E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doktorri i plagosur, mjekët: Jashtë rrezikut për jetën

“Aktet e dhunës ndaj mjekëve vijnë si pasoje e mosbesimit që kanë qytetaret tek sistemi shëndetësor”. Ka deklaruar Presidenti i Urdhrit të Mjekut Abazaj, pas plagosjes së mjekut Agron Ylli. Gjendja shëndetësore e të cilit është në përmirësim. 

TIRANE- Gjendja shëndetësore e mjekut endokrinolog Agron Ylli, i cili u plagos dy ditë më parë është jashtë rrezikut për jetën dhe tashmë është në fazën e rehabilitimit, këtë e ka bërë të ditur shefi i kirurgjisë së Spitalit Ushtarak doktor Xhaferr Qemirani, i cili ka asistuar në operacionin e doktorit të plagosur Ylli.
Sipas Qemiranit gjendja e Yllit ishte mjaft e rëndë në momentin e mbërritjes në spital dhe nëse nuk do të ishte ndërhyrë shpejt, mjeku mund të kishte humbur jetën, pasi kishte humbur shumë gjak.
Akte të tilla të shëmtuara sipas presidentit të Urdherit të Mjekut Dine Abazaj ndodhin për shkak se qytetarët kanë humbur besimin tek bluzat e bardha.

“Të ushtrohet dhunë ndaj mjekut është diçka e padëshirueshme. Shëndetësia jonë ka mjaft probleme, pasi ka mangësi në medikamente, në aparatura dhe këtu qytetarët humbasin besimin, ndaj këtë zemërim ata nuk kanë ku e shprehin dhe e nxjerrin tek mjeku me të cilin përballen”, u shpreh Abazaj.

Doktor Abazaj për mangësitë në sistemin shëndetësor ka fajësuar qeveritë shqiptare, të cilat në vite nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur.
Presidenti i Urdhërit të Mjekut u ka bërë thirrje mjekëve që mos të demoralizohen nga ngjarje të tilla dhe të vazhdojnë misionin e tyre human duke mos i lënë shkas qytetarëve të marrin veprime te tilla. Por edhe qytetarët sipas doktor Dine Abazaj duhet të kenë besim tek mjekët dhe të përmirësojnë marrëdhëniet pasi nuk janë ata shkaktar të mangësive në sistemin shëndetësor. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›