E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doctor Rohan

Ish-zëvendësi i emisarit special në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan është shprehur i kënaqur me mënyrën se si janë zhvilluar zgjedhjet lokale në Kosovë.
Diplomati austriak ka thënë se këto zgjedhje janë shenjë e mirë për procesin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, meqë sipas tij, ato tregojnë se fati i Kosovës nuk është kaosi, militantizmi ndëretnik ose fenomenet e ngjashme.

Sipas tij, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet lokale, dëshmon se ata, me gjasë, kanë filluar ta pranojnë se pavarësia e Kosovës është realitet që nuk ndryshon dhe se Plani Ahtisaari u ofron atyre një mundësi, përgjegjësi dhe të drejta më të mëdha.

Serbët në Kosovë duket sikur kanë filluar të pranojnë së pari: se pavarësia e Kosovës është një realitet dhe ai nuk do të ndryshojë dhe e dyta, propozimi ynë, i ashtuquajturi Plani Ahtisaari, iu ofron atyre një mundësi të madhe, ka thënë Albert Rohan në një intervistë për BBC në shqip.

Ai e ka konsideruar si zgjidhje të shkëlqyeshme daljen e serbëve në zgjedhje pavarësisht kërcënimeve të Beogradit zyrtar.

Në një afat të gjatë, nëse e shikoni interesin e këtyre njerëzve, ai duhet të bazohet në angazhim dhe pjesëmarrje. Në të kundërtën, ata nuk mund të kenë jetë në Kosovë, është shprehur diplomati austriak.

Ai ka thënë se do të vijë në Kosovë javën e ardhshme për të biseduar me liderët politikë të vendit rreth situatës në shtetin, kornizat e të cilit i bëri ai vetë gjatë punës gati trivjeçare në misionin e mbështetur nga OKBja, UNOSEK.

Në ditën kur Rohan konfirmoi se javën e ardhshme do të vijë në Kosovë, Senati i Universitetit të Prishtinës vendosi me shumicë votash që ta laurojë atë me çmimin Doctor Honoris Causa.

Në motivacionin e dhënies së këtij çmimi thuhet se ai i jepet Rohanit si shpërblim i punës së tij në procesin për pavarësimin e Kosovës, si hartuesi i dytë i Pakos së Ahtisaarit dhe ndihmës i Kryenegociatorit Martti Ahtisaari për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, Albert Rohan më 24 nëntor do tiu drejtohet edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seancë solemne.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›