E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Të hetohen zgjedhjet e 28 Qershorit

Zv.presidenti i parë i Parlamentit Europian flet për zgjedhjet në Shqipëri dhe punën e deritanishme të Edi Ramës

Pitella për zgjedhjet në Ruzhdie: "Unë lexova dokumentacionin dhe është me tërë mend e frikshme"

TIRANË - Parlamenti Europian mbështet qëndrimin e opozitës për transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit. Zv.presidenti i parë i Parlamentit Europian, Giovanni Pittella, e ka thënë qartë dje pas takimit të zhvilluar me kryetarin e PS-së, Edi Rama, se ka nevojë për transparencë, pasi zgjedhjet duhet të jenë të pastra. Në një intervistë të zhvilluar për mediat, menjëherë pas takimit, Pitella deklaroi se zgjedhjet nuk duhen prekur nga asnjë lloj mashtrimi.


"Mund të dilet nga kriza?! Padyshim që mund të dilet. Mund të dilet dhe e konsideroj si shumë të përgjegjshme vendimin e Partisë Socialiste Shqiptare për të hyrë në parlament, por ama ka nevojë për qartësi, ka nevojë për transparencë, sepse zgjedhjet duhet të jenë të pastra, dhe nuk duhen prekur nga asnjë lloj mashtrimi.


Atëherë të mos shohim nga e shkuara, por të shohim drejt të ardhmes dhe të krijohen ato situata e kushte që do të lejonin që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje mbi të cilat nuk rëndon asnjë dyshim", - tha ai. Zv.presidenti i parë i Parlamentit Eurpopian është pyetur edhe për manipulimin e rëndë (gjatë zgjedhjeve) në Komunën Ruzhdie. "Unë lexova dokumentacionin dhe është më tërë mend e frikshme.


Aty përshkruhen rastet, jo një e dy raste, por dhjetëra e dhjetëra situata, në të cilat ka persona që rezultojnë të kenë votuar, por që nuk ishin të pranishëm në atë moment dhe në atë vend. Ka pasaporta që rezultojnë të jenë kontrolluar me numrin në procesverbalin e zgjedhjeve, por në fakt personat që kishin ato pasaporta deklarojnë se nuk kanë votuar. Pra, me një fjalë ka prova të pakundërshtueshme që tregojnë se ka pasur mashtrim.


Dhe këto mashtrime vijnë si pasojë e korrupsionit. Atëherë, duam t'u japim fund këtyre gjërave? Unë them, dakord, t'u japim fund këtyre gjërave për sa i përket të shkuarës, por këto gjëra nuk duhet të ndodhin në të ardhmen", - tha ai. Për këtë arsye, zv.presidenti i parë i Parlamentit Europian ka kërkuar që të ngrihet një komision hetimor, dhe të vërtetojë se kush ka gabuar, qofshin këta të së majtës apo të së djathtës.


"Ka rëndësi të gjenden përgjegjësit dhe të parandalohet që kjo të ndodhë edhe në të ardhmen. Duhet t' ju japim qytetarëve sigurinë që kur shkojnë për të votuar, shkojnë për të votuar në një sistem politik e demokratik, në të cilin vota e tij ka vlerë. Dhe vota mund të ketë vlerë vetëm nëse nuk ka mashtrime. Kjo për sa i përket të ardhmes.


Dhe unë uroj që qeveria shqiptare ta pranojë këtë propozim që është një propozim, që nuk u shërben vetëm socialistëve, por të gjithëve. Në të ardhmen, të gjithë duhet të kenë të drejtat e tyre dhe detyrat e tyre, të gjitha partitë politike, e gjithë politika shqiptare duhet të konfigurohet si një politikë qartësisht europiane", - tha ai për mediat.


Pitella konfirmoi gjithashtu mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike Italiane, të europarlamentarëve të Grupit Socialist e Demokrat për kryetarin e PS-së, Edi Rama. "Ne e mbështesim përpjekjen e madhe inovatore që po kryen Edi. Përpjekjen për europianizimin e Shqipërisë.


Europianizimi i Shqipërisë do të thotë të krijohen kushtet legjislative, të krijohen kushtet normative, të krijohet transparenca maksimale. Për shembull beteja e Edi Ramës për liberalizimin e vizave është një betejë që nëse e fitojmë do të lejonte që Shqipëria të hynte në Bashkimin Europian, sepse Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian, Shqipëria nuk mund të bëhet një komb europian nëse vazhdojnë të mbahen kufizimet e vizave, kufizimet në lëvizjen e personave", - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›