E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seanca e parë e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 26 majit 1996

Zgjedhjet më të këqija në historinë e Shqipërisë prodhuan një parlament anormal. Opozita vendosi të bojkotojë Kuvendin, por edhe atëherë si tani me rastin Harasani e Islami, ishte një deputet socialist që theu bojkotin për hir të reformave. Fjalimi i Berishës dhe i Pjetër Arbnorit. Kritikat e kreut të Kuvendit për jetën demokratike në vend, por edhe për pushtimin e Kuvendit nga kioskat

Deputetët e PS, Andis Harasani dhe Kastriot Islami vendosën pak ditë më parë të thyejnë bojkotin e opozitës duke marrë pjesë në seancën e parë parlamentare pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, rezultati i të cilave ende nuk është njohur nga opozita, për shkak të procesit të zgjatur për bashkinë e Tiranës. Edi Rama u shpall fitues me dhjetë vota më shumë ndaj Lulëzim Bashës në datën 14 maj, pas numërimit të kutisë së fundit të votave për kandidatët e bashkisë së Tiranës, por rezultati nuk arriti të shpallet në tabelat e KQZ-së, e cila nga ana e saj vendosi të vazhdojë numërimin e votave të cilësuara të kontestuara, duke i dhënë fitoren kandidatit të PD Lulëzim Basha.

Vendimi i dy deputetëve socialistë, të njohur si kundërshtarë të Ramës në PS, duket i ngjashëm me vendimin që mori rreth 15 vjet më parë ish-deputeti socialist Sali Rexhepi, i cili mori pjesë në punimet e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996, rezultatin e  të cilave opozita socialiste nuk e njohu. Menjëherë pas vendimit për të thyer bojkotin, Sali Rexhepi u përjashtua nga partia.

Situata pas zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996 ishte e tensionuar. Në 28 maj, opozita socialiste dhe aleatët e saj organizuan një miting të madh në sheshin Skëndërbej, ku policia e shtetit përdori forcën për shpërndarjen e mitingut duke dhunuar protestues dhe drejtues të opozitës socialiste. Disa deputetë të opozitës shpallën grevë urie me iniciativën e PAD e PSD, të cilës u bashkuan edhe deputetë të PS. Pak kohë më pas komuniteti ndërkombëtar shprehu kritika të forta për këto zgjedhje duke i cilësuar të manipuluara, megjithatë parlamenti u mblodh me nxitim në seancën e parë plenare, në 1 korrik të 1996, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve. Gjithashtu qeveria Meksi 2 mori menjëherë votëbesimin në parlament. Në seancën e parë munguan deputetët e opozitës, duke përjashtuar deputetin Sali Rexhepi. Bashkë me deputetët e mazhorancës ai bëri betimin si deputet, dhe vazhdoi të mbante këtë mandat përgjatë një viti, aq sa ishte edhe jetëgjatësia e këtij parlamenti. Sali Rexhepi foli për herë të parë në kuvend kur debatohej mbi liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Për të sjellë në vëmendje situatën paszgjedhore në korrik të vitit 1996, publikohet më poshtë seanca e parë parlamentare, e drejtuar nga deputeti më i vjetër i asaj kohe Sabri Godo, përshëndetja e presidentit të atëhershëm Sali Berisha drejtuar këtij parlamenti, si dhe pjesë nga seanca parlamentare, ku miratohej qeveria Meksi. Botohet fjalimi i ish-kryetarit të Kuvendit, të ndjerit Pjetër Arbnori, në fjalimin e të cilit pasqyrohet situata e acaruar politike e krijuar pas zgjedhjeve të 26 majit, por edhe mangësitë e qeverisjes së demokratëve, vështirësitë që Arbnori parashikonte për të ardhmen. Duke shprehur shqetësimin për rrethimin e parlamentit nga kioskat, Arbnori shpreh kritikat e tij për qeverisjen e mazhorancës demokrate në katër vitet që kishin kaluar.

Seanca e datës 01.07.1996

Sesioni 1-rë i Legjislaturës XIV

(Seancën e hapi z. Sabri Godo, një ndër deputetët më të moshuar)

(Duartrokitje)

Sabri Godo – Zotërinj deputetë!

I nderuar zoti President!

Dhjetë deputetët më të moshuar, më ngarkuan mua të hap dhe të drejtoj këtë seancë të parë të legjislaturës së re të Kuvendit Popullor.

