Dogji me acid ish gruan, arrestohet
Policia arrestoi dje autorin e sulmit me lëndë kimike të dy femrave në kryeqytet
TIRANË- Personi që dyshohet se ka djegur dy ditë më parë me acid qëllimisht dy femrat në Tiranë, është arrestuar nga Policia e kryeqytetit me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje. Elton Alia, 26 vjeç, me banim në Tiranë, ka përfunduar në prangat e policisë, pas tentativës që ka bërë për të djegur me lëndën acid ish- bashkëshorten e tij dhe një femër tjetër.
Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës, pohuan dje se 26- vjeçari dyshohet se rreth orës 16 e 30 minuta të ditës së mërkurë, në rrugën "Maliq Muca", iu ka hedhur në pjesën e fytyrës lëndën djegëse ish- bashkëshortes së tij e njohur me emrin Sabina Karaj, 23 vjeç, dhe Dhurata Tërshanës, 25 vjeç, e cila në ato momente ishte bashkë me 23 -vjeçaren Karaj.
Pas arrestimit, në banesën e Elton Aliat është ushtruar një kontroll nga efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 3, ku iu janë gjetur disa sende që dyshohet se janë të vjedhura.
Sipas burimeve të policisë, në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe u sekuestruan 4 televizorë plazma, dy kompjutera lap top, një aparat fotografik dhe dy thika të përmasave të ndryshme. Uniformat blu të kryeqytetit dyshojnë se sendet e sekuestruara në banesën e Aliajt dyshohen se janë të vjedhura, pasi gjatë marrjes në pyetje, ky i fundit nuk ka deklaruar origjinën e blerjes së tyre.
Sipas burimeve të policisë, mësohet se dy të dëmtuarit kanë qenë duke ecur në rrugë, pranë Ministrisë së Drejtësisë, kur 26- vjeçari Elton Alia, dyshohet se iu ka hedhur lëndën djegëse. Nga të dhënat mësohet se veprimi është kryer nga ish -bashkëshorti i njërës prej të dëmtuarave për shkaqe xhelozie, pas ndarjes së këtyre dy të fundit.
Dy vajzat e dëmtuara janë dërguar menjëherë në spitalin "Nënë Tereza", në repartin e djegies në gjendje të rëndë, ku 25- vjeçarja Dhurata Trashana, ka pësuar rreth 15% djegie në fytyre, ndërsa mësohet se djegia e 23- vjeçares Sadina Karaj është më e rëndë.
Nga deklarimet që policia iu ka marrë dy vajzave që kanë pësuar djegien mësohet se ato vetë kanë deklaruar se veprimi është kryer nga i dashuri i njërës prej dy të dëmtuarave. Alia, përveç akuzës së "plagosjes me dashje", akuzohet edhe për veprën penale të "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta"