Kongresi: PS bojkoton Kuvendin
TIRANË- Partia Socialiste përfundimisht nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ndërsa vlerëson se institucionet e dala prej këtij rezultati kanë legjitimitet të cunguar.
Kongresi i Partisë Socialiste ka miratuar kështu rezolutën e miratuar gati një muaj më parë nga Asambleja Kombëtare, duke vendosur që të mos marrin pjesë në jetën parlamentare, për sa kohë nuk do të zbardhet ajo që kjo forcë e ka konsideruar në vazhdimësi edhe gjatë mbledhjes së djeshme si maskarada elektorale.
Burime të PS-së pohuan se deputetët e rinj do të paraqiten në Kuvend për tu betuar në mënyrë që të ligjërojnë mandatin e tyre. Më pas do të vendosë kryesia e partisë dhe grupi parlamentar për kohën se kur do të hyhet në kuvend.
Vendimi për momentin e hyrjes në Kuvend i është lënë në dorë kryesisë dhe grupit sepse nëse do t'i lihej Kongresit, do të duhej që ky institucion të mblidhej edhe një herë dhe kjo do të harxhonte shumë kohë.
Rezoluta
Kongresi i PS-së ka rikonfirmuar dje vullnetin e shprehur më parë nga Asambleja Kombëtare e Socialistëve duke miratuar rezolutën e miratuar prej saj në përbërje të së cilës janë përfshirë pesë pikat.
Këto janë edhe piketat e sjelljes që do të ketë kjo forcë politike në muajt e ardhshëm lidhur me rezultatin që dhanë zgjedhjet e 28 qershorit.
Duke iu përmbajtur draftit të miratuar nga Asambleja, Kongresi vendosi t'i konsiderojë zgjedhjet e 28 qershorit një mundësi e humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë sonë bashkëkohore, standardet demokratike evropiane dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira e të ndershme, duke bërë përgjegjëse qeverinë e Sali Berishës për deformimin e qëllimshëm të procesit zgjedhor e të rezultatit të tij.
Gjithashtu kongresi vendosi ta vlerësojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit, si dhe të konsiderojë me legjitimitet thellësisht të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t'i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Kuvendit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit.
Ky forum distancohet hapur nga çdo rrugë e përpjekje për t'i imponuar Partisë Socialiste, opozitës në tërësi e opinionit publik, miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor, që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit shqiptar dhe të nxisë komunikimin intensiv të kësaj force të madhe politike me qytetarët shqiptarë e komunitetin ndërkombëtar për gjendjen kritike të demokracisë në vend.
Në rezolutën e miratuar shprehet vullneti i palëkundur i Partisë Socialiste për të bërë deri në fund transparencën e plotë të procesit zgjedhor me të gjithë instrumentet ligjorë e kushtetues, të shprehë predispozitën e plotë për të përdorur çdo mjet demokratik për këtë qëllim, si dhe të bëjë publikisht të qartë angazhimin për një opozitë pa kompromis me një qeveri pa mandat politikisht legjitim.
Propozimet
Disa delegatë të Tiranës dhe Tropojës paraqitën me shkrim gjatë mbledhjes së djeshme disa propozime që përputheshin në një pikë, duke kërkuar mosnjohjen totale të legjitimitetit të institucioneve të dala prej këtyre zgjedhjeve dhe për rrjedhojë deputetët e saj të mos shkonin në Kuvend.
Një propozim të tillë e ka bërë të ditur për kongresin kreu i Asamblesë Kombëtare Gramoz Ruçi, i cili ka ftuar delegatët që të miratojnë rezolutën siç ishte më parë, por duke shtuar mundësinë që kryesia dhe vetë grupi parlamentar socialist të mund të vendosin për pjesëmarrjen ose jo në parlament në varësi të prioriteteve të tjera që shpallen në këtë dokument.
"Grupi parlamentar duhet të realizojë atë pikësynim dhe strategji që ne kemi për transparencën e maskaradës elektorale që ndodhi në këto zgjedhje.
Si për atë objektiv që kemi për zgjedhje të parakohshme, por ashtu edhe për rolin që duhet të lozë opozita për të gjitha këto problematika që dalin për mbrojtjen e atyre shtresave që ne na kanë mbështetur ne duhet të përdorim mirë mekanizmat.
Tani ne duhet të mbetemi pjesë e të njëjtës taktikë dhe vendimmarrja duhet t'i qëndrojë partisë dhe strukturave të saj, siç është kryesia e partisë dhe grupi parlamentar", - u shpreh Ruçi në fjalën e tij.