E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle: 18 marsi, shansi i fundit i mazhorancës

Socialistët presin përgjigje më 18 mars kur do të shqyrtohen dy projektet në Kuvend

TIRANË - Deputeti i PS-së, Namik Dokle, ka deklaruar dje se 18 marsi, ditë në të cilën do të shqyrtohen dy projektet e paraqitura nga opozita, është shansi i fundit për mazhorancën. "Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar janë të vendosur ta çojnë deri në fund aksionin e tyre demokratik për hetimin e plotë dhe pa kufizim të zgjedhjeve, për mbrojtjen ligjore dhe kushtetuese të votës së lirë!" - tha Dokle.


Ai solli si shembull edhe manipulimin në Komunën Ruzhdie. "Rasti i Ruzhdies, krimi elektoral i vërtetuar tashmë katërçipërisht në atë qendër votimi, ia ka mekur zërin Kryeministrit dhe gjithë tellallëve të tij, brenda e përreth PD-së, por të zhytur në terrin elektoral ata nuk pranojnë hapjen e kutive, sepse e dinë mirë çfarë kanë ato!


Në Ruzhdie, 94 persona që kurrë nuk kanë pasur pasaportë, figurojnë sikur kanë votuar me pasaportë. Po kështu votuan edhe qindra e qindra të tjerë në Shkodër, Kukës, Kamëz, Elbasan, Durrës etj; Në Ruzhdie, 173 persona që nuk kanë aplikuar kurrë për kartë identiteti, rezultojnë se kanë votuar me kartë identiteti. Të tillë pati me mijëra në gjithë vendin; në Ruzhdie, 80 hajdutë votash votuan në vend të emigrantëve që s'kishin ardhur fare në Shqipëri.


Kështu ndodhi edhe në Krujë, Paskuqan, Lezhë, Laç, Shijak, Librazhd etj; në Ruzhdie, komisionerët e PD-së dhe manipulatorë të tjerë të vullnetit të lirë të zgjedhësve, falsifikuan 376 firma dhe mbushën kutitë me vota. Po kështu ndodhi edhe në Dibër, Mirditë, Bathore, Kavajë, Malësi e Madhe, Devoll etj., duke vjedhur kështu mijëra e mijëra vota", - tha Dokle, duke shtuar se shqiptarët tanimë e dinë se çfarë ndodhi më 28 Qershor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›