Pronat shtetërore, ja procedurat e tjetërsimit
Miratohen kushtet dhe procedurat e tjetërsimit të sipërfaqeve të tokës me cilësi të veçantë, për llogari të fondit të kompensimit financiar.
TIRANË- Qeveria merr masa për gjetjen e mekanizmave të tjerë, krahas fondit të përcaktuar në buxhetin e shtetit, për rritjen e fondit të kompensimit financiar për ish-pronarët. Në mbledhjen e parë për këtë vit, Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin që përcakton kushtet dhe procedurën e tjetërsimit të sipërfaqeve të tokës me cilësi të
Veçantë, për llogari të fondit të kompensimit financiar. Në bazë të vendimit të miratuar dje, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ngarkohet të kryejë procedurën paraprake për tjetërsimin, në pronësi të pronarëve të ndërtimeve, kundrejt kërkesës dhe për llogari të fondit të kompensimit financiar, të sipërfaqeve të tokës, që plotësojnë cilësitë e veçanta, e, konkretisht: Sipërfaqet të jenë rrugëkalime parcelash bujqësore, sipërfaqe të zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje, të cilat kanë këto cilësi: a) Janë në pronësi të shtetit dhe të patransferuara në inventar të organeve të qeverisjes vendore; b) janë të përfshira brenda një pasurie të paluajtshme, në pronësi të kërkuesit apo që rrethohet ose lidh dy a më shumë pasuri të paluajtshme, po në pronësi të kërkuesit; c) brenda tyre ose në lidhje funksionale me to, kërkuesi të ketë ngritur ndërtesa banimi, sociale apo industriale; ç) janë në masë deri në 20 për qind të sipërfaqes së tokës, në pronësi të kërkuesit.
Pagesa
Procedura e tjetërsimit do të realizohet vetëm kur kërkuesit të kenë paguar në numrin e llogarisë së caktuar nga AKKP-ja, për llogari të fondit të kompensimit të pronave, kapar në masën 20% të kundërvleftës në lekë të sipërfaqeve, që do të tjetërsohen në pronësi të tyre, sipas çmimit të përcaktuar në metodikën e vlerësimit të pronës së paluajtshme. Kapari duhet të jetë paguar për llogari të fondit të kompensimit të pronave jo më vonë se 3 muaj nga data e marrjes së njoftimit prej AKKP-së. Për sipërfaqet e zëna nga impiante bonifikuese, kanale kullimi apo vaditjeje, duhet të jetë marrë, paraprakisht, miratimi nga ministria përkatëse. Në rastet e ndryshimit të projekteve, aplikuesi, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duhet të paraqesë dhe të ndërtojë, me shpenzimet e veta ndryshimet e mundshme në veprat në fjalë, për ruajtjen e funksionit. Kërkesa për tjetërsimin, për llogari të fondit të kompensimit, të sipërfaqeve të përcaktuara në këtë vendim, paraqitet nga kërkuesit pranë zyrës së AKKP-së në qendër, me postë rekomande. Krahas kërkesës, sipas formularit tip të miratuar nga drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, kërkuesit duhet të paraqesin edhe disa dokumente te caktuara.
Kalimi i pronësisë
Kalimi i pronësisë së sipërfaqes që do tjetërsohet për llogari të fondit të kompensimit financiar, bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, nëbazë të materialeve të paraqitura nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, brenda 10 ditëve nga data e mbërritjes së mandatpagesës origjinale, që vërteton pagesën e kaparit. Kalimi i pronësisë bëhet përmes kontratës standard të shitblerjes, sipas dispozitave të Kodit Civil. Për lidhjen e kontratës, Këshilli i Ministrave autorizon një përfaqësues.
Kërkuesit duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme:
a) Dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e kërkuesit mbi pasuritë e paluajtshme, të cilat ndodhen brenda apo rrethojnë ose lidhen nga sipërfaqja që kërkohet të tjetërsohet
b) Dokumentin e lëshuar nga ZRPP-ja, që vërteton pronësinë e shtetit mbi pasuritë e paluajtshme, që kërkohen të tjetërsohen
c) Planvendosjen e sipërfaqes së kërkuar për t’u tjetërsuar, të lëshuar nga ZRPP-ja.