E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doku e hëna

Në dy ditët e para “Dokufest” theu rekordin e shikueshmërisë duke mbledhur kështu nëpër gjashtë kinematë e qytetit rreth 2500 shikues. U shfaqen rreth 19 filma dokumentarë. Të dielën festivali nisi me shfaqjen e filmave nga programet speciale gjatë gjithë ditës. Këto filma i takojnë programeve speciale si: “Spotlight Afghanistan” që ka për temë luftën në Afganistan, “Europe Next Door”, program që trajton temën e integrimeve Europiane dhe çështjen e emigrantëve në Evropë, “Cities on Speed”, View from the World si dhe selekcionimi i filmave me temë të burrërisë nga Finlanda i cili përbën programin Made in për sivjet (Made in Finland).

“Ne i shfaqëm 19 filma ditën e djeshme dhe përveç një ndërrimi të vogël, të gjithë filmat janë projektuar, me një numër mund të them rekord, të 2500 shikuesve në këto dy ditë e para të “Dokufestit”, në shfaqjen e filmave i patëm katër autor prezent ndërsa gjithashtu këtë ditë startuam me programin më të madh special në Dokufest “Made in Finland”, u shpreh gjatë konferencës, drejtori artistik i “Dokufestit” Veton Norkollari.

Për ta shënuar hapjen e programit special Made In Finland, u organizua një koktej ku morën pjesë zyrtarë të ambasadës Finlandeze në Kosovë, filmbërës dhe anëtarë të jurisë së edicionit të sivjetmë të festivalit si dhe zyrtarë komunalë, përfshirë këtu kryetarin e komunës së Prizrenit z. Ramadan Muja.

Mysafiret e konferencës të së hënës ishin: Necati Sonmez dhe Emel Celebi - Drejtorë të festivalit nga Turqia, Documentarist, Zoran Solomun - producent i “War and Love in Kabul”, Elisabeth Sjastaad-anetare e jurisë për garën e filmave te shkurtër, gjithashtu i pranishëm në konferencë ishte edhe Zelimir Zilnik, regjisori i madh jugosllav të cilit do të ju lëshohet retrospektiva e njëmbëdhjetë filmave të tij.

Për Zelimir Zelnik, nuk është hera e parë që nëpër festivale të mëdha në botë iu shfaqet retrospektiva e filmave, mirëpo edhe kjo e “Dokufestit” sipas tij hynë në ato retrospektivat me përzgjedhje të veçantë dhe speciale.

“Sa i përket përzgjedhjes së filmave që do ti takojnë retrospektivës sime këtu në “Dokufest” çfarë dua të them është që programi i filmave dokumentar posaçërisht është ndër programet më të mira në të gjitha festivalet në Evropë. Unë punoj një kohë të gjatë, kam pasur retrospektiva shumë më të mëdha, posaçërisht në Austri, Gjermani dhe Francë, ku kam pasur retrospektiva me mbi 30 filma, gjithashtu edhe disa retrospektiva në Slloveni dhe Kroaci, mirëpo ka pasur edhe prej atyre të cilësuara retrospektiva të mesme e që e llojit të tillë është këtu në “Dokufest”, u shpreh regjisori Zelimir Zelnik

Sipas regjisorit, Zelnik, me qenë se “Dokufest” është festival i filmit dokumentar dhe me qenë se këta njëmbëdhjetë filma dokumentar janë përzgjedhur nga festivali dhe jo nga unë, prapë mendoj që edhe kjo retrospektivë, është retrospektivë e mirë dhe e veçantë”
Zelnik në sirtarin e tij filmik, mbledh rreth 25 filma të metrazhit të gjatë, e që Festivalit Ndërkombëtar i Filmit për Dokumentar dhe të shkurtër, nuk e ka atë profil, për retrospektivën e këtij edicioni i janë zgjedhur 11 dokumentarë, sipas Zilnik , edhe pse ekziston ky fakt, prapë kjo retrospektivë, mbetet e mirë.

Ndërsa Norkollari, flet rreth asaj që është menduar te ketë më shumë filma në këtë retrospektivë, mirëpo Zilnik ka thënë është mjaft. “ Unë kam dashur të kemi edhe më shumë filma të Zilnikut, por Zilniku është filmbërës tejet modest, në një mënyrë tejet njerëzore më ka lutur që mos ti ngarkoj shikuesit me një numër më tepër të filmave se sa i kemi këtu në dokufest këtë vit”, u shpreh Norkollari.

Duke filluar nga termini i parë i orës 14:00, dita e hënë e “Dokufestit” nisi retrospektivën e regjisorit Zilnik, duke sjellë kështu filmin e parë “Europe next donor”.

Filmi përcjell efektet e marrëveshjes shengen në kufirin Hungari-Serbi gjatë periudhës verë 2004-pranverë 2005. Në formë të një doku-dramë, regjisori u jep mundësinë tregtarëve dhe femrave lokale të flasin mbi përvojat e tyre, duke treguar se si ato jetojnë dhe punojnë.

Ndërkaq po këtë ditë startoi programi për fëmijë në kuadër të DokuKids, lansimi i programit special nga festivali i filmave të shkurtër gjerman “Oberhausen on tour” si dhe në mbrëmje u shfaqën filmat garues në garën e filmave të shkurtër dhe filmat e garës për dokumentar ndërkombëtar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›