Velipojë, ish kryepleqtë padisin Këshillin e Komunës
Padia: Në këtë këshill nuk u zhvilluan zgjedhjet për kryepleqtë. Ata u emëruan sipas interesave të këshillit
Shkodër- Ish kryepleqtë e disa prej fshatrave të komunës së Velipojës kanë paditur në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër, këshillin e komunës Velipojë. Shkak sipas tyre është bërë shkelja e ligjit për zgjedhjen e kryepleqve, të cilët janë emëruar me qëllim mbrojtjene interesave të këshillit të komunës, sidomos në procesin e ndarjes së tokave. Në seancën e djeshme, pala paditëse, kryepleqtë e mëparshëm të fshatrave Baks–Rrjoll, Pulaj, Sektor Velipojë, Luarzë, të pranishëm në gjyq dhe të përfaqësuar nga avokati Mark Marku kanë kërkuar anulimin e vendimit nr 71 të datës 15.11.2007, të këshillit të komunës Velipojë, me argumentin se ai është një vendim fiktiv. Drejtuesi i seancës gjyqësore, Abdri Ymeri ka kërkuar paraqitjen e provave nga pala paditëse, të cilët kanë dëshmuar se nuk ka pasur asnjë proces zgjedhor për kryepleqtë. Paditësit Bedri Sela, Sandër Viluni, Agustin Martini,Marash Preka, pohuan se i kanë dërguar një letër ankese prefektit të qarkut të Shkodrës, i cili nga ana e tij ka kërkuar nga ana e këshillit të komunës Velipojë zbatim ligjshmërie, por pa i dhënë një përgjigje konkrete ankesës së ish- kryepleqve. Avokati i palës paditëse ka kërkuar nga gjykata që në zbatim të ligjeve në fuqi tëushtrojë kompetencën e saj për të detyruar këshillin e komunës Velipojë që të sjellë aktin e vendimet e marra lidhur me kryepleqtë dhe të gjithë procedurën e ndjekur, kërkesë kjo që paditësve u është refuzuar. Këshilli i komunës Velipojë është përfaqësuar në gjyq nga sekretari Kanto Gjoka. Trupi gjykues ka vendosur detyrimin e palës së paditur për të paraqitur para tij në seancën tjetër gjyqësore gjithë procedurate ndjekura për caktimin e kryepleqve dhe anëtarëve të pleqësisë në fshatrat që kanë bërë ankim, si fletë votimi, lajmërime, njoftime, afishe etj. Sipas banorëve të këtyre fshatrave dhe ish kryepleqve, gjithçka është bërë për të vendosur në krye të tyre njerëz që mund të bëhen pjesë e abuzimeve, sidomos atyre me ndarjen e tokave. Gjovalin Zekaj nga fshati Boks – Rrjoll shprehet se dihen tashmë publikisht problemet me pronësinë e tokës jo vetëm në fshatin e tij, por në të gjithëkomunën e Velipojës.