PS: Miku i djalit të Berishës, aksioner me Arian Tartarin

Partia Socialiste publikoi dje dokumente që vërtetojnë se Rrahman Selmanllari është aksioner i Vision Construction sh.p.k., kompani në bashkëpronësi të bashkëjetuesit të Albana Vokshit
TIRANË - Partia Socialiste publikoi dje dokumente të tjera të cilat, sipas tyre, hedhin hije të rënda dyshimi, mbi heshtjen e zgjatur të Sali Berishës në lidhje me konfliktin e interesit dhe aferat e korrupsionit që kanë ngritur këto javë për Albana Vokshin.
Në vrazhdën e denoncimit të aferave korruptive, që lidhen me Qeverinë, nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Eduard Shalsi, sqaroi për vëmendjen e publikut një biznes, Vision Construction sh.p.k., kompani në bashkëpronësi të zotit Tartari dhe të një emri të njohur si për opinionin publik ashtu edhe për Kryeministrin. "Rrahman Selmanllari, i njohur ndryshe si miku i ngushtë i djalit të Berishës, apo edhe si përfaqësuesi i interesave të biznesit të familjes Berisha, pra rezulton të jetë aksioneri tjetër i kësaj kompanie.
Dhe këtu duket bashkëpunimi mes të dy aksionerëve. Emrin e Selmanllarit opinioni publik e kujton shumë mirë si një person të përfshirë drejtpërdrejt në Gërdec, Orikum apo në shumë afera të tjerë pronash e biznesi në të gjithë Shqipërinë", -deklaroi Shalsi.
Deputeti socialist bëri të ditur se objekti i biznesit i kësaj firme është "tregtimi i karburanteve dhe vajrave lubrifikuese," të cilat prodhohen nga fushat e naftës e gazit që i janë falur koncesion nga Sali Berisha, Arian Tartarit për llogari të firmës së tij Stream Oil. Ai tha se nuk mund të shmangesh dot pikëpyetjet në lidhje me bizneset e bashkëjetuesit të Vokshit me shokun e Shkëlzen Berishës.
"A i janë dhënë koncesionet Tartarit, apo është ai një fasadë për të fshehur përfshirjen e drejtpërdrejtë në biznese korruptive të anëtarëve të familjes në pushtet? A është heshtja e Kryeministrit e detyruar nga përfshirja e drejtpërdrejtë e tij e familjes së tij në këto afera korrupsioni?
Opinioni publik mund të gjykojë vetë", -ngriti pyetjen nënkryetari i Grupit të PS. Nga ana tjetër, vijoi Shalsi, ky fakt ngre gjithashtu shumë dyshime në lidhje me reagimin e munguar të Sali Berishës që nga publikimi i fakteve në lidhje me koncesionet për burrin e ish-këshilltares së tij.
Partia Socialiste kërkoi nga palët e përfshira t'i sqarojnë publikisht pyetjet që dalin nga kjo lidhje e cila duket se ka përfshirë pushtetin në një rrjet korrupsioni me biznesin. Në të kundërt, theksoi deputeti i PS, heshtja e tejzgjatur e pushtetit në lidhje me këto afera mund të interpretohet si pranim faji nga ana e tij. Prej kohësh selia rozë ka ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me aferat korruptive që lidhen me Qeverinë.
Deri më tani, socialistët kanë publikuar dy skandale korruptive që lidhen me ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti dhe deputeten e Partisë Demokratike, Albana Vokshi. Për të dyja këto raste, opozita ka kërkuar hetimin e ngjarjes dhe dhënien e shpjegimeve nga ana e zyrtarëve të mazhorancës lidhur me pasurimin e tyre. Krahas kësaj, Partia Socialiste ka bërë të ditur se do të vazhdojë të publikojë të tjera skandale që lidhen me implikimin e zyrtarëve të mazhorancës me afera korruptive.
AFERA
"Rrahman Selmanllari, i njohur ndryshe si miku i ngushtë i djalit të Berishës, apo edhe si përfaqësuesi i interesave të biznesit të familjes Berisha, pra rezulton të jetë aksioneri tjetër i kësaj kompanie. Dhe këtu duket bashkëpunimi mes të dy aksionerëve.
