Djegia e banesës së Hadërajve, nisin hetimet
GJIROKASTËR- Më shumë se 24 orë pas zjarrit të rënë në banesën Monument Kulture të kategorisë së dytë, atë të Hadërajve, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve, që dëmtuan mjaft rëndë një pjesë të mirë të banesës. E ndërsa ende nuk ka një version zyrtar, dyshohet se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm.
Ndërkohë, e gjithë zona është rrethuar, ndërsa drejtues të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare u bëjnë apel banorëve të tregojnë kujdes, për shkak të rrezikshmërisë që mbart godina e djegur. Për banesën e Hadërajve, ne si Drejtori Rajonale e Kulturës Kombëtare kishim një projekt, por me ngjarjen e ndodhur është i domosdoshëm ndryshimi i tij. Pas shuarjes së zjarrit kemi ngritur një grup të posaçëm pune, i cili ka bërë pastrimin dhe rrethimin e zonës.
U bëj thirrje gjithë qytetarëve të tregojnë mjaft kujdes kur kalojnë në këtë zonë, pasi rreziku është evident. Jemi në pritje të përmirësimit të kushteve të motit për të ndërhyrë në lartësi, me qëllim heqjen e rrezikshmërisë, shprehet Spartak Drrasa, drejtor i DRKK. Banesa e Hadërajve, me një moshë 300-vjeçare, u dogj orët e para të ditës së hënë. / Entela Bani