E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Vizat para aplikimit

 

Nga i derguari yne ne brukseL Adi Shkembi

Megjithëse Shqipëria do të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat në fund të këtij muaji, Bashkimi Evropian i bën thirrje Tiranës zyrtare të fokusohet më shumë në liberalizimin e vizave. Unioni thekson se shembja e kufijve mes Shqipërisë vendeve të hapësirës “Schengen” është në radhë të parë në interesin e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë BE-ja vlerëson pajisjen e qytetarëve me kartat e reja të identitetit, të cilat i cilëson si elementë të besueshëm për zgjedhjet e 28 qershorit.
Vizat
Burime zyrtare nga Komisioni Evropian thanë për gazetën “Panorama” pak ditë më parë në Bruksel se çështja kryesore për qeverinë shqiptare tani duhet të jetë pikërisht ajo e liberalizimit të lëvizjes për shtetasit shqiptarë. “Çështja në të cilën duhet të fokusohet qeveria shqiptare në këtë moment dhe në këtë situatë ku ndodhet Bashkimi Evropian është pikërisht liberalizimi i vizave dhe jo paraqitja e kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat”, thanë për gazetën burimet pranë Komisionit Evropian. Ndërkohë ky qëndrim i Komisionit Evropian mbështetet edhe nga deputetët e Parlamentit Evropian. Eurodeputeti çek, Libor Roucek, i cili është edhe raportues i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, tha gjatë një prononcimi për gazetën se qytetarët shqiptarë duhet të shohin diçka reale dhe të prekshme dhe kjo është pikërisht marrëveshja e liberalizimit të vizave. “Ne nuk po e nxisim qeverinë shqiptare, por nëse qeveria juaj ngul këmbë, atëherë ne nuk mund ta ndalojmë të aplikojë. Po i themi Shqipërisë se ai aplikim nuk ndryshon asgjë nëse e dërgon. Shqipëria do të aplikojë por do të mbetet aty. Ajo çfarë është më e rëndësishme është të përqendrohet në marrëveshjen e liberalizimin e vizave, se sa të mbeten peng të procedurës burokratike siç është aplikimi. Shqiptarët duhet ta shohin diçka reale, siç është liberalizimi i vizave. Kjo mund të realizohet brenda një viti”, tha Libor Roucek. Duke marrë një shembull konkreti, ai tha se është absurde që kompania e prodhimit të makinave “Skoda” mund të marrë punëtorë nga Vietnami apo Mongolia për shkak se ata kanë të drejtë të hyjnë në vendet e BE-së dhe jo nga Shqipëria pikërisht pse mungon një marrëveshje për liberalizimin e lëvizjes së qytetarëve.
Zgjedhjet
Një tjetër çështje e rëndësishme për Komisionin Evropian ishte pikërisht pajisja e qytetarëve me kartat e identitetit. Sipas zyrtarëve të lartë të këtij organizmi ishte për t’u vlerësuar fakti se qytetarët po pajiseshin me dokumentin e ri të identifikimit, teksa shtuan se cilësia e këtyre dokumenteve ishte më e mirë se ajo e disa vendeve anëtare të BE-së. Por sipas tyre, duhen marrë të gjitha masat që të gjithë qytetarët të pajisen me këto dokumente dhe asnjë qytetar, që do të votojë të mos pengohet për të marrë kartën. Zgjedhjet e 28 qershorit janë një pikë kyçe për integrimin e Shqipërisë në BE, tha një zyrtar i lartë i Këshillit të Komisionit Evropian. “Ajo që bëj gjithnjë në Tiranë për zgjedhjet u them që të gjithëve që të punojnë bashkë, në mënyrë që askush të mos ankohet për zgjedhjet dhe të njihen nga komuniteti ndërkombëtar. Nëse do të dështojë diku, atëherë njerëzit do të mendojnë se shqiptarët kanë probleme me zgjedhjet, pasi nuk bëjnë dot zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha eurodeputeti Roucek lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›