E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djali i nënkampiones së Europës, plagos me thikë vëllezërit

Policia shpall në kërkim Kladi Kodrën, djalin e qitëses së njohur Lindita Kodra, si autor të dyshuar të plagosjes së rëndë


Vëllezërit Klejdi e Renald Çeço, u goditën me thikë për shkak të një grindjeje të dy viteve të shkuara me të dyshuarin


TIRANE- Djali i qitëses nënkampione të Evropës, plagos me thikë dy vëllëzër nga Lapraka, pas një grindjeje që ata kishin pasur dy vite të shkuara në kryeqytet. Vëllezërit nga Lapraka mbetën të plagsour rëndë me thikë dje në mbrëmje në rrugën "Irfan Tomini", në afërsi të shkollës 9 vjeçare "Vasil Shanto", pas një grindjeje që sipas policisë kishte ndodhur për motive banale.


Si autor të dyshuar të ngjarjes, policia identifikoi dhe shpalli në kërkim menjëherë pas ngjarjes, Klajdi Kodrën 20 vjeç, banues po në Laprakë, djali i qitëses së njohur shqiptare Lindita Kodra.


Renald dhe Klejdi Çeço, përkatësisht 18 dhe 22 vjeç, morën plagë të rënda në trup nga goditje me thikë, pas një grindjeje në afërsi të shkollës "Vasil Shanto". Menjëherë pas ngjarjes, autori u largua me shpejtësi ndërsa dy të plagosurit u dërguan në spitalin ushtarak për t'iu dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore.


Pas ndihmës së dhënë nga mjekët, mësohet se gjendja e tyre ka qenë e rëndë, por se sipas burimeve, ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe po mbahen nën vëzhgimin e mjekëve në sallën e reanimacionit. Ndërkaq, policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, për të nisur hetimin dhe për të zbardhur motivet e sakta të krimit.


Policia gjatë këqyrjes së vendit të krimit, administroi gjurmë të ndryshme gjaku si dhe prova të ndryshme që sipas policisë dhe hetuesve ishin të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes. Ende nuk dihen motivet sakta të krimit të rëndë, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes, mësohet se është djali i nënkampiones së Evropës, qitëses Lindita Kodra.


Policia dyshon se shkak për konfliktin mes tyre ka shërbyer një grindje e para dy viteve mes dy vëllezërve dhe djalit të qitëses, 20- vjeçari Kodra. Dje djali i qitëses sapo ka parë dy vëllezërit me të cilët ishte zënë dy vite më parë, është sulur në drejtim të tyre duke i goditur ata disa herë në trup.


Nga goditjet vëllezërit morën plagë të rënda, por për fatin e tyre të mirë, ata nuk u rrezikuan dhe pas ndërhyrjes së mjekëve e kaluan rrezikun për jetën. Këta të fundit gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e komisariatit të Policisë nr.2, deklaruan se ishin sulmuar nga Klajdi Kodra, 20- vjeçari, i cili sipas burimeve të policisë është banor i Laprakës ashtu si edhe dy vëllezërit. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia me akuzën e vrasjes së dyfishtë e mbetur në tentativë, me pasojë plagosjen e dy vëllezërve Çeço,.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›