E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doktoraturat, "licencë" për Universitetin e Elbasanit

Universiteti i Elbasanit do të çelë këtë vit studimet Diplomë e Nivelit të Dytë në degët "Mbrojtje Mjedisi" dhe "Biologji". Por ky universitet ka aplikuar edhe Doktoraturat, në degët Histori, Linguistikë dhe Trashëgimi Kulturore, çka e bën atë të parin universitet rajonal që hap cikël studimesh të avancuara. Deri tani, Doktoraturat janë lëshuar vetëm në Tiranë. Rektori i UE-së "Aleksandër Xhuvani", Liman Varoshi, tha për "Shqip" se diplomat e nivelit të dytë që janë miratuar tashmë kanë të bëjnë me dy profile të domosdoshme në këtë qytet. Një zonë e ndotur siç e njohim të gjithë për shkak të ish-kombinatit, Elbasani pas dy vjetësh do të nxjerrë specialistët e parë në shkencat e mjedisit.

Ndërkohë që janë në proces miratimi pranë Agjencisë së Akreditimit edhe Doktoraturat për Histori, Linguistikë dhe Trashëgimi Kulturore.

Numri i studentëve të interesuar është mjaft i madh për të ndjekur studimet e Doktoraturës, ndaj pritet që aplikimet të fillojnë këtë vit akademik. Studimet Master zgjasin dy vite akademike dhe më tej një vit për të mbrojtur tezën e Doktoraturës. Po kështu edhe Master i Nivelit të Dytë për Linguistikë është parë me interes në këtë qytet, ku ka një fakultetet me traditë dhe për më tepër shkollën e parë të mësuesisë në Shqipëri, Normalen e Elbasanit.

Universitetet rajonale në vend janë përmendur shpesh për mungesë të stafeve akademike dhe për pasojë edhe mungesë konkurrence në tregun akademik, krahasuar me universitetet në Tiranë, apo edhe me universitetet private. Por duket se miratimi i Masterave të Nivelit të Parë dhe për më tepër atyre të Nivelit të Dytë do të bëjnë që shumë studentë të preferojnë të shkojnë në universitetet rajonale. Ky të paktën është qëllimi.

Aktualisht kanë nisur studimet për Masterin e Nivelit të Parë, ku mësojnë të gjithë studentët që mbaruan sipas sistemit të Bolonjës ciklin 3-vjeçar të studimeve. Sipas rektorit Varoshi, Universiteti i Elbasanit, për herë të parë pas 6 vitesh të aplikimit të sistemit të Bolonjës, po çel Masterat e Nivelit të Parë në të gjitha degët e mësuesisë. Kështu Master 2-vjeçar ka në fakultetin e Shkencave të Natyrës, Shkencave Humane, në fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në Fakultetin e Edukimit, ku janë hapur dega e Mësuesisë dhe dega e Redaktorisë.

Qyteti ku u çel shkolla e parë e mësuesisë kërkon të bëhet qendër kombëtare e kualifikimit të mësuesve. Kjo pret një përgjigje nga Këshilli i Ministrave. Por rektori Varoshi shprehet optimist: "Ne kemi bërë një projekt rigoroz, që Universiteti i Elbasanit të bëhet Qendra e Akreditimit të Mësuesve, kjo do të thotë që mësuesit nga i gjithë vendi të bëjnë specializimet profesionale në këtë universitet". Me këtë projekt është njohur Ministria e Arsimit, e cila i ka dhënë OK dhe pritet ta kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Jo vetëm me Normalen e Elbasanit, por edhe me zhvillimet që ka pësuar ky universitet lidhet këmbëngulja e drejtuesve universitarë për ta fituar këtë projekt.

Varoshi shprehet se "universiteti ynë po binjakëzohet me universitetin "Bochum" në Gjermani dhe me universitetin "Roatie" të Francës. Marrëveshja do nënshkruhet në muajin mars, ndërsa sipas rektorit binjakëzimi nuk do të mbetet vetëm në letra, siç ndodh rëndom.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›