E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, arsyet e bllokimit të procesit

Kthimi dhe kompensimi i pronës vazhdon të mbetet plagë sociale e shumë familjeve shqiptare, por nga ana tjetër pengesë serioze për investitorët e huaj dhe vendas. Edhe pse e ndërgjegjshme për problemet që sjell moszgjidhja e procesit të pronës, qeveri të ndryshme nuk kanë ofruar strategji të plota për mbylljen sa më shpejt të kthimit dhe kompensimit të pronës. Sipas Elvis Çefa, i sapoemëruar në krye të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, afati maksimal i përfundimit të procesit të pronës do të jetë 2015, "por nuk përjashtohet mundësia për shtyrje të afatit". Në intervistën për "Shqip", kreu i ri i AKKP-së, tregon problemet dhe arsyet që kanë penguar zgjidhjen në kohë të procesit. I pesti zyrtar që merr postin e kreut të AKKP-së brenda një periudhe 4-vjeçare, Çefa tregon strategjinë që do të ndjekë, ndryshe nga pasardhësit e tij, në drejtim të çështjes së pronës. "Këtë post e konsideroj si një sfidë personale, e cila do të verë në provë aftësitë dhe dijet e mia profesionale´është shprehur në fund të intervistës kreu i AKKP-së, ndërsa më herët zbardh një pjesë të procedurave që do të ndiqen për ish-pronarët që presin nga fondi 600 milionë lekë.

Çfarë pune është bërë deri tani për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve? Sa është numri i atyre që kanë përfituar dhe cila fatura financiare?

Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës është një proces kompleks dhe i shtrirë gjatë në vite. Pa përmendur ligjin nr.7501 "Për tokën", procesi i kthimit dhe kompensimit të pronës ish-pronarëve ka filluar në vitin 1993 me ligjin nr.7698 dhe nr.7699. Ligji nr.7698 ka qenë në fuqi deri në vitin 2004, kohë në të cilën është miratuar ligji nr.9235 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", ligj i cili, pas disa ndryshimeve thelbësore që ka pësuar në vitin 2006, është aktualisht në fuqi. Me këtë ligj është krijuar Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave si një institucion administrativ teknik për trajtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara.

Sigurisht, në tërë këtë hark kohor 1993-2009 është bërë mjaft punë për realizimin e procesit për kthimin e kompensimin e pronës. Të gjitha strukturat përkatëse në vite kanë trajtuar pronat, por mendoj se cilësia e trajtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuar dhe cilësia e vendimmarrjes është përmirësuar dukshëm e pas ndryshimeve të bëra në ligjin nr.9235 në vitin 2006.

Për sa i përket procesit të kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuar, për t‘iu përgjigjur konkretisht pyetjes suaj, ju sqaroj se ky proces ka filluar për herë të parë në vitin 2005. Fondi i atëhershëm i kompensimit financiar ka qenë 200 milionë lekë. Gjatë viteve 2005, 2006, 2007 dhe 2008 kanë aplikuar për kompensim në të holla 1562 subjekte të shpronësuara dhe kanë përfituar 369 subjekte. Fondi i kompensimit në total për këtë periudhë është 1,5 miliardë lekë, pa përfshirë këtu fondin e kompensimit financiar të vënë në dispozicion të AKKP nga qeveria për vitin 2009, i cili është në shumën 600 milionë lekë.

Sapo mbaruat procesin e shpërndarjes së 500 milionë lekëve ku përfituan 163 ish-pronarë, që i takonin fondit të vitit 2008. Pse u vonua procesi?

Vonesat në proces kanë ardhur për arsye teknike. Mbi të gjitha për faktin se, duke qenë se kishte vërejtje për vlerat e trojeve të përcaktuara në hartën e vlerës, në mënyrë që kjo vlerë të ishte sa më afër realitetit të tregut sot, u bë rishikimi i hartës së vlerës. Kjo sigurisht kërkoi kohën e vet. Por e rëndësishme është të theksohet se megjithëse pak i vonuar, procesi i shpërndarjes së fondit të kompensimit në të holla për vitin 2008 rezultoi i suksesshëm.

Kur mbyllet i gjithë procesi dhe sa ish-pronarë janë në prije?

Procesi duhet të mbyllet brenda 10 viteve nga miratimi i ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", por nuk përjashtohet mundësia për shtyrje të afatit. Sa i takon numrit të ish-pronarëve që janë në pritje nuk mund të them një shifër të saktë, pasi numri i tyre ndryshon çdo vit. P.sh për 2009 ka një rritje të interesit për shpërndarjen e fondit 600 milionë lekë, ku numri i aplikantëve e kalon 800.