Uroj punë të mbarë me besimin se ky Kuvend do të hartojë ligjet që dëshiron populli, në mbrojtje të kombit, të lirive të individit, të demokracisë pluraliste dhe të prosperitetit ekonomik dhe shoqëror.

Uroj që ndërmjet nesh të zotërojë fryma e mirëkuptimit dhe e tolerancës, duke mënjanuar gjithnjë më tepër ndërhyrjet partiake dhe për ta bërë këtë Kuvend vatrën e madhe të pajtimit kombëtar.

Pavarësisht nga ngjarjet që paraprijnë, Kuvendi duhet të kërkojë rrugët për zgjidhjen e problemeve të ngutshme që përjetojmë, gjë që mund të arrihet nëse secili nga ne dhe të gjithë bashkë do të mbajmë me nder detyrimet e deputetit.

Këtu duhet të flitet e vërteta dhe politika duhet të jetë mjet i marrëveshjes qytetare për qeverisje të përbashkët. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se jemi nën vëzhgimin kritik të popullit, si dhe të demokracive të Perëndimit, që po tregojnë një kujdes dashamirës ndaj Shqipërisë.

Në këtë Kuvend mungon sot opozita e majtë, përfaqësuar nga Partia Socialiste. Do të ishte e udhës që deputetë të kësaj partie të ndjekin rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe të zinin këtu vendet e tyre.

Mosmarrëveshjet, sado të vështira qofshin, mund të zgjidhen vetëm me dialog të hapur dhe Kuvendi, ndër të tjera, jep mundësinë e dialogut. Besoj se do të procedojmë shpejt në rizgjedhjen e strukturave parlamentare, duke bërë hapin e parë për funksionimin e rregullt të institucionit më të lartë të kombit.

Edhe një herë urime, punë të mbarë në Kuvend dhe lumturi në jetën e secilit!

(Duartrokitje)

Zotërinj deputetë, ju ftoj të ngrihemi në këmbë për të kënduar Himnin Kombëtar.

(Dëgjohet Himni Kombëtar)

Kam kënaqësinë t’i jap fjalën zotit President për mesazhin që do t’i drejtojë Kuvendit.

(Duartrokitje)

Sali Berisha – Të nderuar deputetë!

Fillimi i punimeve të legjislaturës së re më jep rastin t’i shpreh parlamentit shqiptar dhe ju, ligjvënësve të zgjedhur me votën e lirë, nderimet e mia më të thella dhe t’ju uroj suksese në punën tuaj fisnike.

Me këtë mesazh unë dëshiroj të shpreh bindjen time se parlamenti i ri shqiptar, që doli nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 26 majit, do të vazhdojë me përkushtim rrugën e nisur nga parlamenti i mëparshëm dhe do të përmbushë me nder misionin e tij historik në këtë fund shekulli.

Ky parlament do t’i japë vendit ligjet që i mungojnë dhe do të përsosë ligjet e reja, në mënyrë që Shqipëria të hyjë në vitet 2000, me një kuadër të plotë dhe më të përsosur të shtetit ligjor, institucioneve dhe ligjeve të tij.

Ky parlament, me veprimtarinë e tij, kontrollin e tij mbi ekzekutivin, do të japë ndihmesën e tij të madhe në përsosjen e qeverisjes në Shqipëri, konsolidimin e institucioneve të reja, zbatimin rigoroz të ligjit.

Parlamenti i ri, me ligjet dhe tërë veprimtarinë e tij, do të ketë rol përcaktues në zbatimin në Shqipëri të programit elektoral të Partisë Demokratike, nga vënia në jetë e të cilit do të fitojnë njëlloj të gjithë shqiptarët.

Parlamenti i ri, me ligjet e reja që do të miratojë, do të zgjerojë e konsolidojë hapësirën e tregut dhe të lirisë dhe do të jetë shtyllë kryesore e dinjitetit, sovranitetit kombëtar të Shqipërisë.

Ai nëpërmjet ligjeve dhe procedurave tërësisht demokratike do t’i japë vendit tërë sistemin ligjor dhe institucional të modelit evropian që do të përbëjë infrastrukturën e vërtetë ligjore të integrimit të plotë të Shqipërisë në Evropë.

Parlamenti i ri shqiptar, me lidhjet e fuqishme që do të krijojë me parlamentet e vendeve mike në rajon, në Evropë dhe në botë, si dhe me institucionet parlamentare ndërkombëtare, me ratifikimin e marrëveshjeve traktateve dhe konventave të bashkëpunimit me vendet mike dhe institucionet ndërkombët

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›