E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni i vështirë

Laboratori i Arkeometrisë dhe Restaurimit do të trajtojë mjetin më të vjetër të transportit të zbuluar në Shqipëri, një rrotë qerreje e shekullit II para e.s. Restaurimi zgjat 30 muaj, kostoja 3 milionë lekë


Është thjesht relikja e një rrote të përdorur një shekull para lindjes së Krishtit, por për historinë tonë ka një rëndësi të veçantë, sepse është i pari objekt transporti prej metali që na vjen nga e kaluara.


Njëzet vite më parë, arkeologu Dhimosten Budina e zbuloi këtë "send" në qytetin antik të Antigonesë, në një dhomë, të cilën e quajti shtëpia e karrocierit, por që ka gjasa të ketë qenë një punishte e vërtetë.


Pas zbulimit në vitin 1989, sipas drejtorit të Laboratorit të Arkeometrisë dhe Restaurimit, Frederik Stamati, kjo rrotë, ndonëse e dëmtuar, u vendos në kuti dhe u la në bodrumet e Institutit të Arkeologjisë (aty ku edhe ruhen të gjitha objektet arkeologjike të zbuluara në Shqipëri), deri në ditët e sotme.


Duke parë dëmtimet që ky objekt kishte pësuar për shkak të kushteve jo të mira në të cilat është ruajtur për dy dekada me radhë, Stamati vendosi ta nxjerrë në dritë dhe të bëjë publike nisjen e restaurimit dhe rikonfigurimit të saj nga vetë laboratori që ai drejton. "Gjendja në të cilën është ky objekt mund të krahasohet më atë të një të sëmuri rëndë, që kërkon ndërhyrje kirurgjikale menjëherë", - thotë Stamati.


Por pyetjes nëse ky laborator i ka mundësitë për të marrë përsipër një punë të tillë, ai i përgjigjet: pjesërisht.
Sigurisht që gjendja e këtij laboratori është më e mirë se para dy dekadave, por jo aq e mirë sa të përballojë 100% një ndërhyrje të tillë.


"Ne do të punojmë me mundësitë që kemi," - thotë ai, teksa shton se ka depozituar në Ministrinë e Arsimit një projekt, i cili pritet të miratohet, ndërsa shuma që do të kërkojë ky restaurim shkon në rreth 3 milionë lekë. Sipas Stamatit, "Për këtë restaurim nevojiten materiale dhe kimikate të cilat kushtojnë, në mënyrë që në fund të procesit (mendohet të zgjasë 30 muaj), ky objekt të ketë strukturën dhe përbërjen autentike".


Kjo rrotë është objekti më i madh metalik që është gjetur deri tani në territorin shqiptar, diametri i së cilës shkon në 124 cm.

Revista britanike, "New Statesman", kritikon filmin dokumentar mbi udhëtimet e Bajronit në Shqipëri, sipas Rupert Everett-it. "Nuk kanë asgjë të përbashkët, veç feminitetit"

A dinë VIP-at të tregojnë histori?


Kanali televiziv britanik "Channel 4", shfaqi mbrëmjen e së hënës pjesën e parë të dokumentarit "Aventurat skandaloze të Lord Bajronit", hapësira e të cilit u takonte udhëtimeve të poetit në Shqipëri, Spanjë, Greqi dhe Turqi. Rrugën që Bajroni e përshkoi gati një shekull më parë, e rimerr aktori britanik Rupert Everett.


Pak ditë pas transmetimit të këtij dokumentari mbi jetën e një prej poetëve më të mëdhenj britanikë, revista "New Statesman" (e përjavshme britanike e themeluar më 1913-ën, nga një grup intelektualësh, mes të cilëve Bernard Show), publikon një kritikë mbi episodin e parë të filmit.


"Vërtet jemi në gjendje të kuptojmë historinë vetëm kur ajo na serviret nga figura të njohura?" - pyet gazetarja e "New Statesman", Rachel Cooke. Në shkrimin e saj ajo rendit një sërë arsyesh se përse Everett (por mund të kishte qenë kushdo fytyrë tjetër e njohur në vendin e tij) pranoi të realizonte një dokumentar për një figurë me të cilën nuk kishte asnjë lidhje.


"I veshur më rroba të bardha, që i rrinë pas trupit, Everett-i u fiksua tek kamera dhe tha: 'Lord Bajroni ishte një nga të parat figura të njohura botërisht dhe një nga praktikuesit e parë të marrëdhënieve publike'".


Pas kësaj fraze - shkruan "New Statesman" - atij ju desh të mbysë të qeshurën, por nga e dridhura e buzës shikuesi mund të kuptonte se në të vërtetë, në ato momente, Everett-i po mendonte: "Zemër, në cilin cep të botës e gjete këtë skenar? Duhet t'i them patjetër këto gjëra?".


Po, fatkeqësisht, duhej. Dhe Everett-it iu desh që të përpiqej shumë për të "fituar bukën e gojës", iu desh të lodhej për të mësuar përmendësh ato radhë, që për të nuk kishin kuptim. Vetë ai më pas, gjatë një interviste prezantuese për dokumentarin, do të shprehej se nuk kishte ndonjë pasion apo dije të madhe mbi Bajronin. Ai thjesht ishte i punësuar.


"Mendova se ringjallja e poezisë do të ishte një sfidë. Unë nuk jam një adhurues i madh i poezisë". Ndërsa e vetmja e përbashkët që kjo revistë arrin të gjejë mes Everett-it dhe subjektit të tij, është sjellja femërore.


Cook pyet mbi një dukuri që tani po e haset gjithnjë e më shpesh: Figura të njohura, të cilat tregojnë ngjarje historike, kuriozitete apo gjithfarëlloj gjërash thjesht duke lexuar një skenar.


"Sigurisht tani jemi mësuar që gjithçka, po gjithçka ama, ta shohim nëpërmjet filtrit të një personi të famshëm. Është paksa befasuese që televizioni britanik "Channel 4", po përpiqet që ta shndërrojë Bajronin në një prototip Britni Spirs", - shkruan "New Statesman".


Rikthehet regjisori i "Titanikut"


Pas dymbëdhjetë vitesh mungesë në botën e kinemasë, rishfaqet regjisori i "Titanikut", James Cameroon. Ka prezantuar këto ditë në Itali, para gazetarëve dhe miqve, 15 minuta nga filmi i tij i fundit, që pritet të dalë në kinema në dhjetor.


Titulli, ashtu si është bërë e ditur edhe më parë, është "Avatar", një histori fantashkencore e realizuar (ashtu siç edhe e kërkon moda e fundit) në 3D, në të cilën interpretojnë aktorë si Sam Worthington, Sigourney Weaver, Michelle Rodriguez etj.


Filmi, ende pa u bërë publik, është cilësuar si më i shtrenjti i realizuar ndonjëherë, më një buxhet fillestar prej 200 milionë dollarësh, i cili sipas revistës "Time", tashmë e ka kaluar shifrën 300.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›