E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur një përçarës troket në derë si mik

BUJAR HUDHRI

Javën e kaluar, në disa gazeta të Tiranës dhe të Prishtinës, Agim Vinca ka kritikuar librin Kohë e pamjaftueshme të Helena Kadaresë dhe nëpërmjet tij, vetë Kadarenë. Kritika, siç e tregon ai vetë, merr shkas vetëm nga dy faqet ku përshkruhet një takim i tij me zonjën dhe zotin Kadare, në shtëpinë e tyre, në Durrës, në verë vitit 2005.  Gjëja e parë që të shkon në mendje për një libër prej më shumë se 700 faqesh, ku jepet një tablo e pasur e jetës kulturore dhe shoqërore të Shqipërisë dhe Kosovës për gati gjysmë shekulli, dy ose tri faqe nuk janë të mjaftueshme për ta quajtur këtë libër një bestseller në kuptimin e keq të fjalës, për të mos thënë edhe një skandal publik, siç shkruan ky zotëri. Veç kësaj, pa dashur ta fyej, dua të them se zoti Vinca nuk është kaq i rëndësishëm, saqë saktësia e një dialogu me të, të përcaktojë vlerat e një libri si ky. Dhe të përmbysë një periudhë tridhjetë-e-ca-vjeçare të punës së tij, ku siç shkruan, kisha lejuar dhe udhëhequr në cilësinë e mentorit me dhjetëra punime diplome, magjistrature e doktorate për veprën e tij të gjerë dhe të larmishme (disa ende janë në proces).
Por, së pari duhet të sqaroj lexuesit se për çfarë arsye unë po replikoj me z. Vinca. Këtë e shpjegon më mirë vetë autori i shkrimit kur thotë se: Ishte një bisedë krejt normale, madje edhe e përzemërt, me një mospajtim të lehtë për ndonjë çështje të veçantë, madje më shumë se me vetë Kadarenë, me botuesin e tij.
Disa paragrafë më poshtë, një variant tjetër i autorit. Pra, pas një atmosfere të tillë harmonioze mes tij dhe z. Kadare, ndërsa flet me botuesin, kujtohet të thotë se: Ndërkohë, në vilën e Kadaresë ka arritur botuesi i tij, Bujar Hudhri, i cili i bashkohet kuvendit. Nuk e di a kishte qenë atypari, apo ia behu nga Tirana, por tani edhe ai ulet me ne rreth tryezës dhe bëhet pjesë e bisedës, duke e trazuar paksa rrjedhën e saj përgjithësisht të qetë. Duke dashur tia mbajë anën Kadaresë, Hudhri ndërhyn në bisedë pa takt. Ti flet kështu, sepse e ke inat Rugovën! – më drejtohet mua. Pikërisht me këto fjalë!
Me fjalë të tjera, zoti Vinca me zotin Kadare po zhvillonin një bisedë shumë normale kur mbërriti prishësi i paqes, botuesi i tij.
Shkrimi i zotit Vinca ka disa kontradikta të tilla, fakte që bien në kundërshtim me njëri tjetrin.
Për tia bërë të qartë lexuesit se çfarë ka ndodhur, dëshiroj të jap në fillim, fare shkurt, versionin tim,  si i pranishëm në atë takim:
Në verë të vitit 2005, në vilën  e Kadaresë, te Mali i Robit, ka ardhur A. Vinca me një mikun e tij kosovar, z. N. Kryeziu. Ka qenë një vizitë e papritur e tyre, siç e shpjegon vetë A. Vinca, ndërsa unë shkoja si çdo herë, tek autorët e mi Helena dhe Ismail Kadare, dhe jo siç kërkon të më ironizojë Vinca me fjalët nuk e di a kishte qenë atypari apo ia behu nga Tirana. Në fund të bisedës ishim të gjithë ulur, kur z. Vinca, i trimëruar, siç thotë me gojën e tij, duke përfituar nga kjo klimë, ngaqë atë ditë Kadareja jo vetëm që nuk shfaqi shenja nervozizmi, por, përkundrazi, mu duk më i butë e më tolerant se çe prisja, i drejtohet Kadaresë, në lidhje me Qosjen: Ju jeni dy majat e kombit, ju jeni dy baballarët e kombit!. Janë fjalët e Vincës! Që i dëgjuam të gjithë: Helena dhe Ismail Kadare, Naim Kryeziu dhe unë. Pastaj vjen epilogu i përshkruar nga Helena. Zemërimi i Kadaresë, mbarimi i dialogut dhe përcjellja e miqve nga ana ime. Pasi u ndava me ta, z. Naim Kryeziu më thirri sikur të kishte harruar diçka. E kam para syve si sot portretin e tij, tronditjen nga çfarë pa e dëgjoi. I thuaj zotit Kadare, – mu lut, – se unë nuk ndaj të njëjtin mendim me Agim Vincën. Mu kujtua ky episod këto ditë, pasi lexova shkrimin e z.Vinca. I telefonova z. Kryeziu në Zvicër, ku edhe jeton. E mban mend, – i them, – takimin në vilën e Kadaresë? Jo dhe aq, isha i shpërqendruar, thotë. Po fjalët që mu lute tia thosha Kadaresë, se nuk ishe në një mendje me Vincën? Hesht pak, ndiej një psherëtimë dhe fjalët, sdi çtë them, smë kujtohet. Për herë të dytë bie viktimë e z. Vinca, dhe me siguri nuk do të vazhdojë më tej kjo farsë e bashkudhëtarit të tij. E mbyll telefonin. Naim Kryeziun e lë përballë ndërgjegjes së vet dhe çiftit Kadare, që ishin mikpritësit e tij.
