E Diel, 1 Nëntor 2026

Djali i Faik Myrtaj: Vëllai më tha që do të merrte një jetë Nuk mendova se do të merrte të tijën

Nga Kristaq Thana

Familja e të ndjerit Faik Myrto, një nga 4 viktimat e 21 janarit, po përjeton momente të vështira. Dhimbjes së madhe pas humbjes edhe të djalit të vogël Bardhoshit, i cili u vetëvra, rreth një muaj më parë, i janë mbivendosur edhe probleme shëndetësore dhe financiare.

Në kushtet e krijuara, pas ngjarjes së dhimbshme me Bardhoshin, – familja e përbërë tashmë vetëm nga nëna, djali tjetër Renato dhe bashkëshortja e tij, janë shpërngulur nga fshati Kreshpan dhe kanë ardhur në Fier. “Shekulli” ka biseduar dje nga afër me djalin e të ndjerit Faik Myrto, Renato Myrto.

Renato, u bënë më shumë se 40 ditë nga vdekja e vëllait tuaj dhe rreth 5 muaj nga vrasja e babait më 21 janar. Si e keni ndërtuar tashmë jetën pas këtyre dy humbjeve të tmerrshme për këdo?

Tani kam nënën. Ajo duhet mbajtur afër. Është shumë e tronditur dhe unë e di që duhet të jem vetë shumë i qetë për ta mbajtur edhe atë me kurajë. Duhet të jem me mamanë. Atë kam vetëm nga familja dhe për të bëj gjithçka. Ajo vuan nga zemra, tensioni dhe për këtë e ruaj çdo moment që të mos pësojë ndonjë tronditje.

Si jetoni tani, dua të them, a keni probleme, të ardhura të mjaftueshme?

Jo, aspak nuk janë të mjaftueshme. Nuk dalin paratë për asgjë, as për të jetuar nuk dalin. E kemi shumë, shumë të vështirë. Falënderoj ata që na kanë qëndruar pranë në këto kohë, kryetarin e bashkisë së Fierit, z. Baftjar Zeqaj, dhe veçanërisht Edi Ramën. Ata i kanë qëndruar shumë afër familjes sime edhe pse ata kanë hallet e tyre sot për sot.

Ju mungon vëllai? Cilat kanë qenë kontaktet e fundit me të?

Dëgjo, është një pyetje që unë e kam të vështirë të përgjigjem dhe nuk duhet ta kujtoj, pasi më ngjall një dëshpërim të madh. Por diçka po them. Vëllai ishte person i mbyllur në shoqëri. I vetmi person, me të cilin hapej ishte babai, por ai nuk ishte më. Pas asaj që i ndodhi babit, u bë më i mbyllur. Vdekja e babit atij nuk i hiqej nga mendja. E mbyste dhimbjen me pije dhe cigare.

Pas vdekjes së babit e dendësoi shumë, sidomos pirjen e cigares. Atë ditë kur ndodhi ngjarja isha në Fier. U ndamë në mëngjes herët. I thashë – “do të vish në Fier”, – jo, – më tha, – se kam një punë. Ishte mirë, nuk m’u duk i mërzitur atë ditë. Vij në Fier me një shok. Më mori në telefon pak më vonë më tha që çelësin e valixhes (kishim një valixhe ku mbanim sendet tona personale) e ke te xhepi valixhes. Kishte marrë dhe dajën në telefon. Më pas më mori daja dhe më thotë – “ku je?”. U takuam dhe ikëm lart. Dhe pamë atë që e dinë të gjithë. Kishte vrarë veten… (kapërcehet me zë të dridhur).

Renato, a mendoni se ka një fajtor për vdekjen e vëllait?

Padyshim që ka një fajtor. I njëjti fajtor. Një ditë vëllai më kishte thënë se do të merrte një jetë, por nuk më vinte mendja që do të merrte jetën e tij. E dija se do të hakmerrej me shtetin dhe jo se do të merrte jetën e tij. Pikërisht… Ka një fajtor. Dhe ai është shteti i degjeneruar që ne kemi sot me këtë kryeministër. I kisha thënë që më shtetin nuk hakmerresh dot, sidomos me këtë shtet, i cili të vret…

Mendoni si një ditë do të vihet drejtësi për gjetjen e autorëve të vrasjes së babait tuaj?

Mendoj se një ditë drejtësia do të vihet, por kjo do të ndodhë kur të ikë ky kryeministër që është sot. Jo se nuk kam besim te drejtësia, por atë e drejton ai, institucionet komplet, i drejton ai. Aty ku nuk i drejton dot, i frikëson dhe ata frikësohen, nuk bëjnë punën. Prandaj s’kam besim. Jo vetëm unë, por asnjëri nuk ka besim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›