E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Histori me zhurmues” për të mos harruar

 

Alma Mile

Jeta është një short. Është si ajo hedhja e monedhës, “kokë apo pilë”. Gjatë viteve të diktaturës komuniste, shortin nuk e hidhte ndonjë qenie superiore, por “pushteti popullor”. Kanë kaluar 20 vjet që atëherë. Janë aq sa pak edhe shumë. Pak, sepse ka ende njerëz që plagët i kanë të hapura, por shumë për të qenë një kohë e pajetuar, për atë brez që ka ardhur në jetë në vitet ’90. Në formën e një kujtese, çdo të diel në orën 21:00 në ekranin e Tv “Klan” vjen emisioni “Histori me Zhurmues”. Një program nga Pandi dhe Bledi Laço, i cili na kthen pas në kohë, në vitet e luftës së klasave, të planeve 5-vjeçare, aksioneve, dekadave të majit. Përmes një formati interesant, vijnë histori, personazhe, të nxjerrë prej materialeve arkivore, prej kronikave televizive bardhë e zi të kohës. Dëshmitarë realë tregojnë për eksperiencat e tyre. Shumë syresh janë të dhimbshme, të tjera kanë shumë ironi e absurd. Ideatori dhe moderatori i këtij programi, Pandi Laço, tregon për fillesat e emisionit, qëllimin dhe punën në arkiva e në terren. 
Jemi mësuar t’ju shohim brenda formateve të spektakleve muzikore, si ju lindi ideja për të bërë një emision si “Histori me zhurmues?
Ishte një ide që lindi nga një tjetër ide e mëparshme. Lindi që në përfundim të “Këngëve të Shekullit”, që në të vërtetë nuk është shumë larg këtij emisioni, përveç faktit që është marrë vetëm me muzikën e një periudhe. Kur 2-3 herë punova në Arkivin Qendror të Filmit, ku mora disa materiale arkivore, që kanë të bëjnë me muzikën, artin, pashë që njerëzit që i kanë jetuar ato vite ishin shumë kuriozë, për të parë se si kanë qenë. Si ka qenë muzika, si kanë qenë kostumet, moda, si është jetuar.. Por mendova diçka më tepër. Brezat që nuk e kanë jetuar atë periudhë, është mirë të kenë një dritare për të parë atë botë, për të kuptuar se çfarë është ajo kohë. Na duket sikur është shumë e afër, por në të vërteta janë bërë 20 vjet që nga vendosja e sistemit demokratik, që do të thotë që të rinjtë e sotshëm nuk e kanë idenë se çfarë ka ndodhur në fund të ’80, për të mos folur për vitet ’70, apo ’60. Kështu që ideja për të bërë një program, edhe show, edhe dokumentar, më solli bashkë me Bledin në krijimin e një formati origjinal. Nuk mungoi skepticizmi i fillimit. Fatmirësisht producenti i programit, Aleksandër Frangaj ishte shumë entuziast, aq sa donte të ishte vetë producent i tij dhe jo “Promotor”.
Nga burojnë personazhet tuaja?
Sapo mbaruam «Maratonën e Këngës popullore», në muajin shtator u drejtova në Arkivin e Filmit, ku paraqita projektin tim sipas të cilit në program, përveç kronikave dokumentare, arkivore, kinoditarëve, që shfaqeshin dikur, do vijnë edhe personazhet e asaj kohe. Personazhe e histori ka shumë, por thelbi i këtij programi është që të merret me kronikën, dëshmitarët realë, personazhet e atyre kronikave. Të paktën ky ka qenë një nga synimet kryesore dhe 80-90% e personazheve që vijnë, dalin nga kronikat. Ata tregojnë përjetimin e tyre atëherë dhe këndvështrimin që kanë sot.
Sa e vështirë ka qenë për të rënë në gjurmë të personazheve dhe sa të gatshëm kanë qenë ata për të folur ?
Ka qenë e vështirë për t’i gjetur personazhet, sidomos ata të pasluftës, pasi një pjesë e mirë e tyre nuk jetojnë më. Është bërë një gazetari e mirëfilltë investigative, për të gjetur njerëz që kanë lidhje me ato ngjarje, që banojnë edhe në zonat më të humbura të Shqipërisë, apo janë larguar jashtë shtetit, në emigracion.. Por për fat të mirë kanë qenë shumë të gatshëm për të folur. Në fillim ndoshta ishte e vështirë, sa njerëzit nuk e njihnin formatin, por sa u mësuan me të, ishin shumë të gatshëm për të folur. Për më tepër që në këtë program nuk u kërkohet të mbajnë qëndrime politike dhe unë nuk jam në rolin e një gazetari që gërmon shumë. I lë ata të tregojnë vetë historitë e tyre. Por na ka ardhur shumë në ndihmë edhe adresa e e-mailit që kemi hapur, ku na vijnë propozime nga njerëz të ndryshëm, që na shkruajnë për historitë e tyre, apo të të tjerëve.
