PS: Berisha po kërcënon seriozisht zgjedhjet e ardhshme
Partia Socialiste ka bërë përgjegjës kryeministrin Berisha se nuk zgjidhi krizën politike në vend por e thelloi më tej atë duke mohuar hetimin e zgjedhjeve.
Në një konferencë për shtup deputeti i PS-së Sajmir Tahiri theksoi se kryeministri Berisha duke u mohuar hetimi i zgjedhjeve të kaluara, kërcënohen seriozisht edhe zgjedhjet e ardhshme.
Gjithashtu Sajmiri theksoi edhe lënia jashtë dyerve të Bashkimit Europian të Shqipërisë ka për fajtor kryeministrin Berisha i cili sipas tij ka lënë në baltë Shqipërinë e shqiptarët, për të vjedhur votat dhe pasurinë publike.
“Pushteti i votave të vjedhura nuk ka më asgjë të përbashkët me standardet europiane, por mishëron standarde talebane, duke plaçkitur e vjedhur me babëzinë e korrupsionit, gjithçka në këtë vend i përket popullit” theksoi Tahiri.
Gjithashtu Tahiri duke iu referuar edhe dënimit me 4 vjet të pronarit të kompanisë së armëve AEY Efraim Diveroli theksoi se partneri i biznesit që polli tragjedinë e Gërdecit, u dënua nga një gjykatë amerikane, ndërkohë që autorët shqiptarë të tragjedisë që jo vetëm trafikoi armë e fishekë, por hodhi në erë një fshat të tërë, duke lënë pas mbi 26 viktima, jo vetëm që nuk dënohen por mbahen ministra prej Sali Berishës e familjes korruptive që ai drejton.
“Ky nuk është standard europian, por standardi i qeverisë që vjedh votat për të vjedhur Shqipërinë, duke lënë në baltë shqiptarët e zakonshëm, për të nxjerrë nga llumi i korrupsionit familjarët dhe partnerët e bizneseve të paligjshme të pushtetit” theksoi Tahiri duke shtuar se qeveria është kthyer në një agjenci sekserësh, që trafikon ditën dhe natën, në emër të vet, të ministrave apo ortakërive korruptive, duke përvetësuar gjithçka përbën përfitim të paligjshëm, nga karburantet, energjia, deri te rrëmbimi i pronave të qytetarëve, nga lejet dhe licencat, tenderat e koncesionet, trafiku i plehrave dhe interesave me mafien ndërkombëtare, zhytur në një llum korrupsioni prej nga ka kapur shtetin karteli qeveritar.