Të fala nga Laçi
Laç, vitet dymijë. Një burrë hedh veten në erë në ballkonin e shtëpisë me dinamitin që përdorte për peshkim. Akti i vetëvrasjes e nxjerr për pak kohë nga gjendja e anonimatit dhe e kthen në anonimat. Është e mundur të dallosh diçka në kapërcimin pa kthim që bën njeriu nga jeta në vdekje? Diçka që vrojtuesit e ndërgjegjes e shmangin si forcën e më të dobëtit, si baltën e njerëzisë?
Dita e fundit e Loro Shestanit film artistik i metrazhit të mesëm i shkruar dhe i realizuar nga Sokol Keraj, la heshtje pas premiere. Pak përshëndetën nga shumë që kishin ardhur në Kinema Millenium. Një ambasadoreshë e tërhoqi mënjanë regjisorin dhe i përtypi fjalët how sad this story is. Arti është për tu gëzuar!
Një pesëdhjetëvjeçar që jeton vetëm, ka pritur ti vijë një letër nga e bija në mërgim. Kur letra vjen, e djeg pa e hapur sepse kjo është dita e tij e fundit.
Skena finale është akti i vetëvrasjes së protagonistit. Shohim figurën e burrit që largohet nga ekrani dhe pas pak lëmshin e gjakut që si top i hedhur me furi nga dritarja, shtyn dhe njollos tylin e bardhë. Dhe ballkonin e spërkatur. Plani i fundit janë kallamishtet e Patokut, si proces i përshpejtuar i kohës mbi një varr.
Dita e fundit e Loro Shestanit (bashkëprodhim shqiptar-rumun-bullgar-kolumbian) është titull që sugjeron historinë e një dikushi, e një heroi të vogël të harruar. Vizualisht është tregim i fjalëpërfjalshëm i ditës së një njeriu që ka vendosur të mos zvarritet më: zgjohet, zhvishet lakuriq, lahet në banjën e rrjepur, rruhet, shihet në pasqyrë, pështyn veten, vesh kostumin, pi një kafe, hedh sytë nga portreti i të shoqes, përmbys filxhanin, hedh sytë jashtë nga vargu i pelegrinëve drejt një kryqi dhe me cigaren e fundit kryen aktin e fundit në apartamentin e tij parafabrikat në një qytet të vogël që nuk identifikohet gjëkundi si Laçi, një Bermudë, trekëndësh djalli ndërmjet detit, uzinës së braktisur dhe kishës së Shën Ndout.
Sokol Keraj, 35-vjeçar, ishte një emër i padëgjuar për publikun shqiptar deri në prezantimin e kësaj historie nga qyteti i tij i lindjes. Ky emër ka për tu dëgjuar gjatë.
Sokoli ka studiuar regji filmi në Bukuresht dhe gjatë kohës së shkollës ka realizuar gjashtë filma të shkurtër. Ka jetuar në Bogota gjashtë vjet dhe është angazhuar me projekte të ndryshme të filmit artistik e dokumentar. E pohon që është i influencuar nga shkolla e rumune e kinemasë që i hyn më këmbë detit të përditshmërisë njerëzore.
Në rend me Amnistinë e Bujar Alimanit, për nga zhanri i dramatik dhe stili i zhveshur realist, filmi i Sokol Kerajt fut në kinema lëndën e përditshmërisë shqiptare. Kinemaja e tranzicionit, – duke quajtur me këtë emër kinematografinë e kësaj periudhe social-ekonomike që kalon Shqipëria, me referenca të qarta tematike, – po shkëputet nga krijimtaria e paraardhësve po edhe e bashkëkohësve me një vetëdije që nuk e kemi parë. Kinemaja e të vërtetave të rëndomta mund të ketë jetëgjatësinë e kushteve ku lindet, por nga anën tjetër ajo përgatit për të kaluar në një stad zhvillimi më të lartë se ai ku e gjeti veten. Mbetet ta shohim në veprat e ardhshme të këtyre dhe të tjerë regjisorëve.
Intervistë me Sokol Kerajn
Kur e keni shkruar historinë?
Është shkruar me një frymë në 2006. Ka patur një peripeci të gjatë deri sa të arrinte te ky projekt..
Vështirësi që kanë të bëjnë me prodhimin?
Me përzgjedhjen në radhë të parë të subjektit. Unë kam jetuar 6 vitet e fundit në Bogota. Kam provuar disa herë te Qendra e filmit në Shqipëri, jam skualifikuar dy herë, herën e tretë projekti fitoi. Besoj kanë ndryshuar për mirë politikat e Qendrës.
