Do lobojmë për njohje të reja - perspektiva e Shqipërisë dhe e Kosovës është BE-ja

Pavarësia e Kosovës, Meta përshëndet deklaratën e kryediplomates europiane, Ashton
Bashkimi Evropian mirëpriti vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për të shpallur të ligjshme pavarësinë e Kosovës. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Catherine Ashton, në emër të bllokut tha se tani po fryn një erë e re drejt së ardhmes. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, duke përshëndetur qëndrimin e Ashton, tha se të dy vendet duhet të ecin drejt rrugës së integrimit evropian.
“Dua të përshëndes dhe të mbështes plotësisht deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Ashton, e cila në emër të BE-së ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila theksoi se tani fillon një fazë e re, dhe njëkohësisht se duhet që të gjithë të shikojnë drejt së ardhmes. Duke garantuar në këtë mënyrë mbështetjen e Bashkimit Europian për të ardhmen Europiane të Serbisë, duke garantuar njëkohësisht mbështetjen e Bashkimit Europian për të ardhmen Europiane të Kosovës dhe duke theksuar vullnetin e Bashkimit Europian për t’i ndihmuar të dyja vendet që të ecin në këtë drejtim. Njëkohësisht dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrë që të përmirësohet edhe më tej klima e bashkëpunimit rajonal, por edhe të përmirësohet në këtë mënyrë jeta e qytetarëve duke treguar qartë rëndësinë e bisedimeve për çështje konkrete dhe praktike midis këtyre dy vendeve”, u shpreh Meta.
Ai vuri në dukje se Shqipëria mbështet fort perspektivën europiane të të dy vendeve dhe thekson rëndësinë e bashkëpunimit të Serbisë dhe të Kosovës si dy vende sovrane. “Bashkëpunim që është shumë i rëndësishëm për të gjithë rajonin tonë dhe perspektivën e tij evropiane”, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Duke komentuar deklaratat për një bashkim të Shqipërisë me Kosovën, Meta tha se e ardhja e të dy vendeve është në Bashkimin Evropian. Zëvendëskryeministri garantoi se pala shqiptare do lobojë fuqishëm për njohjen e pavarësisë së shtetit të ri.
“Shqipëria ka bërë gjithçka për të mbështetur dhe për të njohur shtetin e ri të Kosovës në planin ndërkombëtar dhe njëkohësisht edhe pas këtij vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ne kemi një plan të qartë veprimi në drejtim të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës përmes shtimit të njohjeve të reja, përmes aderimit në institucione ndërkombëtare financiare, apo dhe të tjera. Ashtu sikurse është dhe rasti i BERZH-it, dhe për përfshirjen e saj në të gjitha nismat dhe forumet rajonale. Besoj se për Shqipërinë dhe Kosovën prioritet kryesor është integrimi Europian”, tha ai.