E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganierët para për lirinë

 

Fatos Mahmutaj 

Katër doganierët e prangosur në operacionin "Porosia" do të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e prokurorisë për rikonfirmimin e masave të sigurisë lëshuar në mungesë katër ditë më parë. Kështu, para gjyqtarit të gatshëm të kësaj jave, Martin Deda, prokurori kryeqytetas i Task-Forcës, Besnik Cani kërkoi komunikimin e masave të sigurisë "arrest në burg" për katër zyrtarët Engjell Dylgjeri, Xhevdet Mali, Ylli Sharri dhe Olgert Isa, ndërsa tre kolegëve të tyre doganierë Frida Guxia, Sofokli Qose dhe Ilmi Krantia iu komunikuan masat e sigurisë "detyrim paraqitjeje", njëlloj siç ishin vendosur katër ditë më parë. Burime nga procesi pohojnë se të pandehurit mbajtën qëndrim mohues ndaj akuzave "korrupsion pasiv, të personave të ushtrojnë funksione publike", "shpërdorim detyre", "korrupsion pasiv në sektorin privat", dhe "falsifikim dokumentesh", ndërsa mbrojtësit e tyre ligjorë kërkuan lirimin e klientëve. I pandehuri Ylli Sharri, 46 vjeç, komisionar pranë Lejeve të Drejtimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë ofroi në këmbim të lirisë garanci pasurore në masën që do ta vlerësonte gjykata, por togat e zeza pas kundërshtimit të prokurorit vendosën ta refuzonin këtë masë.
Akuza
Sipas prokurorisë, dy agjentët doganorë të kryeqytetit Engjëll Dylgjeri dhe Xhevdet Mali; komisionari Ylli Sharri; inxhinieri pranues i dokumenteve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, Olgert Isa; si dhe tre doganierët kryeqytetas Frida Guxia, Sofokli Qose dhe Ilmi Krantia, dyshohen se në bashkëpunim me njëri - tjetrin në kohë dhe vende të  ndryshme, kanë bërë të mundur zhdoganimin dhe targimin e mjeteve në pronësi të shtetasve të ndryshëm, me dokumentacion të falsifikuar, duke përfituar shumat e parave që shkojnë nga 4 deri në 5 milion lekë të vjetra për një zhdoganim dhe targim mjeti. Po kështu dje në gjykatë prokuroria paraqiti provat për të paktën dy raste të tilla, duke vërtetuar pretendimet para gjykatësit të çështjes.
Falsifikimi
Sipas prokurorisë, mjetet, të cilat ishin pajisur me dokumentacionin e plotë në institucionet shqiptare rezultojnë të vjedhura në Itali. Pasi kanë mbërritur në Shqipëri, pronarët e tyre nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të huaja, duke pretenduar se makinat ishin blerë, kanë aplikuar për plotësimin e mëtejshëm të dokumenteve të tjera. Kështu fillimisht ata kanë siguruar dokumentacionin e plotë më të cilin vërtetonin se mjetet kishin hyrë në mënyrë të ligjshme në territorin shqiptar. Pas kësaj është aplikuar në institucionet doganore ku është siguruar zhdoganimi i tyre, konform ligjeve. Më pas disa prej këtyre mjeteve kanë ndryshuar pronar, pasi janë shitur edhe pse në vendet e ku janë vjedhur kërkohen prej autoriteteve policore në bazë të denoncimeve që kanë bërë pronarët e dëmtuar. Ndërkohë, prokuroria pohoi dje se tashmë ka mbledhur prova të mjaftueshme në ngarkim të së akuzuarve. Sipas përfaqësuesit të akuzës, veç deklarimeve që kanë dhënë të pandehurit në momentin e prangosjes si dhe dëshmitarët e tjerë, ka rezultuar se qytetarë të ndryshëm apo trafikantë të makinave të vjedhura porositnin dokumentacionin e nevojshëm për t'i bërë të ligjshme makinat dhe më pas i shitnin. Sipas prokurorisë mendohet se shuma e prodhimit të dokumenteve të falsifikuara, derisa bënte të "ligjshme" mjetet shkonte deri në 5 milionë lekë të vjetra.

Fillon verifikimi për mjetet që zhdoganuan të pandehurit
TIRANE - Pas mbylljes në qeli të katër punonjësve të doganave dhe masa e sigurisë "detyrim paraqitjeje" për tre doganierë të tjerë, prokuroria e kryeqytetit ka nisur verifikimin e disa mjeteve që mendohet se janë vjedhur në vende perëndimore dhe janë shitur më pas në Shqipëri me dokumente të rregullta. Të paktën dje gjatë seancës së masës së sigurisë në gjykatën e kryeqytetit prokuroria pohoi se ka mbledhur provat e duhura me të cilat do të vërtetojë në gjykim falsifikimin e dy mjeteve që rezultojnë të vjedhura në Itali. Sipas prokurorisë të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dhe më pas kanë plotësuar me dokumentacionin duhur këto mjete, të cilat lëviznin lirshëm nëpër territorin shqiptar, edhe pse në shtetin italian rezultojnë të vjedhura. Po kështu prokuroria pohoi dje se tashmë ka nisur verifikimin e të gjithë praktikave të zhdoganimit apo plotësimit të dokumentacionit të mjeteve, në të cilat kanë firmosur të akuzuarit. Provat në ngarkim të tyre, sipas prokurorisë janë dokumente të falsifikuara, të cilat janë zbuluar falë përgjimeve telefonike mes të akuzuarve. Kjo ka bërë që prokuroria të sekuestronte dosjet e këtyre mjeteve dhe dokumentet e tyre që ndodhen nëpër institucione të tjera. Po kështu, në bazë të përgjimeve, që në disa raste kanë zgjatur edhe në periudha të gjata kohore, të pandehurit kanë folur me njëri tjetrin apo me qytetarët e ndryshëm, për porosi të dokumentacionit të mjeteve të tjera që kanë hyrë në Shqipëri apo që pritet të sillen nga jashtë, pasi janë vjedhur në vende të ndryshme perëndimore. Hetimet në ngarkim të të pandehurve kanë nisur rreth një vit më parë, në bazë të denoncimeve të mbërritura nga policitë e vendeve perëndimore, qytetarët e të cilëve janë dëmtuar nga vjedhjet. Po kështu pohohet se mjetet pasi janë verifikuar nga policia dhe prokuroria janë bllokuar, ndërkohë që po kryhen hetime për të tjera mjete që kanë hyrë në të njëjtën mënyrë në Shqipëri.                                     fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›