Nënkampionë të korrupsionit

Hasan Preteni foli troç. Ai kosovarëve u tregoi se në këtë vend ka korrupsion me bollëk. Në fakt kjo duket të mos jetë ndonjë risi. Por, që situata të jetë edhe më keq, Preteni tha se Qeveria ndodhet në vendin e dytë për nga niveli i korrupsionit. Kundër saj janë paraqitur 44 denoncime.
Kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) sqaroi se lufta ndaj kësaj dukurie nuk ka shënuar rritje. “Vetëm me miratimin e disa ligjeve mund të themi se ka përparim”, u shpreh Preteni në një konferencë për media, në të cilën paraqiti raportin e punës së AKK-së për vitin 2010.
Këtë dokument tha se ia ka dorëzuar një javë para afatit ligjor edhe Kuvendit të Kosovës. “Korrupsioni po sofistikohet dhe po bëhet gjithnjë e më vështirë të luftohet”, u ankua ai. Preteni deklaroi se fusha e prokurimit të tenderëve është kthyer në pikën ku përfitohet më së shumti në mënyrë të paligjshme. Kjo, sipas tij, bëhet për shkak të presioneve që u bëhen zyrtarëve të institucioneve që nuk kanë shumë njohuri për teknologjinë dhe u mbushet mendja nga të tjerët se duhen blerë pajisje.
“Në depot e institucioneve ka plot mjete teknike që nuk përdoren kurrë”, tha Preteni, duke lavdëruar punën e institucionit që drejton. “Me kërkesë të një ministrie, që ne të asistojmë në disa tenderë, kemi arritur të evitojmë disa miliona euro që të mos keqpërdoren”, u shpreh Preteni, i cili në pyetjen e Expressit sqaroi se bëhet fjalë për Ministrinë e Administratës Publike.
Për vitin 2010, bashkëpunimin me organin e akuzës, Hasan Preteni e konsideroi të mirë, por me theks të veçantë përmendi kohën prej kur është bërë riemërimi. Në konferencë të pranishëm ishin edhe zyrtarët e EULEX-it, të cilët thjesht dëgjuan, por Preteni tha se edhe me policinë e tyre, ashtu sikurse edhe me atë vendore, bashkëpunimin e ka në nivel.
Por, Qeveria nuk është e vetme në top listën e AKK-së si më e korruptuara. Në klasifikimin e AKK-së del se kompanitë publike në vend, të cilat Preteni i cilësoi me status të pazgjidhur ligjor, për vitin që shkoi i prijnë kësaj liste. I pyetur nga Express se cilat janë këto kompani, kreu i AKK-së tha se nuk flet me emra të përveçëm. Por, ai nuk ngurroi të tregojë se pas kompanive publike dhe Qeverisë, vendin e tretë si më i korruptuari është pushteti lokal me 28 raste. Pas saj, duket se nuk ka se si të punojnë edhe gjykatat, që në listën e AKK-së radhiten të katërtat me 17 denoncime. Sa për ndjekjen e atyre që dyshohen se janë korruptuar, Preteni përmendi disa fakte. Kështu, për vitin 2010, Preteni tha se AKK-ja ka paraqitur në prokurori 29 raste, të cilat në vetvete përfshijnë 101 persona të dyshuar në përfshirje të aferave korruptive. Niveli i këtyre personave, që janë duke u hetuar, është i ndryshëm. “Ka nga postet e ministrave e deri te drejtorët e niveleve komunale”, tha ai.
Në fakt, sipas Pretenit, gjatë vitit që shkoi në këtë agjenci, e cila për të kryer punën e vet ka shpenzuar 427 mijë euro, janë paraqitur 430 raste. Por, pasi janë shoshitur denoncimet, prej këtyre rasteve, zyrtarët e AKK-së kanë parë se në 139 prej tyre janë gjetur elemente të veprës penale.
Pasi janë verifikuar dhe kompletuar, AKK-ja i kë dërguar në prokurori plot 29 raste, të cilat në përgjithësi kalojnë vlerën e 10 milionë eurove, që dyshohet se janë përfshirë në vorbullën e korrupsionit.
”Këto raste kanë të bëjnë me vepra penale nga Kodi Penal, shpërdorim i detyrës zyrtare, autorizimet, nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, falsifikim i dokumenteve zyrtare, marrja e ryshfetit, lidhje e kontratave të dëmshme, arkëtime dhe pagesa të paligjshme. Vlera materiale e lëndëve të përcjella në prokurori e kalon 10 milionëshin”, tha Preteni.
Në tërë këtë situatë të zymtë, së paku ka një gjë pozitive. Hasan Preteni e pranoi se gjatë punës së AKK-së nuk ka pasur presione as nga Qeveria dhe as nga individë të caktuar.
Sa për deklarimin e pasurisë së Presidentit të vendit, Behgjet Pacolli, drejtori Hasan Preteni siguroi se ndryshe nga hera e kaluar, kur biznesmeni i njohur ishte vetëm deputet dhe me mirëkuptim nuk i është publikuar formulari i deklarimit të pasurisë, kësaj here sqaroi se gjithçka do të bëhet publike.
Të gjithë ata zyrtarë që kanë marrë detyrat e reja në sistemin publik, afatin e fundit për deklarim të pasurisë e kanë 22 prillin.
Hasan Preteni tha se numri i zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë është në rritje, rreth 1 mijë e 560 veta, duke u bërë kjo praktikë që të gjithë të presin ditën e fundit për ta kryer këtë obligim ligjor.
EULEX: Korrupsioni, problem kryesor në Kosovë
Me rastin e prezantimit të raportit vjetor 2010 të Agjencisë kundër Korrupsionit, George Mills, këshilltar i EULEX-it për çështje kundër korrupsionit, ka bërë të ditur se ky mision mbështet raportin vjetor të Agjencisë... dhe është i gatshëm që të mbështetë të gjitha përpjekjet e tyre dhe të institucioneve të Kosovës për çrrënjosjen e korrupsionit. “Korrupsioni mbetet problemi kryesor në Kosovë dhe, si i tillë, vazhdon të sfidojë sundimin e ligjit. EULEX iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të raportojnë aktivitetet e dyshimta për korrupsion tek Agjencisë kundër Korrupsionit”, thuhet në deklaratën e Mills.
Denoncimet
Nga 201 kallëzime penale të bëra nga AKK-ja në këto vite të funksionimit, Preteni tha se 44 raste kanë përfunduar në Prokurorinë e EULEX-it, 157 në institucionet vendore në nivele të ndryshme. Nga ky numër i përgjithshëm i kallëzimeve penale, në 59 raste flitet për qeverinë, 48 raste ndërmarrjet publike, në 45 raste gjykatat, në 43 raste pushteti lokal, në pesë raste prokuroria dhe një rast ka qenë për Kuvendin e Kosovës.
Rezultatet
Informatat kthyese nga prokuroritë janë se 86 raste hetohen në aspektin penal, 11 raste konkrete arrestime dhe ngritje aktakuzash, 61 raste janë hedhur poshtë dhe në 43 raste nuk ka informacion kthyes. Ndërsa numri i përgjithshëm i zyrtarëve të përfshirë në këto 201 kallëzime penale kalon mbi 650 zyrtarë.