E Shtunë, 31 Tetor 2026

Djegia e punëtorëve të "Kurum"-it, nga pluhuri i nxehtë

Elbasan
HETIMI

ELBASAN - Hetimet zbardhin shkakun e djegies së punëtorëve të Kurum: ishte pluhuri i nxehtë.


Nga veprimet paraprake hetimore mësohet se 4 punëtorët ishin duke punuar në segmentin e impiantit të dhomës së pluhurheqjes, e cila ndodhet poshtë furrës së shkrirjes së çelikut dhe sapo kanë hapur derën e dhomës për të pastruar pluhurin, janë djegur nga vërshimi. Pluhuri vinte nga furra pas shkrirjes së hekurit dhe ishte në temperatura tepër të larta.


Ky ka qenë versioni zyrtar i grupit hetimor të mbërritur të shtunën në vendin e ngjarjes. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë".


Punëtorët Luan Muhametaj dhe Murat Silis ndodhen ende në gjendje të rëndë dhe pasi morën mjekimin e parë në spitalin kirurgjik Elbasan janë dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë për mjekim më të specializuar. Ndërsa Hysen Cungu dhe Arben Muhametaj pasi morën mjekim u larguan për në banesën e tyre pa probleme shëndetësore.


Gjithçka ndodhi në turnin e dytë kur punëtorët kishin vendosur të pastronin venddepozitimin e pluhurave.


Sapo kanë hapur derën, ata janë gjendur përballë valës së pluhurit të nxehtë që është konsideruar një zjarr i vërtetë për shkak të temperaturës së lartë. Punëtorët kanë dhënë alarmin duke kërkuar ndihmë. Por nxjerrja ka qenë mjaft e vështirë dhe me rrezik.


Punëtorët e tjerë kanë mundur t'i nxjerrin nga dhoma e ferrit dhe i kanë dhënë ndihmën e parë në uzinë. Më pas ata janë nisur me shpejtësi drejt spitalit kirurgjik të Elbasanit.


Punëtori turk Murat Silis është nisur i pari në drejtim të Tiranës. Ndërsa punëtorët shqiptarë kanë marrë ndihmën e nevojshme në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Drejtuesit turq janë munduar ta fshehin ngjarjen.


Por gjithçka është dekonspiruar nga ambulancat dhe nga familjarët e metalurgëve që kanë arritur të alarmuar në spital. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor. Sipas të dhënave të para rezulton se punëtorët janë urdhëruar të pastrojnë dhomën poshtë furrës nga pluhuri dhe skorjet, por masa ka qenë tepër e nxehtë dhe ka zënë punëtorët në befasi.


Gjatë dhjetë viteve të fundit në uzinën e prodhimit të çeliqeve ka pasur disa shpërthime me pasoja mjaft të rënda për jetën e metalurgëve. Gjatë një dekade në Kurum kanë humbur jetën 5 punëtorë. Shpërthimi më i fuqishëm ishte ai i janarit të vitit 2007 ku si pasojë e plasjes së furrës gjetën vdekjen dy punëtorë e u plagosën rëndë 10 të tjerë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›