E Diel, 1 Nëntor 2026

Dogji burrin me vaj të nxehtë, gruaja nuk lejohet në varrim

Shtëpia e viktimës

FIER – Pendohet nga qelia e spitalit për vrasjen e burrit me vaj të djegur 55-vjeçarja Dallandyshe Kasa. Që nga momenti i krimit dhe shtrimit të saj në spital, Kasa është braktisur nga fëmijët dhe familjarët e saj. Dallandyshja vazhdon të jetë në ambientet e spitalit të Fierit në gjendje të rëndë shëndetësore. Mjekët, të cilët po e mbajnë nën kontroll shëndetin e gruas, kanë deklaruar se gjendja e saj nuk po përmirësohet, pasi ka marrë goditje gjatë përleshjeve edhe në kokë. Ajo ka dalë nga reanimacioni dhe po mbahet në dhomën e izoluar të spitalit, ku po qëndron pas hekurave. Në derën e dhomës vazhdojnë të bëjnë roje dy policë të komisariatit, të cilët nuk lejojnë asnjë kontakt me gruan. E, ndërsa blutë vazhdojnë ta mbajnë nën masa të rrepta sigurie, brenda mureve të nxehta të dhomës së mbyllur endet e pashpresë gruaja që vrau burrin e vet, Xhelo Kasa, me të cilin kishte mbi 30 vjet martuar. Nga jashtë derës dëgjohen vetëm të bërtitura të gruas deri në qarje me dënesë. Ajo kërkonte dje që të lejohej të shkonte te varrimi i të shoqit. Nga jashtë derës gruaja dëgjohej teksa thoshte: Më lini të shkoj tek im shoq. Ta varros vetë dhe ti kërkoj falje. Mos ma bëni këtë. Bluzat e bardha tregojnë se gjendja e saj paraqitet jo e mirë, por nuk ka rrezik për jetën. Mësohet se nga grupi hetimor është tentuar të pyetet 55-vjeçarja, e cila ka treguar se ndodhi gjithçka e papritur. Madje, sipas burimeve nga grupi hetimor, Dallandyshja ka thënë se do të donte ta kthente pas kohën, pasi viktima ishte babai i fëmijëve të saj. Pendimi i gruas nuk është parë dhe as dëgjuar nga të afërmit, qofshin të afërm të saj apo dhe të të shoqit. Të gjithë e kanë bojkotuar, por nuk dihet nëse ata po e dënojnë për ngjarjen e rëndë të së enjtes, apo janë marrë me organizimin e ceremonisë mortore të 62-vjeçarit, e cila u zhvillua ditën e djeshme. Megjithëse u deklarua se mesditën e së premtes, e ndaluara me akuzën e vrasjes në rrethana rënduese do të shoqërohej për në ambientet e Komisariatit të Fierit, blutë tregojnë se duke parë gjendjen shëndetësore, ajo do të vazhdojë të qëndrojë në ambientet spitalore. Rreth orës 10:00 është përcjellë për në banesën e fundit 62-vjeçari Xhelo Kasa, viktima e vrasjes me vaj të nxehtë nga gruaja. Në ceremoninë e varrimit kanë qenë të afërm të familjes së 62-vjeçarit si dhe familjarë të Dallandyshes.                   m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›