E Shtunë, 31 Tetor 2026

I konvertohet gjoba, do vuajë 40 ditë burg

 

TIRANE - Drejtoria e Policisë e kryeqytetit pohoi dje se ka vënë në pranga një të ri nga Lushnja të dënuar me 40 ditë burg. Sipas njoftimit zyrtar të bluve, bëhet fjalë për të riun Namik Leka, me origjinë nga qyteti i Lushnjës, i cili një vit më parë ishte dënuar nga Gjykata e Kavajës me 2 milionë lekë të vjetra gjobë pasi ishte gjetur fajtor për akuzat: "fyerje për shkak të detyrës" dhe "mosbindje ndaj punonjësit të policisë së rendit publik". Dënimi për të është dhënë më datë 18 prill të vitit të kaluar, ndërsa pas marrjes së formës së prerë të këtij vendimi i është kërkuar të riut për ta ekzekutuar vullnetarisht atë duke shlyer gjobën. Por edhe pse ka kaluar afati gjashtëmujor i vendosur nga gjykata ai nuk e ka shlyer gjobën, çka ka detyruar prokurorinë për të kërkuar konvertimin e gjobës në burg. Duke llogaritur 50 mijë lekë të vjetra çmimin e një dite burg, Gjykata e Kavajës e ka konvertuar në 40 ditë burg dënimin e të riut. Pas kësaj emri i 24-vjeçarit Namik Leka është vendosur në listën e personave të kërkuar, ndërsa u arrit të prangosej nga efektivët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në policinë e kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›