E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat shqiptare do të përafrohen me ato të BE-së

Projekti në fjalë është prezantuar sot në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmuth Lohan, i cili theksoi se është pikërisht harmonizimi i procedurave doganore që shpjegon në masë të madhe suksesin e Tregut të Brendshëm të BE-së.

"BE-ja po investon kaq shumë burime për t’i harmonizuar doganat e saj me ato të vendeve anëtare të BE-së pikërisht prej perspektivës evropiane të Shqipërisë. Që Shqipëria të harmonizojë procedurat doganore me ato të vendeve të BE-së do të thotë të provosh integrimin evropian në një formë konkrete, të prekshme. Do të thotë të bëhesh pjesë e një tregu të gjerë ku rregullat e lojës njihen, respektohen dhe janë nxitëse për biznesin", theksoi Lohan.

Binjakëzimi mes autoriteteve shqiptare, Administratës Doganore Austriake dhe mbështetjes së Shërbimit Doganor Polak do të sjellë në Shqipëri ekspertë nga Vendet Anëtare për të plotësuar legjislacionin e Shqipërisë në këtë fushë duke e përafruar atë me legjislacionin e BE-së; për të zbatuar Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Kufijve; për të përgatitur Shqipërinë t’i bashkohet Konventës për Transitin e Përbashkët.

Projekti prej 2 milion euro do të vazhdojë deri në vitin 2012 dhe do të zbatohet nga Administrata Doganore Austriake me mbështetjen e Shërbimit Doganor Polak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›