndikimi mund të jetë i dyanshëm”.
Si e gjykoni propozimin e Kryeministrit për sa i përket imunitetit të deputetëve dhe gjyqtarëve?
Pavarësisht se kush e bën propozimin, jam në favor të trajtimit të kësaj çështjeje. Nëse aktualisht këtë e sjell Kryeministri Berisha, kjo nuk më komplekson aspak, sepse e rëndësishme është që jam dakord dhe për më tepër këtë nismë seriozisht e kanë sjellë dhe trajtuar më parë deputetë me eksperiencë të PS-së. Kjo është një nismë e cila ka vite që qarkullon në mjedisin politik shqiptar, pa mundur të finalizohet dhe nuk është thjesht një nismë e re nga Kryeministri Berisha.
Më konkretisht për çfarë bëhet fjalë; për heqjen e imunitetit, apo kufizimin e tij?
Në fakt bëhet fjalë për “kufizimin e imunitetit parlamentar”. Këto nisma dhe qëndrimet e deritanishme rreth problemit të kufizimit të imunitetit parlamentar, për faktin se kanë qenë të iniciuara nga interesa dhe motive partiake, nuk kanë qenë asnjëherë në përputhje me të drejtën parlamentare dhe me praktikat e zbatuara në vende të ndryshme europiane. Institucioni i imunitetit parlamentar, si pjesë e mandatit parlamentar, është tashmë institucion tradicional kushtetues, domethënë gjendet i përcaktuar në të gjitha kushtetutat e vendeve demokratike, përfshi edhe Shqipërinë.
Si është i përkufizuar në Kushtetutën e Shqipërisë imuniteti parlamentar?
Imuniteti parlamentar përfshin dy aspekte: i) të papërgjegjësisë (i quajtur imuniteti absolut), dhe ii) i paprekshmërisë (i quajtur imuniteti relativ). Papërgjegjësia penale nënkupton që deputeti nuk ka përgjegjësi ligjore dhe nuk mund të ndiqet për shkak të mendimeve të shprehura ose të votës së dhënë prej tij gjatë ushtrimit të funksioneve të tij parlamentare. Ndërsa Paprekshmëria penale synon të parandalojë që kundër deputetit të bëhen ndjekje penale nga ana e organeve kompetente, për çështje që nuk lidhen me detyrën e tij, pa autorizimin e Parlamentit. Konkretisht këto dy aspekte janë të formuluara në nenin 73 të Kushtetutës në formën: “1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes. 2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet”.
Cila është tendenca në vendet demokratike për sa i përket çështjes së kufizimit të imunitetit?
Në dhjetëvjeçarin e fundit, në mjaft vende europiane ka filluar diskutimi dhe rishikimi i institucionit tradicional të imunitetit, por gjithmonë në aspektin e tij që lidhet me paprekshmërinë, dhe në asnjë rast nuk është vënë në dyshim imuniteti në aspektin e papërgjegjësisë. Kjo është e kuptueshme për faktin se papërgjegjësia ka lidhje të drejtpërdrejtë me kryerjen e funksionit të deputetit.
çfarë konkretisht kufizohet për sa i përket imunitetit?
Përgjithësisht është pranuar në një numër vendesh europiane të kufizohet fusha e veprimit të imunitetit parlamentar. Situata do të ishte shumë komplekse dhe e dyshimtë nëse do të pranohej kufizimi i mbrojtjes për disa vepra të krimit që ndiqen penalisht.
Me çfarë procedure mund të bëhet kufizimi i fushës së veprimit të imunitetit? A duhet ndërhyrë në Kushtetutë?
Gjykoj se kjo duhet bërë vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese. Meqenëse imuniteti parlamentar është i përcaktuar me dispozita kushtetuese, përgjithësisht është pranuar që edhe rregullat për kufizimin e fushës së tij të veprimit të parashikohen në dispozitat kushtetuese, si është vepruar në Francë dhe në Itali. Ekziston dhe praktika e Bundestagut gjerman, ku këto rregulla vendosen në dispozita të nxjerra në zbatim të Kushtetutës (në rregulloren e Parlamentit). Sidoqoftë, siç Komisioni i Venecias ka vlerësuar në rastin e rezolutës për projektligjin e Kuvendit të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese gjermane nuk ka vendosur akoma nëse kjo praktikë parlamentare është e pajtueshme me Kushtetutën. Dyshime ka pasur për këtë çështje edhe në literaturën juridike. Për sa më sipër, për të pasur një zgjidhje të plotë dhe përfundimtare të këtij problemi, për të shmangur çdo lloj dyshimi dhe diskutimi të mëtejshëm, mendoj se ne duhet të zgjedhim procedurën e ndryshimit dhe riformulimit të nenit 73, pika 2 të Kushtetutës. Kjo është rruga e zbatuar në Itali dhe në Francë, përkatësisht në reformat kushtetuese të vitit 1993 dhe të vitit 1995.
Si dhe deri në çfarë niveli mund të kufizohet imuniteti parlamentar?
Thelbi i ndryshimeve të bëra në reformën kushtetuese të vitit 1993 në Itali dhe atë në Francë në 1995, është heqja e autorizimit të Parlamentit për procedimin penal të parlamentarëve. Ky kufizim i imunitetit është thelbësor: paprekshmëria, e cila deri atëherë pengonte fillimin e ndjekjes penale, tashmë mund të zbatohet vetëm në rastet e ndalimit ose vendosjes së masave detyruese, apo të heqjes së lirisë. Në këtë kuptim, organet e drejtësisë e kanë rrugën të hapur për të hetuar dhe gjykuar parlamentarët, njësoj si të gjithë qytetarët e zakonshëm, me ndryshim që deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykatat, ndaj parlamentarëve nuk mund të merren masa ndalimi, detyruese apo të heqjes së lirisë, pa autorizimin e Parlamentit. Këto ndryshime kushtetuese do të duhet të shoqëroheshin gjithashtu me ndryshime të tjera në Rregulloren e Kuvendit dhe në ligjin për statusin e deputetit.
Mendoni se vendosja e bashkëpunimit për imunitetin krijon klimë edhe për zgjidhjen e krizës aktuale?
Këto dy çështje nuk kanë lidhje direkte, por indirekt mund të ndikojnë te njëra-tjetra, qoftë pozitivisht, qoftë negativisht.
#