Emrin e Selmanllarit opinioni publik e kujton shumë mirë si një person të përfshirë drejtpërdrejt në Gërdec, Orikum apo në shumë afera të tjerë pronash e biznesi në të gjithë Shqipërinë", -deklaroi Shalsi.
Referuar dokumenteve zyrtare, bashkëjetuesi i deputetes së PD bën pjesë në disa kompani
Arian Tartari, aksioner në pesë shoqëri
Bashkëjetuesi i deputetes demokrate Albana Vokshi është aksioner në pesë kompani. Arian Tartari, ka në pronësinë e tij gjashtë milionë aksione ose pak më shumë se 10% të vlerës së kompanisë "STREAM OIL & GAS LIMITED", të cilat bazuara në vlerën e aksioneve në bursën e Toronto Stock Exchange vlejnë 3,78 milionë dollarë.
Nisur nga dokumentacioni zyrtar, Arian Tartari rezulton të jetë përfaqësues edhe në shoqëri ndërtimi, turizëm apo dhe të eksport importit. Ai rezulton të jetë përfaqësues i shoqërisë "VISION CONSTRUCTION". Kjo kompani është krijuar në vitin 2007 dhe operon në fushën e ndërtimit, prodhim materiale ndërtimi, tregti mallrash të ndryshëm etj,.
Një tjetër kompani ku Tartari bëhet aksioner vetëm një vit më vonë është "TREVI Group" dhe ka objekt të punës së saj punime dheu, sistemime, ndërtime civile, vepra arti, tregti artikuj të ndryshëm. Duket se jashtë vëmendjes së tij nuk janë as ndërtimi i ujësjellësve dhe kanalizimet.
Referuar dokumentacioneve, bashkëjetuesi i Albana Vokshit rezulton të jetë i përfshirë dhe në shoqërinë "ART - CONSTRUCTION", ku objekti kryesor i veprimtarisë së saj është pikërisht kjo fushë. Një tjetër shoqëri ku Tartari rezulton të jetë aksioner është "ALBAENERGIAPLUS" sh.p.k
I njohur si miku i ngushtë i djalit të Kryeministrit, pjesëmarrës në Gërdec, tokat në Orikum etj.
Kush është Selmanllari, bizneset për të cilat shenjëstrohet
Rrahman Selmanllari, i njohur si miku i ngushtë i djalit të Kryeministrit të Shqipërisë, Shkëlzen Berisha, është shenjëstruar shpeshherë në vëmendjen e medias për pjesëmarrje në biznese të rëndësishme.
Krahas kësaj, kritika më të mëdha bëhen nga Partia Socialiste, që e akuzon atë për lidhje me Qeverinë, duke e akuzuar deri në sekser i Shkëlzen Berishës. Ngjarjet më të fundit ku është i përfshirë Selmanllari ka të bëjë me çështjen e fabrikës së demontimit të Gërdecit, shitjen e fishekëve drejt Afganistanit dhe konfliktin e pronave në Orikum të Vlorës.
Emri i Rrahman Selmanllarit, nuk është lakuar vetëm për trafikun e fishekëve drejt Afganistanit, por edhe për fabrikën e vdekjes në Gërdec. Kohë më parë, gjatë kontrolleve në zyrën e MEICO-s, përfaqësuesit e prokurorisë kanë sekuestruar një autorizim në emër të Selmanllarit, ku i ngarkohej të kthente ish-repartin e tankeve në një fabrikë demontimi municionesh në Gërdec.
Kompania amerikane "Southern Ammunition Company", ose e njohur si SAC, me president Patrick C. Henry III përfaqësohej në Shqipëri nga miku i ngushtë i djalit të kryeministrit, biznesmenit "në hije", -Rrahman Selmanllari. Në autorizimin e firmosur nga presidenti i SAC-it, përfaqësuesi Selmanllari, kishte të gjitha të drejtat për zbatimin e drejtë të kontratës mes kompanisë SAC dhe "Albademil" me president Mihal Delijorgjin, në lidhje me çmontimin e municioneve të lehta, duke u bazuar në kontratën e parë të firmosur qershorin e vitit 2007 mes MEICO-s dhe SAC-it.