E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dobësim me ilaçe, ekspertja e ISHP-së: Në asnjë mënyrë!

Në asnjë mënyrë individët, e aq më tepër adoleshentët, nuk duhet të zgjedhin rrugë jo të sigurta, si marrja e medikamenteve për të hequr kilet e tepërta”. Ky është pohimi që vjen nga ekspertja e promocionit shëndetësor pranë Institutit të Shëndetit Publik, Daniela Nika, pas publikimit të studimit, i cili vlerësonte se rreth 3% e adoleshentëve marrin ilaçe për t’u dobësuar. Në këtë intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Nika jep edhe mjaft këshilla të vlefshme për një ushqyerje të shëndetshme.
Znj. Nika, çfarë mund të cilësojmë një ushqyerje të shëndetshme?
Nuk ekziston një përkufizim standard për ushqyerjen e shëndetshme.
Ushqyerje e shëndetshme është ajo që na bën të ndihemi mirë me peshën tonë trupore dhe që na garanton njëherësh shëndet dhe mirëqenie. Ndryshe, një ushqyerje e shëndetshme do të konsiderohej një ushqyerje sa më e larmishme në përbërës dhe e sigurtë nga ana higjienike, por duke i kushtuar gjithashtu shumë rëndësi sasisë dhe ngrënies të rregullt të vakteve. Ushqyerja e shëndetshme duhet të jetë një stil i mirëfilltë jetese për ne të gjithë, duke filluar që në momentin e konceptimit të një foshnje e më tej gjatë gjithë ciklit të jetës.
Padyshim që ushqyerja është një nga kushtet kryesore për të qenë të shëndetshëm. Sa ndikon ajo për të humbur “shëndetshëm” peshë?
Është mirë që individi t’i kushtojë rëndësi ushqyerjes që në vegjëli për të siguruar një ekuilibër nutricional dhe një peshë sa më të përshtatshme. Nëse që në vegjëli shfaqet mbipesha apo obeziteti, kjo do të sjellë pasojat e veta në moshë të rritur dhe do të jetë shumë e vështirë për ta humbur atë.
Një studim i Institutit të Shëndetit Publik vlerëson se 2.7% e adoleshentëve përdorin ilaçe për t’u dobësuar. Sa e shëndetshme është kjo “metodë” sipas jush?
Në asnjë mënyrë individët, e aq më tepër adoleshentët, nuk duhet të zgjedhin rrugë jo të sigurta, si marrja e medikamenteve. Vetë fjala “ilaç” konsiston në një substancë të huaj që futet në organizëm për të trajtuar një sëmundje apo gjendje shëndetësore të caktuar. Asnjëherë ilaçet nuk duhen marrë pa këshillën e mjekut!
Shumë persona dëshirojnë të humbin kile e për këtë arsye zgjedhin të mos konsumojnë fare ushqim. Sa e dëmshme është kjo për shëndetin?
Edhe kufizimi ekstrem i ushqimit është një praktikë e gabuar. Organizmi ka nevojë për të gjitha lëndët ushqyese që të kryejë funksionet e veta vitale, ndaj kufizimi ekstrem qoftë edhe i njërës prej këtyre lëndëve, do të shkaktojë probleme shëndetësore tek ta. Le të marrim një shembull: shumë të rinj nuk pëlqejnë të hanë mish, por dihet se mishi është një nga burimet kryesore të hekurit, një lëndë e domosdoshme për rruazat e kuqe të gjakut, pamjaftueshmëria e të cilit do të shkaktojë anemi dhe mos-oksigjenim të mirë të të gjitha organeve. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për ata që nuk preferojnë të hanë perime dhe fruta.
Cilat janë metodat e preferuara për të humbur kilet e tepërta?
Mënyra më e shëndetshme për të humbur peshë është gjetja e ekuilibrit mes asaj që hamë dhe asaj që harxhojmë. Dy janë rrugët më të mira për t’u dobësuar: e para, duke pakësuar sasinë e ushqimit që hamë apo të disa ushqimeve dhe pijeve “hiperkalorike” si: ushqimet e yndyrshme apo pijet alkoolike dhe të gazuara dhe e dyta, duke qëndruar sa më aktive, pra duke shtuar aktivitetin fizik që nga lëvizjet e thjeshta deri tek ecjet, vrapimet në ajër të pastër apo sportet.
Pse është e rëndësishme të fokusohemi tek ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik?
Sigurisht, sepse ato janë “çelësi i artë”, që garanton shëndetin e mirëqenien tonë dhe natyrisht edhe jetëgjatësinë. E kush është ai që do të kalojë një jetë me sëmundje?! Mjafton që ne ta kuptojmë rëndësinë e këtyre dy komponentëve dhe të ndryshojmë stilin e jetesës.
Çfarë ushqimesh duhet të konsumojmë çdo ditë për të qenë në formë të mirë fizike dhe shëndetësore?
Çdo ditë ne duhet të konsumojmë ushqime sipas piramidës ushqimore, e cila ka në bazë të saj drithërat, të cilat duhet të jenë sa më integrale, më pas vijon me frutat dhe perimet, të cilat duhen ngrënë 5 herë në ditë së bashku dhe me ngjyra sa më të ndryshme. Më sipër akoma, pra aty ku piramida ngushtohet, qëndrojnë grupi i mishit dhe nënprodukteve të tij, peshkut, vezëve dhe bishtajoreve të thata. Nga ky grup mjafton të hamë 1-2 prej tyre në ditë duke i alternuar. Në majë të piramidës gjejmë yndyrnat, ëmbëlsirat dhe pijet e gazuara apo alkoolike. Kjo do të thotë se prej tyre duhet të konsumojmë sa më pak. Vaji i ullirit të preferohet në krahasim me gjalpin apo margarinën, ndërsa marrja e këtyre të fundit të kufizohet në 2 herë në javë.
Cila është këshilla juaj për të gjithë adoleshentët dhe të rriturit për mënyrën e të ushqyerit?
Shijojeni jetën, por merrni prej saj ato më të shëndetshmet. Edhe diçka tjetër: s’ka gjë më të bukur sesa të informohesh për shëndetin dhe të krijosh një kulturë shëndetësore, ndaj i këshilloj të kërkojnë sa më shumë informacione mbi ushqyerjen e shëndetshme dhe rekomandime mbi aktivitetin fizik sipas moshës së tyre. Nëse do të drejtohen tek mjeku apo do të klikojnë në rrjet me këto fjalë kyçe, do të gjejnë informacionin e duhur. Në të kundërt mund të hasin faqe web jo profesionale, që mund t’i këshillojnë gabim dhe kështu mund të rrezikojnë shëndetin e tyre. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›