E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI prish marrëveshjen në nivelin vendor me PD, bashkon votat me PS

DURRES - Pas shkarkimit të anëtarit të KQZ-së, Lëvizja Socialiste për Integrim e ka shtrirë koalicionin me Partinë Socialiste edhe në qeverisjen vendore. Pas vendimit të një dite më parë për bashkimin e këshilltarëve të PS-së dhe LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, edhe në Durrës dhe Korçë këshilltarët e LSI-së kaluan krah PS-së në Këshillat Bashkiakë.  Bashkimi PS-LSI përmbysi raportin edhe në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, ku tashmë shumica i takon të majtëve 27 me 18.

Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmoi prishjen e marrëveshjes në nivelin vendor me PD-në edhe në komuna dhe këshillat e qarkut.
Kreu i LSI-së në Korçë, Stefan Germenji bëri të ditur se në qarkun e Korçës e majta kalon në mazhorancë, pasi nga 37 njësi lokale, e majta siguron 22.

Këshilltarët e LSI-së dhe PS-së në Bashkinë e Tiranës, duke qenë se kanë numrin e mjaftueshëm të këshilltarëve, kanë dorëzuar në Këshillin Bashkiak një shkresë, nëpërmjet së cilës kërkojnë mbledhje jashtë radhe. Ata kërkojnë shkarkimin e kryetarit dhe të nënkryetarit të këshillit, poste që aktualisht mbahen nga këshilltarë të djathtë.

Kryetari i ri i Këshillit Bashkiak të Tiranës do të jetë nga radhët e Partisë Socialiste dhe pritet të zëvendësojë Njazi Kosovrastin, ndërsa nënkryetari do të jetë i LSI-së dhe pritet të zëvendësojë Zamir Ndroqin, i cili mban aktualisht këtë post

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›