E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doda: Imuniteti, PS pretendime absurde – drafti u hartua me konsensus

28-07-2012 / Gazeta 55

Deputetja e PD: Heqja e imunitetit të zyrtarëve, hap i rëndësishmë në luftën anti-korrupsion dhe për procesin integrues të vendit

Deputetja e PD dhe njëherazi nënkryetarja e komisionit parlamentar të Integrimit, Mesila Doda i cilëson të pabaza kushtet e Partisë Socialiste (përmes paketës së ndryshimeve Kushtetuese), në këmbim të votës për heqjen e imunitetit. Në një deklaratë për mediat ajo tha se, logjika e thjeshtë, duhet të çojë opozitën për të votuar në parlament, pasi palët tashmë kanë rënë dakord për draftin e përbashkët. Deputetja e PD i bën thirrje lidershipit socialist se, heqja e imunitetit të zyrtarëve, është një hap i rëndësishmë në luftën kundër korrupsionit dhe për procesin integrues të vendit. “Heqja e imunitetit ka të bëjë me atë pjesë që quhet forcimi i shtetit të së drejtës. Kjo do të thotë se pritet heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë e cila ndikon drejtpërdrejt në luftën kundër korrupsionit dhe me forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Do të ishte një sinjal shumë pozitiv që do t’i jepej Brukselit nga parlamentarët shqiptarë. Mendoj se, logjikisht, do të jenë në seancën plenare të 6 gushtit dhe do të votojnë heqjen e imunitetit pasi, drafti të cilin kemi miratuar është në shumicën e tij dërrmuese kërkesë e opozitës”- u shpreh Doda. 
Mbyllja e reformave të rëndësishme në parlamentin shqiptar janë një garanci më shumë për procesin integruese të Shqipërisë. Nënkryetarja e Komisionit të integrimit, Mesila Doda thotë se ndërsa po punohet për të 12 rekomandime te Bashkimit Europian, sa i përket kritereve politike janë hedhur shumë hapa përpara. “Sa i takon pjesës së kritereve politike, kemi një përmirësim të dialogut politik, ka përfunduar reforma zgjedhore, duhet të përfundojë reforma parlamentare, ndërsa mbeten disa pika për konsensusin e opozitës. Jam shumë optimiste dhe këtë optimizëm e bazoj në punën e deritanishme të parlamentit”- tha deputetja e PD.

Me 12 tetor Bashkimi Europian pritet të japë vendimin për statusin kandidiat të Shqipërisë në union. Në atë çka tha pak ditë më parë ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të marrë një vlerësim pozitiv nga provimi i vjeshtës dhe të përfitojë statusin e vendit kandidat në 100 vjetorin e Pavarësisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›