Kur do të nisë shpërndarja e 2009-ës, fondi i të cilës është 600 milionë lekë? A mund të mbarojë brenda qershorit 2009? Sa mund të jetë numri i ish-pronarëve që mund të përfitojnë dhe cila do të jetë kategoria që kanë më shumë shanse?

Sigurisht që shpërndarja e këtij fondi do të fillojë shpejt. Sapo 163 fituesit e fondit të vitit 2008 të likuidohen duke marrë paratë e tyre. AKKP ka kontakte të rregullta me Ministrinë e Drejtësisë me të cilën shumë shpejt do të fillojmë të bashkëpunojmë për hartimin e vendimit të qeverisë përkatëse për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të vitit 2009. AKKP synon që fituesit e fondit të vitit 2009 të shpallen brenda datës 30 qershor 2009, çka është edhe afati i përcaktuar në ligj.

Për sa i përket numrit të subjekteve të shpronësuara që mund të përfitojnë nga ky fond, këtë nuk mund ta them në këtë moment. Ky numër varet nga disa faktorë. Kategoria e subjekteve të shpronësuara që do të kenë më shumë shanse për të fituar, nëse u përmbahen kritereve të aplikuara për vitin 2008, do të jenë ata subjekte të shpronësuara që kanë vendime për kompensim të të gjithë pronës së tyre, të cilat datojnë më herët në kohë, me kusht që të mos kenë përfituar nga kompensimet financiare të mëparshme, të mos kenë përfituar tokë në zbatim të ligjit nr.7501 dhe të mos kenë ushtruar të drejtën e parablerjes.

Sipas jush, cili është problemi real i procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës?

Për sa i përket procesit të kompensimit, qoftë financiar apo fizik, problemi kryesor konsiston në faktin se në periudhën 1993-2006 nuk është bërë pothuajse asgjë. Deri në vitin 2005, mund të them se nuk ka pasur asnjë strategji për realizimin e procesit të kompensimit fizik. Qeveria aktuale është ajo që krijoi konceptin dhe strategjinë për kompensimin fizik të subjekteve të shpronësuar dhe filloi realizimin konkret të tij. Aktualisht është evidentuar pjesa më e madhe e pronave shtetërore disponibël dhe është krijuar e po azhurnohet sistematikisht fondi i kompensimit fizik.

Për sa i përket problemit real në procesin e kthimit të pronës, nga përvoja ime, mund të them që ky problem konsiston fillimisht në mungesën e një kulture të mirëfilltë në trajtimin e pronës në Shqipëri. Shteti shqiptar para vitit 1944 nuk arriti të krijonte baza solide për zhvillimin e një shoqërie kapitaliste të mirëfilltë. Për rrjedhojë, kjo prapambetje u reflektua, me përjashtim të qyteteve të mëdha, edhe në sistemin e trajtimit të dokumentacionit të pronësisë. Më tej, diktatura komuniste 50-vjeçare pothuajse ka fshirë nga ndërgjegjja e shqiptarëve kulturën e sjelljes ndaj pronës, sidomos asaj private. Ky regjim, ndër shumë të këqija të tjera, nuk kishte aspak respekt për arkivat në përgjithësi dhe për dokumentacionin e pronës në veçanti. Këta faktorë kanë ndikimin kryesor, mendoj unë, në shumë gabime të bëra, me ose pa dashje, në këtë proces. Në punën tonë të përditshme konstatojmë shpeshherë vendime për kthimin e pronës të dhëna ndër vite, të cilat nuk bazohen në një dokumentacion të mirëfilltë hipotekar apo kadastral. Kjo ka sjellë si pasojë mbivendosjet në pronat e kthyera të disa pronarëve e madje edhe në kthimin e pronës personave që nuk kanë qenë realisht pronarë. Kjo dukuri, në fakt është e ndeshur shpesh pas vitit 1997, e sidomos në disa zona ku prona ka pasur vlerë të konsiderueshme si Tirana, Durrësi apo Vlora. Qeveria, duke pasur si një nga shtyllat kryesore të programit të saj çështjen e pronësisë dhe duke qenë e ndërgjegjshme për këto probleme, ka ndërmarrë nisma të rëndësishme me anë të ndërhyrjeve në ligj, duke i dhënë AKKP të drejtën e rishikimit të vendimeve të mëparshme të marrë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim për të kthyer pronën te pronari i vërtetë i saj.