Megjithatë jo shpesh herë është e lehtë të gërmosh në të kaluarën tënde…
Kjo është e vërtetë, sidomos për një kategori njerëzish që janë shumë të rezervuar. Mund t’ju kujtoj historinë e truprojës së Mehmet Shehut. Ai dhe bashkëshortja, të cilët erdhën tek ne me hezitim, kishin folur për shtypin në lidhje me asgjesimin e Mehmet Shehut, por asnjëherë kjo histori nuk ishte parë në rrafshin personal, pra çfarë ndodhi me të dhe me familjen e tij. Është e qartë se jo çdo histori përcjell emocion, ka nga ato që janë të ftohta, që kanë vetëm vlera dokumentare, që lidhen me sportin, prodhimin, ndërtimin e vendit, por ka edhe histori me ngarkesa të mëdha emocionale. Janë ato që i japin më shumë vlera emisionit.
Mund të na kujtoni ndonjë histori, e cila ju ka përfshirë edhe ju vetë emocionalisht?
Ka disa histori të tilla. Një ndër to është historia e Rrok Vuksanit. Ai sot është 50 vjeç, por ishte vetëm 2- vjeçar, kur të atit iu vu damka e kulakut dhe u pushkatua si “armik i pushtetit”. Apo historia e një familjeje ruso-shqiptare. E një ruseje dhe dy vajzave binjake, të cilat duhet të përballonin jetën pas pushkatimit të burrit të familjes, një inxhinieri shqiptar. Ato nuk mësuan kurrë se përse dhe ku u pushkatua njeriu i tyre i dashur. Pra, janë histori tronditëse, që dikur i kemi dëgjuar nën zë, por kur kontakton me njerëzit që i kanë jetuar, nuk i shpëton dot ngarkesave emocionale.
Mendoni se ky emision mundet deri diku të hedhë dritë mbi ngjarje të mbetura pezull?
Jam i bindur që po. Nuk them që ky program mund të hapë dosje, apo të zgjidhë çështje, por ka histori delikate, që kanë lënë hije dhe ky emision mund të ndihmojë për të zbardhur diçka. Mund t’ju sjell rastin e një teleshikuesi të thjeshtë, i cili pasi kishte dëgjuar historinë e Rrok Vuksanit na shkroi se mund të na ndihmonte. Ai njihte një person që ka qenë në skuadrën e pushkatimit, i cili edhe pse i moshuar tashmë, mund të tregojë për vendet e ekzekutimit dhe vendet ku janë groposur të vrarët.
Ju thatë se ky emision do të shërbejë edhe si një lloj memorieje, mendoni se shqiptarët harrojnë shpejt?
Mendoj se shqiptarët harrojnë shumë shpejt dhe këtë bindje e kam forcuar në këtë emision. Në momentin që e fillova, isha i bindur që nuk do të kishte ndonjë impakt tek brezi i ri, ndonëse e testova tek vajza ime e madhe, studente. Ajo shprehu interesin për të ditur më shumë, pasi kjo është një kulturë, e cila mbetet shumë e panjohur për bashkëmoshatarët e saj. Ndërsa te brezat që e kanë jetuar këtë kohë, kam gjetur një mbështetje shumë të madhe morale. Pa dallim ngjyre, politike, apo moshe, të gjithë kanë shprehur kënaqësinë që po kujtojnë këto kohë. Është një memorie, e cila duhet të rifreskohet herë-herë. Bota këtë e bën vazhdimisht, duke përdorur median dhe kinemanë. Por këtu për disa vite, media ishte e orientuar ndaj fenomeneve të reja, u fokusuan në programet reality, të cilat janë futur rëndom në kulturën televizive, por mediat serioze merren shumë edhe me historinë, apo kulturën e vërtetë të një kombi.
Kjo do të thotë se do hiqni dorë për ca kohë nga spektaklet muzikore?
Absolutisht jo. Shpresojmë që gjatë verës të vazhdojë “Maratona e Këngës Popullore” me “Promotor”, Adi Hilën dhe Bledin (Laçon) e ndoshta me të njëjtin staf, që kemi punuar edhe më parë. Nga shtatori dua të nis një tjetër program nga pozitat e producentit, një spektakël me karakter muzikor. Por “Histori me zhurmues” do ta vijoj edhe më tej, sepse e ndiej se më plotëson një pjesë që edhe unë si shumica e shqiptarëve i kisha vënë një zhurmues.

Emisioni
“Histori me zhurmues” është në ciklin e tij të parë, i cili mendohet të mbyllet në muajin qershor, për të rinisur në muajin shtator në sezonin e ri televiziv. Ndërsa janë dhënë 17 seri, Pandi Laço thotë se llogariten rreth 50 syresh. Në krah të tij janë 3-4 redaktorë të rinj, por nuk ka munguar edhe konsulenca e disa kolegëve, si Mentor Nazarko, apo Dashnor Kaloçi. Ndërsa arkivat ofrojnë histori e personazhe, të tjera ofrohen çdo ditë, duke e pasuruar më tej programin. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›