E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet e papritura, përmbyten nga balta tri fshatra në Gramsh

Shirat e papritur kanë krijuar probleme në disa zona të qarkut të Elbasanit. Emergjencat civile i mohojnë


GRAMSH - Një rrebesh shiu ka përfshirë pjesën lindore të Gramshit duke shkaktuar dëme materiale në tri fshatra nga vërshimi i baltës dhe materialeve drusore.


Bëhet e ditur se pasditen e djeshme, shiu ka gjetur të papërgatitur fshatarët, të cilët kanë parë sesi për disa minuta kanë vërshuar dhera, baltë dhe mbeturina drurësh përmes rrugicave, oborreve, madje edhe duke rrezikuar shtëpitë e tyre.


Ky rrëmbim ka shkaktuar edhe dëme të vogla në të mbjella, si dhe ka bllokuar disa rrugë të fshatrave Gribë, Kukër dhe Shënepremte. Sipas banorëve, për shkak të thatësirës, dheu dhe mbetje të tjera të drurëve që kanë zbritur kanë qenë më të mëdha se çdo herë tjetër duke qenë edhe fundi i verës.


Vetë ata kanë filluar pastrimin e oborreve dhe rrugicave duke bërë bilancet e dëmeve materiale që, sipas kryetarit të komunës, Luan Kokla, janë të konsiderueshme, ndërsa sipas shtabit të emergjencave janë të pallogaritshme. Meleq Zani, specialist pranë nënprefekturës Gramsh, i kontaktuar me telefon deklaron se nuk ka shtëpi të përmbytura dhe kjo, sipas tij, shpjegohet me terrenin e pjerrët.


Ai e cilëson se janë bllokuar kryesisht rrugë nga balta dhe mbeturinat. "Specialistët e emergjencave janë në terren dhe janë duke verifikuar situatën që, sipas konfirmimeve të para, paraqitet nën kontroll.


Vetë banorët janë duke i pastruar rrugët dhe oborret nga materialet e zbritura nga mali. Ndërkohë, burime nga komuna Kukër konfirmojnë se banorët janë dëmtuar sidomos tek të mbjellat, pasi shiu i ka gjetur të papërgatitur. Përsa iu përket rrugëve, ato pritet të jenë të qarkullueshme brenda pak kohësh pasi vetë banorët me mjetet e tyre janë vënë në lëvizje për t'i pastruar dhe riparuar.


Ata vetë ia vënë fajin thatësirës së madhe dhe shiut të menjëhershëm që ka zbritur edhe sasinë e madhe të baltës, e cila ka vërshuar në rrugica, oborre dhe ara në fshatrat që kryesisht mbahen nga blegtoria.


Prej gati dy muajsh kanë munguar reshjet dhe kjo e ka bërë tokën lehtësisht të gërryeshme duke zbritur në fshatrat buzë maleve sasi balte dhe mbeturinash të lëndëve drusore.


Ndërkohë, mësohet se reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në segmentin rrugor nacional Elbasan-Librazhd në afërsi të kthesës së Murrashit. Sipas dëshmitarëve që kanë qenë duke kaluar rrugën, një korsi është bllokuar nga gurë të mëdhenj që janë ndihmuar në rënien e tyre nga reshjet e shiut.


Në vendin problematik për disa orë nuk ka pasur policë rrugorë për të normalizuar qarkullimin. Pritet ndërhyrja e ndërmarrjes së mirëmbajtes për të larguar gurët dhe normalizuar situatën në aksin nacional.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›