Dogjani: Qeveria të japë shpjegime për tunelin
“Gjatë fushatës zgjedhore, Sali Berisha u premtoi shqiptarëve se Shqipëria do të lidhte me Kosovën përmes rrugës së kombit. Sot, 6 muaj pas zgjedhjeve, të vërtetën e të cilave Sali Berisha e mban fshehur në kutitë e mbyllura të votimit, tuneli që do të lidhje dy vendet tona, gjendet i shembur”, u shpreh deputeti, Asllan Dogjani. “Situata në këtë dimër, është shumë e rëndë për zonat veriore të Shqipërisë. Jo vetëm që rruga e premtuar nga Berisha nuk bashkoi dot edhe këtë dimër Shqipërinë me Kosovën, por është pikërisht kjo rrugë, ai tunel që u shemb bashkë me korrupsionin e kësaj qeverie, që sot mban të izoluar, të ndarë nga pjesa tjetër e vendit, gjithë zonën e veriut”, theksoi deputeti i PS-së. Ai shtoi se veriu i vendit është i izoluar nga bora dhe ngrica, ndërsa qeveria vazhdon me heshtjen e saj ndaj këtij tuneli. Ai kërkoi një përgjigje nga qeveria, pasi festa e Vitit të Ri po afron ndërsa qytetarët e Kukësit dhe zonave të Kosovës nuk kanë me se të lidhen me Tiranën.