E Diel, 1 Nëntor 2026

Djali i aktorit tenton vjedhjen e makinës së diplomatëve

 

TIRANE - I dënuar edhe më parë për vjedhje, djali i aktori të njohur është arrestuar sërish në Tiranë. Këtë herë Iliad Malka, 28 vjeç, ka përfunduar në pranga, pasi është kapur duke tentuar të vjedhë një makinë të përfaqësive diplomatike. Sipas burimeve nga policia, Malka është ndaluar nga një patrullë policie në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në momentin që po hipte në një makinë tip "Benz" me targë "CD", e cila i përkiste Ambasadës Hungareze në Tiranë. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia e kryeqytetit bëhet e ditur se Iliad Malka, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, është ndaluar nga efektivat e Komisariatit Nr.2, të cilët konstatuan vjedhjen. Menjëherë policia mundi të ndalonte të riun, i cili u shoqërua në ambientet e komisariatit. Burime nga policia thanë se automjeti tip "Benz" ndodhej i parkuar te kryqëzimi i bulevardit "Dëshmorët e Kombit" me rrugën "Abdyl Frashëri". Teksa e ka parë makinën e parkuar në errësirë, 28-vjeçari ka tentuar ta hapë me një çelës ekzagon, por në atë moment është pikasur nga policia. Në atë moment patrulla e policisë i është afruar dhe e ka arrestuar në flagrancë. Kanë qenë shërbimet e policisë që kanë vënë re skenën e ngjarjes dhe menjëherë kanë vendosur të ndërhyjnë. Patrulla e policisë së kryeqytetit mësohet se ka qenë duke lëvizur në afërsi të vendit të ngjarjes në momentin kur është vënë re tentativa e 28-vjeçarit për të vjedhur makinën. Grupi i policisë ka ndërhyrë duke arrestuar në flagrancë të dyshuarin, si dhe duke kërkuar kontakt me pronarin e automjetit, me qëllim që të bëhej konfirmimi për mbylljen pa pasoja të ngjarjes. Policia tha se ka dokumentuar tentativën e vjedhjes dhe më pas ka marrë në pyetje autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili nuk ka pranuar akuzën. Ai mësohet se ka hedhur poshtë pretendimin se ishte duke vjedhur automjetin. Pavarësisht qëndrimit të mbajtur nga i arrestuari policia mësohet se ka nisur në Prokurori dosjen penale në ngarkim të 28-vjeçarit Malka. Ai pritet të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë për akuzën e vjedhjes.            e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›