Djeg për hakmarrje shtëpinë e bashkëfshatarit
Fran Preçi u ndalua pasi i vuri flakën dyerve të shtëpisë së Ndoc Gasprit, pas një grindjeje që kishin pasur
Shkodër-Një 65-vjeçar ka spërkatur me benzinë dhe më pas i ka vënë zjarrin dy dyerve të banesës së një bashkëfshatari të tij, në fshatin Spathar, në Vaun e Dejës në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 02.00, duke u gdhirë dita e djeshme, kur Ndoc Gaspër Gaspri, 65-vjeç, ka hyrë në oborrin e banesës së Fran Ndoc Preçit, në Spathar dhe ka spërkatur me benzinë dyert e jashtme të banesës në dy katet e saj dhe më pas u ka vënë flakën. Ka qenë një ndër 5 pjesëtarët e familjes Preçi që ka konstatuar gjithçka në kohë dhe së bashku me anëtarët e tjerë të familjes kanë ndërhyrë menjëherë për shuarjen e zjarrit, i cili për fat nuk ka shkaktuar dëme të mëdha. Për këtë janë angazhuar dhe fqinjët e tyre, ndërsakryeplaku i fshatit ka lajmëruar menjëherë specialistin e policisë së zonës. Janë dëmtuar vetëm dy dyer dhe një divan që ndodhej pranë njërës prej tyre, por nuk ka qenë e nevojshme lajmërimi i zjarrfikëseve për të ndërhyrë, pasi zjarri është shuar me mjete rrethanore. Policia ka marrë informacion për një konflikt që pasditen e kaluar kishte pasur djali i Fran Preçit me Ndoc Gasprin. Familjarët e tij i kanë pohuar specialistit të policisë se e kishin parë që 65-vjeçari kishte blerë shishe plastike me benzinë dhe i kishte lënë në barakën pranë shtëpisë. Mësohet se 65-vjeçari ka pohuar se ai ka dashur ta djegë shtëpinë e bashkëmoshatarit të tij, për t'u hakmarrë për grindjen që kishte pasur. Autori është ndaluar nga policia menjëherë dhe gjatë kontrollit, në oborrin e banesës së dëmtuar janë gjetur dhe katër shishe plastike 1.5 litërshe që kanë qenë të mbushura me benzinë. Mësohet se autori i kësaj ngjarjeje është person me sjellje jo normale dhe ka shkaktuar dhe here të tjera probleme në zone, por ai as nuk ka qenë i dënuar ndonjëherë dhe as i trajtuar si i sëmurë mendor.