Dobroshi fiton me “knockout”

ASA (Albania Sport Agency)-Petrit Dobroshi është rikthyer me sukses. Boksieri shqiptar që në ringun profesionist njihet me emrin Patrick "Prince" Dobroschi ka mposhtur të shtunën në "Konig-Pilsener-Arena" të Oberhausenit në Gjermani boksierin sllovak Richard Remen.
Edhe pse kishin kaluar më shumë se dy vite nga përballja e tij e fundit në ringun profesionist, pasi ishte detyruar që të pauzojë për shkak një lëndimi në dorën e majtë, Dobroshi është paraqitur në formë të shkëlqyer. Goditjet më të fuqishme të shqiptarit vinin pikërisht nga dora e majtë dhe në rundin e katërt të mecit të paraparë të zgjaste 6 runda, gjyqtari ka ndërprerë duelin e pabarabartë për të mbrojtur shëndetin e sllovakut Remen, duke i dhënë kështu fitoren e parë në karrierë të shënuar me "knockout".
Tani 27-vjecari Dobroshi ka një bilanc prej 4 fitoresh në po aq mece në ringun profesionist dhe pritet që së shpejti të aranzhojë edhe duelin e tij të pestë profesionist për të ngjitur sa më shpejt shkallët e renditjeve në boksin profesionist.