Dhe ja versioni që jep në kujtimet e saj, zonja Kadare:
Na kishte ardhur Agim Vinca, një nga dishepujt e Qosjes, për të bërë, si të thuash, pajtimin. Shoqërohej nga botuesi B. Hudhri dhe një shqiptar nga Zvicra. Is, me sa duket, ishte në orët e tij jo të mira, ose u acarua qysh në frazat e para, kur Vinca nisi të thoshte që nuk ishte mirë që ata të dy, baballarët e kombit, të ishin të zemëruar etj., etj.
Ishin pikërisht epitete të tilla, të cilat ai nuk i duronte dot: baba i kombit, bacë, e të tjera si këto. Shumëkush do ta merrte si shenjë modestie nga ana e tij, apo si shenjë përmbajtjeje, por unë e dija fort mirë se skishte të bënte fare me to. Epitete të tilla i dukeshin folklorike.
Sapo dëgjova shprehjen baballarët e kombit e kuptova se puna do të mbaronte keq. Fytyra e tij mori një shprehje përçmuese. Çjanë këto idiotësira, tha, këto marrëzira, jo baballarë, jo trapër.
Agim Vinca mbeti gojëhapur. Më erdhi keq për të se ishte një nga dashamirësit dhe nuk e meritonte tërë atë furi.
Is u ngrit me aq vrull, sa desh përmbysi tryezën. Unë desha të ikja nga veranda për të mos dëgjuar të tjerat.
A ka në këta rreshta, qoftë edhe një fyerje kundër jush, zoti Vinca? Sepse Helena ju quan dishepull të prof. Qosjes? Apo sepse ju konsideron dashamirës të Kadaresë? Ku, pra, është cenuar nderi juaj? Dhe ku është faji, gënjeshtra e Helena Kadaresë, sepse ajo mendon se ju, zotëri, mund të ndikonit për pajtim?
Por Vinca kishte ardhur me mendje të mbrapshtë. Që në krye Vinca kërkon ta bëjë të pabesueshëm këtë takim, e më pas, siç do ta shohim më tej, krejt librin. Sepse ja çthotë disa rreshta më poshtë:
Nuk e di, nuk e kuptoj, pse zonja Kadare spekulon, për të mos thënë gënjen, duke e quajtur këtë takim tentim pajtimi mes Kadaresë dhe Qosjes dhe duke e paraqitur atë si një takim të rëndë e dramatik, pra të tillë, çfarë ai, në fakt, nuk ishte aspak….
Përpara se të merrem me mungesën e logjikës në këto radhë, desha tju pyesja se si mund të përdorni në shkrimin tuaj fjalët: spekulon, gënjen. Kulmi, po si mund ti drejtoheni kështu një gruaje, një personaliteti të kulturës shqiptare, shkrimtares Helena Kadare, aq më tepër kur kjo zonjë e nderuar është njëherësh edhe zonja e shtëpisë ku keni bujtur me mikun tuaj?
Por le të kthehemi te shkrimi juaj. Pasi e kam lexuar me shumë vëmendje këtë lëmsh fund e krye kontradiktor, dëshiroj tju bëj disa pyetje: Përse ndjeheni keq kur zonja Kadare mendon se ju mund të ishit pajtuesi mes z. Qosja dhe z. Kadare? Çdokush do të ishte i nderuar përpara opinionit shqiptar për këtë rol? Ndërsa ju, në shkrimin tuaj, krenarisht e përsërisni në disa paragrafë: Nuk shkova te Kadareja, pra, me mision pajtimi! Po atëherë, mos keni shkuar me mision përçarjeje? Këtë me shkrim se thoni, por po të lexoni me pak kujdes, del që keni shkuar edhe më larg.
Nuk shkova tek Ismail Kadareja për ta pajtuar me Rexhep Qosjen, sepse, tekefundit, ata ende nuk ishin prishur. Prishja e tyre ndodhi, siç dihet nga të gjithë, një vit më vonë, në 2006-n, kur shpërtheu debati i shumëpërfolur për çështjen e identitetit.
Si nuk ishin prishur? Pikërisht, sipër paragrafit që keni cituar, po në të njëjtën faqe (fq. 564 – 565 e librit), ja çfarë shkruan Helena Kadare, për raportet  Kadare-Qosja, në sfond të ngjarjeve të vitit 1997, në Shqipëri: Një depresion dhe një brengë e pathënshme i kapi të gjithë shqiptarët e shpërndarë kudo në botë. Bashkë me ta ishte edhe turpi për vendin e tyre që u bë si rreckë përpara gjithë botës. Jam e sigu

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›