“Respektimi i kufijve, jetikë për paqen në Ballkan”

Takimi Sali Berisha – Fatmir Sejdiu
Kryeministri Sali Berisha vlerëson se paqja në rajonin e Ballkanit mund të garantohet vetëm nëpërmjet respektimit të kufijve. Gjatë një takimi me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, kreu i qeverisë shqiptare tha se tendenca për ndarjen e territoreve, është një spirale që bie ndesh me idealin e popujve të Ballkanit.
“Përpjekjet për ndarjen e territoreve është një përpjekje e rrezikshme për të krijuar një spirale të re që bie ndesh me idealin e popujve të Ballkanit. Gjej rastin të ftoj Serbinë, të bashkëpunojë me Kosovën në të mirë të stabilitetit në rajon. Mbetemi të vendosur për respektimin e plotë të kufijve ekzistues. Nuk duhet të ketë asnjë përpjekje. është tërësisht e papranueshme që për 3 komuna të mbahen tensione në një kohë kur situata të tilla analoge ekzistojnë me dhjetëra, në Ballkan, në Evropë dhe kudo. Mund të bëhen disa përmirësime në statusin ligjor, në Mitrovicë dhe 3 komunat e veriut, por gjithnjë duke ruajtur të paprekshëm kufijtë. 3 komunat shqiptare të jugut të Serbisë, çfarë mund të kenë probleme për të vendosur standarde evropiane. Kjo do të ishte zgjidhja përfundimtare, sepse tjetra është copëza të Serbisë së Madhe. Ajo ka marrë fund. Nuk shkohet më drejt ndryshimit të kufijve”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Duke u ndalur te vendimi i GJND-së, Berisha tha se ishte shumë i drejtë. Kryeministri i përcolli presidentit Sejdiu urimet më të mira për këtë arritje të madhe. Berisha informoi se në axhendë pikë e parë e diskutimit ishte vlerësimi për vendimin e Gjykatës së Hagës mbi bazën legale, bazuar mbi të Drejtën Ndërkombëtare, të pavarësisë së Kosovës.
“Unë e përshëndeta përzemërsisht Presidentin Fatmir Sejdiu për këtë arritje të madhe dhe historike të shqiptarëve në tempullin e drejtësisë botërore. Ky vendim është i një rëndësie dhe vlere të jashtëzakonshme, jo vetëm për Kosovën, por të Drejtën Ndërkombëtare në tërësi. Rrallë ndonjëherë në historinë e botës mund të ketë pasur përputhje më të madhe midis vendimit apo ligjit dhe të drejtës, si kësaj radhe. Vendimi ishte një vlerësim i të vërtetave të mëdha të Republikës së Kosovës. Kam bindjen se vendimi është një kontribut madhor për paqen, stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanin. Ky vendim është i bazuar, vlerësojmë me Presidenti Sejdiu, fund e krye, nga alpha te omega, në Kosovën si rast ‘sui generis’, si rast unik, si rast i paprecedent. Gjykatësit panë me sytë dhe me mendjen e ligjit se realiteti në Kosovë ishte tërësisht në përputhje me frymën dhe germën e ligjeve ndërkombëtare, e rezolutave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e kornizës Kushtetuese”, deklaroi kryeministri Sali Berisha.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, vendimi i GJND-së duhet të mishërohet me përpjekje të mëdha në njohje të reja, në mënyrë që Kosova të marrë sa më shpejtë vendin e merituar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në këtë drejtim, Berisha garantoi mbështetje të plotë të qeverisë shqiptare.
“Ne do të bëjmë përpjekje të përbashkëta. Sigurisht, qeveria e Kosovës, udhëheqja e saj, Presidenti, qeveria, do të bëjnë përpjekjet dhe do të udhëheqin procesin e njohjeve të reja. Shqipëria do të japë mbështetjen më të madhe të mundshme në këtë proces. Sigurisht, jemi të hapur se ky vendim ka krijuar kushte dhe bazë të fuqishme ligjore ndërkombëtare edhe për marrëdhëniet e reja midis Prishtinës dhe Beogradit, midis Tiranës dhe Beogradit. Ne shpresojmë që gradualisht, pasi t’i bëhet një vlerësim objektiv vendimit, të ketë një përgjigje dhe nga Beogradi ndaj këtyre qëndrimeve”, tha kryeministri.
Ai informoi gjithashtu se në takim u diskutua për të gjitha marrëdhëniet midis dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për situatën në rajon.
“Ne mbetemi të vendosur dhe të bindur se kusht për paqe dhe stabilitet është respektimi i kufijve aktual në rajonin e Ballkanit. çdo përpjekje për modifikim të kufijve është një përpjekje e rrezikshme për të krijuar një spiral të ri, i cili bie ndesh tërësisht me idealin evropian të popujve të rajonit, i cili është dhe aktualisht interesi jetik më i rëndësishëm kombëtar i tyre”, u shpreh Berisha.