Sa më ngadalë ecni me procesin e likuidimit të pronarëve, aq më tepër rritet fatura. A keni menduar ndonjë strategji që i jep zgjidhje më të shpejtë këtij problemi?

Fatura tashmë është krijuar. Strategjia për zgjidhjen e këtij problemi është bërë nga qeveria dhe po implementohet në mënyrë të vazhdueshme nga AKKP në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera të administratës shtetërore. Paralelisht kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuara, fond i cili ka ardhur çdo vit në rritje, jemi duke bërë inventarizimin e pronave publike, për efekt të krijimit të fondit të kompensimit fizik. Ky proces pothuaj është në përfundim. Nga ky inventarizim është bërë në pjesën më të madhe përcaktimi i tokave bujqësore, pyjeve, kullotave e objekteve shtetërore që do të vihen në dispozicion të kompensimit fizik të subjekteve të shpronësuara. Në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, nga AKKP po punohet për përcaktimin e modaliteteve dhe procedurave të kompensimit fizik, të cilat do të miratohen nga qeveria.

Nga ekspertë të pavarur është bërë një për llogari nga ku del se fatura financiare arrin deri në 4 miliardë USD, në një kohë kur për 4 vjet qeveria ka shpërndarë rreth 16 milionë USD. Me këto ritme procesi rrezikon të mbyllet shumë më gjatë se dy apo tre mandate qeverisëse...

Në fakt, kjo faturë nuk më rezulton reale. Së pari, unë nuk e di në çfarë vlerash dhe sipërfaqesh janë referuar këta ekspertë në nxjerrjen e kësaj shifre. Së dyti, unë nuk e di nëse nga këta ekspertë është marrë në konsideratë ndikimi që do të ketë në këtë faturë fillimi i procesit të kompensimit fizik, që e trajtova më lart?

Nga dixhitalizimi i arkivave të AKKP, pavarësisht se shifrat nuk janë 100% të sakta, për arsye se ka gabime në saktësimin e pronave të trajtuara me vendimet e dhëna nga komisionet e mëparshme (ka vendime që kanë bërë trajtim të pasaktë të pronës, ka vendime që janë djegur gjatë vitit 1997), me shifrat që disponojmë, fatura rezulton të jetë shumë më e vogël se kaq.

Përveç kësaj, krijimi i fondit të kompensimit fizik dhe shpërndarja e tij do të ulë ndjeshëm këtë faturë dhe për rrjedhojë do të shkurtojë kohën e mbylljes së procesit.

Mund të na thoni se ku do të gjenden paratë, çfarë formash do të përdoren?

Siç e theksova më lart, nuk bëhet fjalë vetëm për kompensim në para. Paralelisht do të procedohet edhe me fondin e kompensimit fizik.

Për sa i përket kompensimit financiar, tashmë ekziston një vullnet dhe strategji e qartë e qeverisë për shpërblimin financiar të subjekteve të shpronësuara duke përdorur burime të ndryshme. Në funksion të kësaj, para pak ditësh Kryeministri deklaroi qartë që një nga burimet kryesore të të ardhurave, për efekt të kompensimit financiar, do të jenë edhe fondet e përfituara nga privatizimet në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Po për fondin fizik, çfarë po bëhet? Si ka ecur bashkëpunimi me ministritë? A ka pasur vonesa?

Procesi i akumulimit të fondit fizik të kompensimit është një proces që po vazhdon me intensitetin e duhur dhe do të vazhdojë në të ardhmen. Kjo për arsye se shteti mund të heqë dore gradualisht nga përdorimi apo administrimi i shumë pronave të tij, të cilat automatikisht do të kalojnë në dispozicion të këtij fondi.

Në vijim të asaj që parashtrova më sipër, miratimi i ligjit "Për verifikimin e titujve të pronësisë" dhe ngritja e komisioneve përkatëse ka si qëllim, përveç riparimit të gabimeve të bëra në procesin e ndarjes së tokës bujqësore, edhe pasurimin e fondit të kompensimit fizik me toka të cilat janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga zbatimi jo i drejtë i ligjit nr.7501.

Nëse do të riktheheshim edhe një herë nga e para kur u krijua AKKP-ja, çfarë do të bënit ndryshe?

Krijimi i AKKP nga kjo qeveri, si organ administrativ i ngarkuar me zbatimin e politikës qeverisëse në këtë drejtim, sipas ndryshimeve në ligjin nr.9235 dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij, është bërë me qëllim për t‘i shërbyer sa më drejt dhe në kohë subjekteve të shpronësuara. Kjo mendoj se është rruga e duhur dhe më e mirë e mundshme aktualisht. Sigurisht, kjo nuk përjashton mundësinë e plotësimit sistematik të këtij kuadri ligjor.

