Do ketë referendum për Plehrat?
Nga OBC*
Një ligj i diskutueshëm për menaxhimin e mbeturinave, kaloi në datën 3 nëntor në Parlamentin Shqiptar, megjithëse u denoncua mundësia konkrete për marrjen e mbeturinave nga vende të tjera, Italia në rradhë të parë.
As shqetësimet e kreut të shtetit Bamir Topi, nuk mjaftuan. Pas dy votimesh në Parlament, Shqipëria i ka tani zyrtarisht të hapura dyert e saj për importin e mbeturinave. Jehona e debatit mbi ligjin e diskutueshëm, aq të kërkuar nga mazhoranca e Sali Berishës është e destinuar të vazhdojë, nëse opozita e vendit do ta mbajë premtimin e saj për një referendum.
Presidenti i vendit Bamir Topi foli për mospërputhje të ligjit me vetë objektivin e tij. Problemi qëndron në nenin 49, i cili flet për import plehrash. I njëjti nen ka qenë në qendër të kontestimeve dhe protestave që theksojnë se me nivelet e larta të korrupsionit dhe kontrabandës, një ligj i tillë në Shqipëri mund të kthehet në një rrugë të krimit të organizuar, sepse krijon kushtet e favorshme sidomos për futjen e mbeturinave toksike. Qeveria shqiptare vazhdimisht replikon me këdo duke theksuar se ligji ofron të gjitha garancitë e nevojshme dhe është në përputhje me të gjitha standardet europiane.
Ky është një ligj, të cilin na e ka kërkuar Europa, – ka përsëritur disa herë në publik kryeministri Berisha. Por Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit të BE për Zgjerimin tha se ligji për administrimin e mbeturinave është vërtet pjesë e proces-qasjes së legjislacionit shqiptar me atë të Evropës, por Bashkimi Europian nuk imponon askënd të importojë plehra. Ne nuk vendosim se çfarë keni ju nevojë të importoni dhe sesi e bëni këtë – u tha ai mediave të Tiranës.
Në fund të muajit tetor, Presidenti i Republikës e riktheu ligjin në Parlament. Por sipas kryetarit të qeverisë Berisha, vendimi i Topit për refuzimin e ligjit ka motivacion politik. Berisha është i bindur se ish-numri dy i Partisë së tij ka për qëllim të formojë një parti të re politike, pas skadimit të mandatit presidencial. Protestat jashtë Parlamentit nuk shërbyen për asgjë. Tema kishte ngjallur shumë interes në opinionin public sepse ligji mund të shërbeje për të importuar mbeturina nga Italia, e cila njihet për krizën e saj të mbeturinave. Nga ana tjetër flitet për lëndën e parë për industrinë shqiptare të riciklimit, e cila është ende në pelena. Ne e dimë nga burime jozyrtare se Italia i ka gati ngarkesat e para të plehrave- u tha gazetarëve Kozeta Kati, përfaqësuese e komitetit kundër ligjit.
Rreziku që i kanoset shëndetit të banorëve të vendit bashkohet te shumë ekspertë me rreziqe të tjera sidomos për një vend si Shqipëria, e cila këto vite ka folur vazhdimisht për një të ardhme të mbështetur mbi turizmin. Lideri socialist Edi Rama e ka cilësuar ndërkohë ligjin si çnjerëzor dhe antidemokratik. Ai ka bërë thirrje për të eksploruar mundësinë e një referendumi popullor.Sipas Ramës,kyprojekt përfaqëson interesa mafioze, të fshehura pas objektivit. Ideja e një referendumi popullor, duket se nuk është ende e qartë, ndërkohë që nga ana e tij kreu i shtetit, në raste të veçanta ka pohuar se do të përdorte të gjitha armët që i ofrohen nga Kushtetuta.
*Me shkurtime nga Oservatorio Balcani e Caucaso. Shkrimi mund të lexohet i plotë në http://www.balcanicaucaso.org/aree/Albania/Albania-referendum-anti-monnezza-107636