Kuvend, miratohet rezoluta për heqjen e vizave

Pjesëmarrja e opozitës në Kuvend bëri që nga përmbajtja e rezolutës të hiqeshin elementet partiakë
TIRANË - Kuvendi miratoi dje në parim Rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike, për mbështetjen ndaj procesit të liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian. Rezoluta, e cila u votua nga të gjithë deputetët e Parlamentit me 127 vota, u shoqërua me debate të shumta midis mazhorancës dhe opozitës.
Megjithëse të dyja forcat politike e kanë mbështetur përshpejtimin e procesit të liberalizmit të vizave, përmbajtja e kësaj Rezolute ka sjellë reagimin e opozitës, e cila mori pjesë në punimet e Kuvendit vetëm për diskutimin e kësaj çështjeje.
Pasi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka paraqitur Rezolutën, duke lexuar edhe përmbajtjen e saj, ndaj kësaj rezolute reaguan përfaqësuesit e opozitës, duke kërkuar që nga paragrafi i parë i kësaj Rezolute të hiqet, fjalia, ku thuhej: "Me përmbushjen e misionit të Kuvendit dhe si përfaqësues të zgjedhur me dëshirën dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë...
Kuvendi i Shqipërisë çmon arritjet e qeverisë së Republikës së Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të procesit të liberalizimit të vizave dhe mbështet përpjekjet e saj për të konsoliduar më tej përparimin e dukshëm të vlerësuara tashmë edhe nga institucionet e Bashkimit Europian".
Sipas sekretares së marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, kjo Rezolutë nuk duhet të bëhet pjesë e lojërave politike, ku partia në pushtet ia atribuon vetes së saj kontributin për liberalizimin e vizave, duke e cilësuar një arritje personale. Për këtë arsye, Dade propozoi që nga Rezoluta të hiqen elementët propagandistikë.
"Prandaj le të biem dakord që sot të mos luajmë as me njerëzit e as me interesin e përbashkët të liberalizimit të vizave dhe të heqim nga projektrezoluta e propozuar prej jush elementët e propagandës suaj partiake, të cilat as e përshpejtojnë heqjen e vizave dhe as e bëjnë konsensual një dokument që vlerën e vetme ka pikërisht konsensusin", - tha dje Dade në Kuvend. Ajo vuri në dukje se opozita e mbështet në tërësi procesin e liberalizmit të vizave edhe pse ky proces duhet të kishte ndodhur njëkohësisht si me vendet e tjera të Ballkanit.
Sipas saj, qeveria nuk duhet ta ngatërrojë në lojërat politike këtë proces, që është një aspiratë e gjithë qytetarëve shqiptarë, ndërsa shtoi se nuk është opozita ajo që pengon heqjen e regjimit të vizave, por sipas Dades, vonesat në këtë proces kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes aktuale. Të njëjtin propozim bëri edhe kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi.
"Nuk kanë vend në këtë Rezolutë edhe lavdërimet për veten tuaj", - nënvizoi Ruçi. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha pranoi që fjala "arritjet e qeverisë" të zgjerohet dhe zëvendësohet me fjalën "institucione ose autoritetet shtetërore". Me ndryshimet e rezolutës, Kuvendi e miratoi atë në parim me 127 vota pro, ndërsa në të ardhmen do të miratohet si draft i plotësuar.