E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e gjeneratave të lirisë

03-09-2011 / Nga Gjergj Filipaj

Çdo gjeneratë e ka atë qëllimin final, drejt të cilit me vite të tëra përgatitet duke u brumosur me idealet e kohës së vet. Në të kaluarën jo fort të largët, aty nga fundi i viteve ‘80, ky ideal është definuar përmes të qenit pionier i Titos. E disa vite më pas, në të nëntëdhjetat e flakëruara nga luftërat në ish-Jugosllavi, përmes rezistencës pasive e paqësore ajo është synuar duke bërë pothuajse të pamundurën – sigurimin e ekzistencës lakuriqe përmes mbajtjes gjallë të shpirtit të arsimit në hapësira private. Besoj se gati krejt shqiptarët e Kosovës e dinë se për çfarë e kam fjalën këtu. Po them gati krejt e jo të gjithë, sepse në këtë thes të menduari, nuk dua dhe nuk mund t’i përfshij këto gjeneratat e fundit që kanë lindur dhe janë duke u rritur në një realitet tejet ndryshe prej atij ku jam rritur unë dhe shumë mocanikë të mi, ata më të vjetrit e dinë këtë edhe më mirë se unë. Në vitin 2005, në shkollat kosovare kanë shkelur fëmijët e lindur në vitin 1999, pra kalamaj që nuk e kanë pasur trurin e ngarkuar me atë se si të mbijetojnë duke u privuar nga gëzimi i vajtjes së sigurt në shkollë, loja me shokët e klasës, siç ka ndodhur me jo pak gjeneratat të nxënësve kosovarë, që edhe janë helmuar vetëm pse kanë hyrë në shkolla. Gjenerata e vitit 2005, ia nisi mësimin me shpresën se duke qenë i pari brez i lirisë punët do t’i ecin mirë. Por, ja që sot jemi dëshmitarë të mosrealizimit të kësaj dëshire. Punët nuk kanë ecur mirë as përafërsisht. Mjafton të kujtohet trajtimi i arsimit para-universitar dhe i mësuesve dhe pyetjet e pafundme se çka i mungon arsimit merren lehtë.
Nuk ka nevojë që të hyhet në analiza të thella për të parë sesi janë përgatitur fëmijët në shkolla – jo me faj të mësuesve, as të familjeve, por kryekëput me faj të pushtetit, filloftë ai me L apo P – s’ka fortë rëndësi. Pushteti është gjithmonë i njëjti pavarësisht ngjyrës dhe shkronjës së parë të emrit të partisë. Tani gjashtë vjet më pas shoqëria kosovare ndodhet para një situate goxha të ngjashme, rrezikon “të djegë” edhe një gjeneratë tjetër të kosovarëve të rinj. Gjenerata e dytë e lindur në liri po bëhet gati për shkollë – me pak fjalë po bëhet gati për jetë. Duke qenë se tashmë periudha e emergjencës ka kohë që ka kaluar – “mendjet e ndritura” të pushtetit duhet të mendojnë përtej investimit në tulla, mallter, dritare nëpër shkollat e Kosovës. Ata duhet të mendojnë me mendje të lirë ngase sot ndodhen në liri – nuk jemi më në sistemin paralel, ku gjithmonë e kemi pasur gati emrin e fajtorit. Ngritja shoqërore e pozitës së mësuesve nuk mund të matet vetëm me ngritje pagash – edhe pse rritja e të ardhurave të tyre është më shumë një maskim sesa rritje e vërtetë – mjafton të bëhet hesap inflacioni dhe llogaria del qartë dhe pastër se sa ka ndodhur në realitet rritja e pagave (jo si ajo llogaria e çuditshme e ministrit të Financave).
Edhe mësuesit kosovarë duhet të merren parasysh jo vetëm si grup i shërbyesve civilë, të cilëve u ka ardhur rendi t’iu rriten pagat, por në radhë të parë t’iu rikthehet dinjiteti dhe dashuria për këtë profesion të pafalenderueshëm (ata që japin mësim e dinë fortë mirë këtë). Kështu që jo vetëm familja, shkolla, shoqëria por edhe pushteti (L dhe P) duhet që në mungesë të garantimit të sigurt të punësimit t’iu ofrojë këtyre gjashtëvjeçarëve së paku një aftësim normal për jetë, e kjo bëhet duke investuar në qëllime afatgjata (arsim dhe shëndetësi) e jo thjesht në material ndërtimor qoftë për shkolla dhe autostrada. Ato me kalimin e kohës prishen dhe mund të riparohen lehtë derisa mendja e fëmijëve me t’u mbushur njëherë me informata kote më nuk mund të formatizohet aq lehtë – siç ndodh me pushtetin në Kosovë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›