Ju jeni emëruar direkt nga Kryeministri. Çfarë porosie të veçantë dha kreu i qeverisë para se të merrje postin? Çfarë filozofie ndjek Berisha për zgjidhjen e çështjes?

Kryeministri është i mirinformuar mbi procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës dhe problemet e hasura në kohë. Filozofia e tij për zgjidhjen e problemit të pronës në Shqipëri, besoj se tashmë është qartësisht e pasqyruar në politikën e qeverisë. Reformat e iniciuara që nga viti 2005 e në vazhdim në kuadrin ligjor, rritja konstante e fondit të kompensimit financiar dhe krijimi i fondit të kompensimit fizik, dëshmojnë qartë vullnetin e Kryeministrit dhe të qeverisë së tij për zgjidhjen e shpejtë dhe përfundimtare të këtij procesi.

Në funksion të kësaj, porosia e Kryeministrit është trajtimi serioz, i drejtë dhe mundësisht i shpejtë i të gjitha kërkesave të subjekteve të shpronësuara, me qëllim finalizimin e këtij procesi.

Sipas jush, ligji 7501 solli probleme në zgjidhjen e procesit? Çfarë po bëhet me verifikimin e titujve të pronësisë?

Për mendimin tim personal, ligji nr.7501 është një ligj që nuk u zbatua mirë. Kjo ka ardhur për shumë arsye, një pjesë të të cilave i kam cituar më lart. Miratimi i ligjit "Për verifikimin e titujve të pronësisë" e dëshmon këtë.

Për sa i përket procesit të verifikimit të titujve të pronësisë, ju sqaroj se nuk është AKKP organi ligjërisht i ngarkuar me këtë detyrë. Mund të them se ky ligj ishte i nevojshëm në funksion të zgjidhjes së drejtë të çështjes së pronësisë.

A po bashkëpunoni me prokurorinë rreth disa çështjeve të bëra publike kohët e fundit, siç janë "Plazhi i Gjeneralit", Gjiri i Lalëzit dhe Jala? Mendohet se në të tria zonat ka rreth 80 ha mbivendosje të pronave.

Në fakt, në momentin e ardhjes time në krye të AKKP, nga prokuroria ishte bërë ndërkohë sekuestrimi i dosjes me dokumentacionin përkatës për llogari të hetimit të çështjes "Plazhi i Gjeneralit". Përveçse për këtë çështje, unë nuk kam dijeni për hetime lidhur me çështje të tjera. Sigurisht që, në zbatim të detyrimeve ligjore të institucionit që përfaqësoj, do të jem i hapur për bashkëpunim.

Cilat janë zonat më problematike, të hasura gjatë procesit të trajtimit të pronës?

Zonat që kanë pasur më tepër probleme janë në fakt zonat ku vlera e pronës dhe për rrjedhojë interesi për të është më i madh. Konkretisht mund të përmend qytetet e mëdha si: Tirana, Durrësi dhe sidomos Vlora, e cila gjatë trazirave të vitit 1997 ka pasur dëmtime të mëdha për sa i përket dokumentacionit arkivor të pronësisë e madje edhe ndërhyrje në këtë dokumentacion me qëllim përfitime në rrugë të paligjshme.

Çfarë mendoni se mund të bëni më mirë se pasardhësit tuaj? Brenda 4 vjetëve janë shkarkuar nga kjo detyrë 4 zyrtarë. Nuk ju tremb fakti që karriera mund t‘iu ndërpritet në mes, sikundër ndodhi me të tjerët?

Aktualisht është shumë shpejt për të thënë diçka të tillë. Unë do të përpiqem që performanca e AKKP të shkojë vazhdimisht në rritje. Kjo nuk është e lehtë. Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës, sipas konceptit të ligjit organik, ushtrohet nga zyrat rajonale të AKKP në qarqe. AKKP në qendër mbikëqyr dhe drejton këtë proces duke ndërhyrë sipas ligjit aty ku diçka duhet bërë me mirë. Pra, punën nuk e bën vetëm drejtori i Përgjithshëm, por stafi i tij në strukturat e agjencisë, staf i cili, përveçse profesionalisht i aftë duhet të ketë dhe integritet të lartë moral. Unë tashmë kam hyrë në vitin e 13-të të punës në administratën shtetërore dhe pretendoj se e njoh atë. Këtë post e konsideroj si një sfidë personale, e cila do të verë në provë aftësitë dhe dijet e mia profesionale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›