Kërcënohet me jetë djali i gjyqtarit të bandës së Lul Berishës
Mbrojtje fizike nga policia gjyqtarit të Krimeve të Rënda pas kërcënimeve në drejtim të tij. Sipas burimeve të rezervuara bëhet fjalë për gjyqtarin Gurali Brahimllari, i njëjti gjyqtar që kryeson procesin gjyqësor në ngarkim të akuzuarve si anëtarë të "bandës së Durrësit". Burime jozyrtare të Policisë së Shtetit konfirmuan dje për gazetën "Panorama", se gjyqtari Brahimllari dhe disa prej gjyqtarëve të tjerë të Krimeve të Rënda janë marrë në mbrojtje nga policia. Shkak për këtë është bërë kërcënimi në drejtim të kolegut të tyre, nga persona ende të paidentifikuar. Mbrojtja fizike për gjyqtarët dhe familjet e tyre ka filluar që prej rreth një jave, ndërsa kërcënimi në drejtim të togës së zezë është mbajtur në konspiracion të plotë. Nuk bëhet e ditur nëse kërcënimi ka lidhje me ndonjë nga çështjet në të cilat gjyqtari Brahimllari është pjesë e trupës gjykuese. Vetë gjyqtari i Krimeve të Rënda nuk ka pranuar se është kërcënuar. I kontaktuar nga "Panorama", gjyqtari mohoi që ai apo të afërm të tij të kenë marrë kërcënime. Ndërsa për mbrojtjen gjyqtari Brahimllari u shpreh se, "të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda mbrohen nga shteti".
KERCENIMI
Ngjarja pas së cilës është urdhëruar vënia në mbrojtje e gjyqtarëve ka ndodhur pak ditë më parë. Sipas burimeve, kërcënimi nuk i është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë gjyqtarit Brahimllari, por nëpërmjet një të afërmi të tij. Mësohet se persona të panjohur për të kanë kontaktuar me një të afërm madhor të gjyqtarit (djali) duke dërguar "mesazhin" në drejtim pjesëtarit të Krimeve të Rënda. Menjëherë pas evidentimit të këtij fakti nga organet kompetente janë marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e gjyqtarit. Gjithashtu për arsye sigurie, mbrojtje u është garantuar edhe disa gjyqtarëve të tjerë, të cilët janë pjesë në të njëjtat trupa gjykuese me Brahimllarin. Urdhri për mbrojtjen e gjyqtarëve ka ardhur nga ministria e Brendshme.
HETIMI
Ndërsa lajmi për marrjen në mbrojtje të gjyqtarëve ende nuk ishte bërë publik, pak ditë më parë policia ndaloi dy persona përpara godinës së Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sipas burimeve zyrtare të policisë, të kontaktuara atë ditë, bëhej fjalë thjesht për një shoqërim rutinë verifikues. Dëshmitarë okularë të shoqërimit të dy personave, të dy në moshë të re, sqaruan se ndërhyrja policore ishte e tipit "blic" dhe se nuk ngjasonte aspak me një "shoqërim të thjeshtë". Ndërsa burime të tjera pohuan se personat e shoqëruar dyshohej të kishin lidhje me kërcënimet e bëra në drejtim të gjyqtarit. Bëhet e ditur se pas disa orësh në polici dy të rinjtë janë liruar, ndërsa për ta vazhdon hetimi në gjendje të lirë. Ajo që është lehtësisht e dukshme është që masat e sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda janë shumëfishuar gjatë ditëve të fundit. re.kr
"Banda e Durrësit", dështon sërish
Procesi gjyqësor në ngarkim të personave të akuzuar si anëtarë të "bandës së Durrësit" nuk ka mundur të zhvillohet dje tek Krimet e Rënda. Edhe këtë radhë shkak i shtyrjes kanë qenë mungesa e disa prej avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Seanca e djeshme është zhvilluar me dyer të mbyllura, si rezultat i një vendimi të gjykatës marrë disa seanca më parë. Dy seanca më parë, gjykata vendosi vijim të seancës pa praninë e publikut, për shkak të dëshmisë që do të jepte i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Adriatik Coli.