LSI: Pas pallavrave të djeshme, u bindëm se Rama po merr rregullisht drogë

Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kërkuar dhe njëherë sot kryetarit të socialistëve, që të heqë dorë nga akuzat dhe sjelljet diversante. Zyrtari i LSI dhe njëherazi drejtori i Përgjithshëm i Politikave Tregtare në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Besjan Pesha, i kërkoi kryetarit të PS-së dhe të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama të deklarojë pasurinë dhe të mos përhapë panik vetëm për të fshehur të vërtetën e tij. Nga parku Rinia duke i cilësuar gënjeshtra deklaratat e një dite më parë të kreut të opozitës, mbi situatën ekonomike në vend, Pesha theksoi se “të gjithë shqiptarët e dëgjuan dje rishtas Edi Ramën teksa i gënjeu në konferencën e radhës për shtyp dhe teksa përpiqej t’i trembte ata dhe të gjithë investitorët e huaj mbi situatën ekonomike në Shqipëri. Edhe pse jemi dëshmitarë se dita ditës dhjetëra investitorë po vijnë, po investojnë kapitalet e tyre në vendin tonë dhe po hapin vende të reja pune, zoti Rama tenton që të hedhë dhe mbjellë panik në Shqipëri, për të fshehur problemin e tij të vërtetë, që është problemi që ka me drogën dhe me paratë e fshehura”- deklaroi ai. Pesha i bëri thirrje publikisht Ramës, që “t’i lërë pallavrat me donacione gjaku, sepse të gjithë ata që dhurojnë gjak e dinë shumë mirë se është e pamundur që të vërtetosh nëse je i toksikuar apo jo nëpërmjet atyre analizave”. “Ka vetëm një analizë të vërtetë që bëhet në laboratorë të specializuar dhe e ftojmë zotin Rama, që ta bëjë këtë analizë publikisht për t’u vërtetuar shqiptarëve njëherë e mirë që ai nuk është person i droguar”- tha Pesha. Ai vijoi duke shtuar se “edhe nëse kishim ndonjë hije dyshimi se ai drogohej, por nuk drogohej më kohët e fundit, tashmë jemi të bindur që zoti Rama përdor drogë në mënyrë të rregullt”. Lëvizja Socialiste për Integrim, i bën thirrje kryebashkiakut të Tiranës, të mjarrë mundimin dhe të deklarojë pasurinë e tij të vërtetë, ta nxjerrë atë nga shtëpia e blinduar ku e ka futur, e tua deklarojë të gjithë shqiptarëve dhe të depozitojë paratë e tij, milionat e eurove, në bankë.
...