Documenta 13

Një sallë e errët. As dorën para syve nuk mund ta shohësh. Në vesh të depërtojnë vetëm tinguj dhe pasthirrma. Vizitori i çuditur i Documenta-s, që hyn në sallë, është i hutuar. Ngadalë ai vëren një duzinë valltarësh, që lëvizin rreth tij. Orientimi është ajo, që kërkohet. A bëhesh këtu pjesë e ngjarjes, apo valltarët lëvizin edhe pa spektatorë? Një përjetim i rrallë dhe spektakolar i hapësirës. Artisti gjermano-britanik Tino Sehgal dhe kompania e tij e valltarëve përbëjnë pikën kulmore të Documenta-s në Kassel. Documenta (13) thyen të gjitha konceptet tradicionale të artit. Inskenimi i Sehgal i përshtatet konceptit të Documenta (13) thotë kuratorja Carolyn Christov-Bakargiev.
Art apo jo art? Kjo është pyetja
"Documenta (13) nuk merret me përpjekjen të interpretojë përmes artit kushtet historike, të shqyrtojë se si gjuha dhe materialet e artit mund t'i shprehin këto rrethana historike. Ajo trajton më shumë momente traumatike, pika kthese, aksidente, fatkeqësi, kriza. Ngjarjet, që formësojnë ato momente, në të cilat ndryshon bota."
Christov-Bakargiev predikonte në prag të spektaklit të artit në Kassel se nuk ka koncept. Kjo tingëllon lozonjare, por mund të jetë edhe një koncept: Të lejojë çdo gjë, të mundësojë gjithçka, të flitet për gjithçka. Ajo që prezantojnë pjesëmarrësit në Dokumenta, mund të jetë apo jo art, por veprimet e tyre, gjestet, mendimet dhe njohuritë krijojë rrethana dhe prodhohen nga këto rrethana, që mund t'i interpretosh si art", u shpjegonte Christov-Bakargiev gazetarëve nga e gjithë bota. "Kufijtë midis asaj që është art dhe çfarë nuk është, janë të parëndësishme." Edhe kjo është një koncept: "Documenta është një gjendje mentale."
Shkencëtarë të të gjitha fushave
160 artistë ka ftuar Christov-Bakargiev në Kassel. Pjesëmarrësit e Dokumenta-s (13), vijnë siç thotë Christov Bakargiev, nga të gjitha fushat e artit, por edhe nga sektorë të tjerë. Ajo ka ftuar shkencëtarë, biologë, fizikanë, arkitektë dhe planifikues agrarë, filozofë, antropologë, ekonomistë, gjuhëtarë dhe letrarë. Të gjithë këta pjesëmarrës duhet të hapin hapësira të mendimit, të kapërcejnë përfytyrimin konvencional të arteve figurative.
Në këtë skemë rri mirë edhe David Link, që jeton në Këln. Ai është artist, teoricien i medias dhe programues. Në performancen e tij në Documenta ai merret me temën "njeriu dhe makina". Link injoron gjithashtu modelet e zakonshme të të menduarit: "Interesante dhe qesharake në historinë e shkencës është, që gjithmonë njerëzit, të cilët bëjnë punën praktike, injorohen. Në zhvillimin e kësaj makine është për shembull kështu: Historia e teknikës njeh një përfaqësues, Alan Turing, i cili në vitin 1936 pati idenë teorike për këtë kompjuter, një matematikan. Por të gjithë inxhinierët, që kanë bërë që ky kompjuter të bëhej realitet, janë harruar krejtësisht. Për to nuk flet askush”.
Jetë e re në dhomat e vjetra
Amerikani Theaster Gates ka marrë në dorë një nga projektet më të mëdha e ndoshta më të pazakonta të Documenta (13). Një shtëpi banimi dhe hotel shumëkatësh i ndërtuar në vitin 1826 në Kassel, shtëpia e hugenotëve, e cila ishte dëmtuar rëndë gjatë luftës dhe që ka qëndruar e zbrazët që nga viti 1970, Gates e ka kthyer në një lloj bashkësie kulturore gjermano-amerikane. Prej disa javësh atje jetojnë dhe punojnë të rinj nga Çikago dhe Kassel. Qëllimi i artistit dhe aktivist amerikan: të zhvillohen modele të reja të të jetuarit së bashku dhe të shkëmbimit kulturor "për t'iu kundërvënë rrjedhës së zakonshme të gentrifikimit", thotë Gates. "Në vend të kësaj përmes bashkëpunimit dhe përdorimit të përbashkët të njohurive, burimeve dhe ideve mund të përmirësohet ndjeshëm jeta."
Në Kassel, shtëpia e hugenotëve është e hapur për të gjithë vizitorët. A mund të hyjnë në çdo dhomë dhe t'i shikojnë, përveç dhomave të gjumit, dhe të bisedojë me banorët. Një pjesë utopie e jetuar në një skulpturë gjigante, që mund ta shëtisësh në këmbë."
Një makinë, që shkruan letra dashurie. Valltarë dhe këngëtarë në një dhomë të errët, që u japin vizitorëve një eksperiencë të re të hapësirës dhe një shtëpi e tërë si një laborator i ardhshëm për të jetuar dhe punuar së bashku. Tre prej 160 artistëve të Documenta-s (13). Carolyn Christov-Bakargiev ka hapur horizonte të reja me konceptin, apo pa konceptin e saj, të ekspozitës botërore në Kassel. Më pak me idetë e saj teorike, sa me përzgjedhjen e artistëve dhe shkencëtarëve. Aleksander Fahrenholz nga ekipi dokumenta ka të drejtë kur thotë: “Askush nuk ikën nga Documenta pa u bërë një tjetër njëri”. Çfarë lumturie dhe emocioni, që edicioni i 13 i Documenta-s, pas pesë viteve të përgatitjes, hap më në fund dyert e saj. Deutsche Welle