“Bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve, histori suksesi”
Ministri Eduard Halimi takon Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu. Diskutohen prioritetet themelore të Ministrisë së Drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi priti dje në një takim, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Shkëlqesinë e Tij, Aleksandër Arvizu , i cili i shprehu urimet e rastit Ministrit të Drejtësisë konsideratën, besimin e tij për emërimin e Eduard Halimi në këtë detyrë. Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, falënderoi Ambasadorin për mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë në vite për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në vend si dhe e njohu atë në vijim me qëllimet dhe projektet që do të implementohen në drejtim të përmirësimit të sistemit të drejtësisë. Forcimi i shtetit ligjor, lufta ndaj korrupsionit dhe përmirësimi i infrastrukturës në sistemit e drejtësisë do të jenë pika kyçe të reformës që do të ndërmarrë Ministria e Drejtësisë. Pjesë e këtyre prioriteteve do të jenë të gjithë aktorët e tjerë të sistemit të drejtësisë, veprimtaria e të cilëve ndikon dukshëm në cilësinë dhe mënyrën e administrimit të drejtësisë duke përmbushur synimin për dixhitalizimin e të dhënave dhe akteve në fushën e gjyqësorit, noterisë, përmbarimit, ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, implementimin e sistemit të “Mbikëqyrjes Elektronike” për personat nën masë arresti, apo të dënuar. Kjo pjesë e sistemit të drejtësisë paraqet problematika të ndryshme që kanë peshën e vet brenda sistemit të drejtësisë, prandaj dixhitalizimi dhe infrastruktura e nevojshme do të ndikojnë në rritjen e transparencës, uljen e korrupsionit dhe konsolidimin e shtetit ligjor. Ministri i drejtësisë i kërkoi Ambasadorit mbështetjen për përmbushjen e disa objektivave të tij nëpërmjet projekteve të USAID, ne veçanti në kuadër të projektit JuST. Ambasadori Arvizu në takim vuri theksin në çështjen e luftës kundër korrupsionit, transparencës dhe imunitetit e cila është një çështje themelore, që kërkon vëmendjen e duhur. Ambasadori shprehu vlerësimin e tij për progresin e bërë deri më tani në sistemin e drejtësisë dhe njëkohësisht vuri në dukje që njerëzve duhet t’u tregojmë që progresi do të vazhdojë hap pas hapi. Infrastruktura e gjykatave dhe reforma gjyqësore sa i përket regjistrimit të gjykimeve, reformë e cila mbështetet nga projekti JuST do të sjellin konsolidimin e shtetit të së drejtës, i cili është një nga fushat ku Shtetet e bashkuara kanë fokusuar mbështetjen e tyre për Shqipërinë. Ambasadori Arvizu u angazhua se do t’i konsultoje me stafin e tij dhe do të jenë objekt i një takimi tjetër shumë të afërt të gjitha projektet e Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkesat e saj për asistencën amerikane.
...