Djegia e fletëve, OSBE shpreh rezerva për vendimin

Dy ditë përpara djegies së fletëve të votimit të 28 qershorit OSBE-ja shpreh rezerva për vendimin e marrë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Në fjalën e tij ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth theksoi se mungesa e disa anëtarëve në mbledhje vë në pikëpyetje vendimin e KQZ-së.
“Kam parë transparencë tek vendimet e KQZ-së por gjithashtu kam vënë re se jo të gjithë anëtarët kanë marrë pjesë në të gjitha mbledhjet, gjatë gjithë kohës. Do të ngrija pyetjen nëse kjo është mënyra më e mirë për të proçeduar. Sepse veçanërisht në çështjet që kanë lidhje me zgjedhjet , me zgjedhjet e kaluara apo me ato të ardhshme është e nevojshme pjesëmarrja e të gjitha palëve dhe vetëm përmes pjesëmarrjes së të gjitha palëve mund të arrihet një nivel i lartë transparence. Nëse do të kishte një urim për vitin 2011 në raport me zgjedhjet do të uroja që të ketë një kontribut konstruktiv nga të gjithë, nga partitë dhe qytetarët” theksoi Wollfarth.
Gjithashtu në prag të zgjedhjeve lokale të 8 majit ambasadori i OSBE-së Ëollfarth ka apelur për bashkëpunim dhe vullnet të mirë mes dy palëve.
"Unë shpresoj që ketë sa më shumë debate dhe duhet të kemi gjithnjë parasysh se për çështje të rëndësishme duhet shumë sens kompromisi dhe shumë vullnet i mirë. Parlamenti është një vend i veçantë ku qeveria takohet me opozitën dhe duhet të përpiqen të gjejnë një zgjidhje të përbashkët. Duke inkurajuar të dy palët unë shpresoj për më shumë debat dhe mirëkuptim” theksoi më tej Wollfarth.
Këto komente ambasadori i OSBE-së Wollfarth i bëri gjatë inagurimit të bibliotekës së re të Kuvendit.