Dokle: Nuk mund të ketë dialog pa hetim të zgjedhjeve
Deputeti Namik Dokle, u shpreh se nga Partia Demokratike vijnë çdo fraza absurde, sipas të cilave pranojnë çdo lloj hetimi të zgjedhjeve, por jo hapjen e kutive. “Kërkesa e vazhdueshme e Partisë Socialiste për të hetuar zgjedhjet, përmes një komisioni hetimor parlamentar, që ka për objekt hapjen e kutive, si të vetmen mënyrë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit, është bërë tashmë sugjerim i qartë edhe i faktorit ndërkombëtar sugjeron, për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza politike”, tha Dokle. Ai shtoi se hetimi i zgjedhjeve, mund të bëhet vetëm me hapjen e kutive. “Nuk mund të flitet për shumicë të opozitës në komisionin hetimor, kur kësaj shumice i mohohet apriori kërkesa për hapjen e kutive! Sipas kësaj logjike absurde do të thotë, zbatoni ligjin jo ashtu siç është, por ashtu siç dua ta shkelë unë, gjë që e ka bërë disa herë edhe shumica e qeverisë në KQZ!”, vijoi deputeti socialist, një nga eksponentët më të vjetër të kësaj partie. Sipas Dokles, nuk mund të ketë zgjidhje të krizës, pa një dialog serioz dhe se nuk “mund të ketë dialog real pa hetimin e plotë të zgjedhjeve dhe nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa hapjen e kutive”.