Nga ana e tij, Presidenti Fatmir Sejdiu u shpreh se, “mendimi i urtë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte përgjigja më e mirë e studiuar dhe e thënë, për të gjithë atë që ne kemi kapërcyer, si dhe për të gjithë atë që ne kemi marrë vendime të mëdha në Kosovë, them gjithnjë, si artikulim i vullnetit politik të njerëzve të Kosovës, por edhe si mbështete e koordinuar ndërkombëtare, ku rol të veçantë ka pasur, ka dhe do të ketë Republika e Shqipërisë, në mbështetje të vazhdueshme të zhvillimeve të reja”.
“Për ne është me rëndësi se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare do të kundrohet në dy rrafshe esenciale dhe të pashkëputshme: në rrafshin juridik dhe të së Drejtës Ndërkombëtare, për çka dhe u kërkua mendimi për tu dhënë dhe ai mendim u dha. Mendimi është i drejtë, është i paanshëm, është mendim i pakontestuar, sado që dikush mund të mundohet me qasje irracionale ta kontestojë për ata vetë që e kërkuan. Dhe iluzioni po të ishte një situatë tjetër e dhënies së mendimit, se çfarë do të ishte pjesa e propagandës përcjellëse. Mendimi i tillë është përgjigje për të gjitha proceset që kemi kapërcyer”, tha ai.
Pyetjet e gazetarëve drejtuar kryeministrit Berisha dhe presidentit Sejdiu
Ju thatë se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka refleksione pozitive brenda rajonit dhe më gjerë. A mendoni se ky vendim mund të mënjanojë ideatorët e projekteve, në skenë apo në prapaskenë, për shkëmbim të territoreve shqiptare me territore shqiptare? Si e shihni ju këtë frymë që në prapaskenë, faktikisht, përflitet?
Presidenti Sejdiu: Në e thamë një përgjigje që nuk është përgjigje e këtij momenti, por është e vazhdueshme. Dhe çdo ide që ka për qëllim të destabilizojë rajonin në forma çfarë prezanton, absolutisht, është e papranueshme. Rruga jonë e përbashkët është rruga në integrimet euroatlantike. Shansin e madh Shqipëria e ka shfrytëzuar dhe është anëtare e NATO-s, për këtë gëzohemi të gjithë dhe, natyrisht, është në procese të tjera të mëdha të përmbushjes së kritereve. Për ne është po ashtu të shpejtojmë dhe të arrimë atë që është pjesë e realizimit të perspektivave të zhvillimit të përgjithshëm edhe të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, në politikat e përbashkëta nën kulmin evropian.
Kryeministri Berisha: Së pari,vendimi i Gjykatës së Hagës i jep përgjigjen ligjore më të shkëlqyer pyetjes suaj dhe mbështetjen më të fuqishme qëndrimit të autoriteteve të Kosovës, Shqipërisë dhe më gjerë. Gjykata shpalli legale Kosovën e pavarur dhe kjo nënkupton territorin, kufijtë, himnin, autoritetet dhe të gjitha. Së dyti, historia e trojeve shqiptare është një histori jashtëzakonisht tragjike. Nuk mund të mohohet. Por një gjë është e sigurt, se shqiptarët nuk kanë qoftë edhe një varr të vetëm në tokat e askujt. çfarë kanë varrosur në 2000 vjetët e fundit i kanë në trojet e tyre. Në këtë aspekt, në qoftë se historia e shekullit të kaluar ishte historia e copëtimit dhe e bërjes së tyre si plaçke shpërblimi për nacionalizma të tjera përreth tyre, ky kapitull është mbyllur. Ndaj rindarje të tjera, pazare mbi trojet e shqiptarëve nuk ka shqiptar që ka autoritetin për ta bërë. Nuk ka askush të drejtë tu kërkojë shqiptarëve një gjë të tillë dhe sigurisht s’do e pranojmë. Por ky qëndrim përputhet plotësisht, fatmirësisht, me qëndrimin e shkëlqyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat, për hir të së vërtetës, meqenëse jam tani e 20 vjet në këto historia hartash, kanë qenë kundërshtarët më të vendosur. Dhe po kështu fuqitë e mëdha evropiane. Rri e mendoj, qëndron pikërisht në këtë, një nga shkaqet më kryesore në të cilat ata parandaluan katastrofa shumë herë më të mëdha se sa ajo që ne kemi parë në jugun e Ballkanit. Ndaj le të punojmë. Presidenti bëri këtu një deklaratë jashtëzakonisht të veçantë, ftoi për marrëdhënie të shkëlqyera me Serbinë. Unë mbetem, përsëri, i bindjes më të thellë se ideali evropian i kombeve të këtij rajoni është ideal kryesor dhe se është interesi i tyre kombëtar jetik. Ndaj le të punojmë të gjithë, të shkojmë drejt Bashkimit Evropian; tu garantojmë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësitë etnike të drejtat që meritojnë, të barabartë para ligjit dhe Kushtetutës; të ndërtojmë vendet tona, të cilat kanë humbur shumë nga koha dhe konfliktet. Këtë kërkojnë qytetarët, këtë duhet të bëjmë ne!