Në sa kohë është bërë xhirimi?
Në pesë ditë, pas përgatitjes dymujore. Edhe dy muaj të tjerë ka zgjatur pjesa e postproduksionit.
Shumë personal e quajtët filmin, ngaqë është i pari, ngaqë është bërë në vendlindje?
Është filmi im i parë në Shqipëri. Unë kam studiuar regji filmi në Bukuresht. Gjatë kohës së shkollës kam bërë rreth gjashtë filma. Kam bërë gjëra të tjera por jo me këtë magnitudë.
Atëherë personalja me se lidhet?
Ka një plan në film, një plan në ballkon, pasi ka ndodhur një shpërthim. Kjo është pamje që unë e kam përjetuar në 1994, në kohën e kampionatit botëror. Luanin Bullgari-Nigeri besoj, kur papritur pa kujtuar u dëgjua një shpërthim dhe gjurmët që ky shpërthim la. Ishte një komshi imi përballë. Kjo është një pamje që mua më ka ndjekur.
Filmi merr spunton nga një njeri real për të vazhduar më tej. Niset nga një motiv, nga një rrethanë, nga një atmosferë, nga disa lidhje njerëzore, por Loro i vërtetë me Loron e fiksionit, janë dy Loro të ndryshëm.
Donit të bënit një film për kë?
Për veten. Shumë njerëz pyesin veten pse? Lidhja me vetëvrasjen është gjithmonë rreth Pse-së. Unë në këtë film pyes veten si? si arrin njeriu, ai njeri zhovial në pamje të jashtme, i fortë? Ku është në fakt limiti ndërmjet jetës dhe vdekjes, sa zgjat, kur fillon, si zhvillohet kur mbaron? Është diçka e jashtëzakonshme apo është një zgjatje e banales dhe e të përditshmes ky kalim drejt vdekjes? Sepse ky personazh kishte një banalitet të përhershëm, të përditshëm, kur në një moment të caktuar bëhet i jashtëzakonshëm përmes aktit të tij. Ne personazhin e gjejmë tashmë me vendimin e marrë. Thjesht fati përpiqet ti bëjë disa lojëra ta nxjerrë nga ky vendim. I vë një djalë përpara i cili sdo ti japë atë që ai kërkon. I vë një komshije e cila e bën të kuptojë që ndoshta sështë vetëm. Është një vajzë e cila kujtohet se i ati ekziston, pra fati i bën disa rrengje për ta mbajtur në jetë.
Nga buron vetëdija për refuzimin e botës si te Loro Shestani?
Kur e përditshmja fillon të ndryshojë, kur e përditshmja të del nga banaliteti dhe stë jep më atë që je mësuar të të japë, kur peshku nuk del më nga deti, kur cigaret po mbarojnë, kur një ndeshje futbolli stë pëlqen më. Pra ndodhin disa ndryshime subtile brenda të përditshmes të cilat japin shenjat e para që e përditshmja ska çfarë të të ofrojë më. Kur ndodh ky ndryshim, pyetja që shtrohet është: të jetosh apo të mbijetosh? Personazhi im nuk zgjedh të mbijetojë.
Përse personazhi ka atë lojë me besimin?
Ai është një personazh që nuk merr shenjat që vetë fati i jep e që i përmendëm më përpara. Në mënyrë intuitive ai përpiqet të gjejë shenja jashtë botës së tij, larg, te ca njerëz që luten, që bëjnë një pelegrinazh. Ja vlen të jetë pjesë e asaj turme? Apo zgjedhja që ka bërë brenda vetes, brenda atij territori është diçka më me vlerë dhe më racionale. Përpiqet të gjejë me interes të vogël një ndeshje futbolli, një shije kafeje, një shije cigare, po e kupton që ska më dalje.
Pse ishte i rëndësishëm realizimi i filmit në Laç?
Unë jam kthyer në Laç mbas disa vitesh. Qyteti të jep përshtypjen sikur ka ngrirë, sikur është në një frigorifer. Gjithmonë në Shqipëri flitet për ndryshim, për modernizëm. Në pamje të parë është po ai Laç që kam njohur gjithmonë, por ka ndryshuar nga brenda. Pata një episod me një djalë 17-vjeçar që kishte lindur në një nga ato apartamente ku xhirohet filmi dhe e pyes kush jeton përballë. Ai më thotë nuk e di. Pra, brenda Laçit, megjithëse
