E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, një i vdekur dhe pesë të plagosur në 24 orë

Pesë aksidente të rënda automobilistike kanë përgjakur rrugët nacionale në Korçë dhe në Durrës. Në këtë të fundit ngjarjet rrugore kanë ndodhur ditën e mërkurë, ndërsa të aksidentuarit nga automjetet kanë qenë dy këmbësorë. Njëri prej tyre ka vdekur, ndërsa tjetra, një 60-vjeçare është në gjendje tejet të rëndë në spital. Aksidenti i parë ndodhi në superstradën Tiranë-Durrës, kur avokati 43-vjeçar Sokol Ndreu, ndërsa udhëtonte me automjetin e tij tip "Golf", me targa DR 6978 E, ka aksidentuar një të moshuar, i cili i ka prerë rrugën. Shtetasi Istref Rasimi, 76 vjeç ka gjetur vdekjen e menjëhershme pas përplasjes, ndërkohë që drejtuesi i automjetit është shoqëruar në ambientet e Policisë së Durrësit. Ndërkaq rreth orës 14:00, një tjetër aksident ka ndodhur në aksin rrugor që lidh Shkozetin me superstradën. Kamionçina me targa TR 8268 M, e drejtuar nga Gentjan Topalli, 33 vjeç nga Durrësi ka aksidentuar shtetasen Haxhire Muça, 60 vjeçe banore e Shkozetit, lagjes ku ndodhi ngjarja. Ajo është dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Ndërsa në Korçë, të paktën katër persona kanë mbetur të plagosur në aksidentet e 24 orëve të fundit. Një mjet i tonazhit të rëndë ka shkaktuar terror, kur pasi është përplasur me një dyqan buzë rrugës nacionale Korçë-Pogradec ka përfunduar në oborrin e një shtëpie, duke dëmtuar murin rrethues si dhe një mjet autoveturë të parkuar në brendësi të tij. Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së mërkurë, duke përhapur panik nga zhurma e madhe dhe tronditja e shkaktuar nga përplasja e fortë. Por ndërsa ky aksident është mbyllur me një të arrestuar dhe pa dëme në njerëz, dy aksidente të tjera kanë çuar në plagosjen e katër personave. Endri dhe Jongela Toshi përkatësisht 37 dhe 18 vjeç, kanë marrë plagë të rënda kur një mikrobus i ka ndërprerë lëvizjen mjetit tip autoveturë, me targa greke, me të cilin udhëtonin të dëmtuarit. Aksidenti ka ndodhur në orën 13:40 të së mërkurës, në kryqëzimin e Plasës, duke shënuar përplasjen e radhës mes mjeteve në të njëjtin vend, ku vetëm dy ditë më parë pati dy të dëmtuar të tjerë. Policia tha se mikrobusi që vinte nga fshati Rrëmbec i ka prerë rrugën veturës në kryqëzim, kur mjeti i vogël po lëvizte në autostradën që lidh Korçën me Kapshticën. Policia ka arrestuar 69-vjeçarin Petraq Tili si shkaktar për këtë ngjarje. Brenda një harku të shkurtër kohor policia është sinjalizuar për një tjetër aksident automobilistik që ka ndodhur në rrugën dytësore Korçë-Vithkuq, në afërsi të fshatit Leshnjë. Drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe doli nga rruga, duke çuar në plagosjen e dy pasagjerëve.

Va.Qy./Ju.Dh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›